Ndërlidhjet

Sfidat e monitorimit


Prishtinë
Prishtinë

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të monitorohen nga vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë. Rrjeti evropian ENEMO do të angazhojë 170 mbikëqyrës të zgjedhjeve, ndërsa “Demokracia në Veprim” rreth 5 mijë. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, takoi sot përfaqësuesit e të dyja organizatave.



Rrjeti Evropian i Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve (ENEMO) do të angazhojë 170 vëzhgues më 12 dhjetor, kur edhe mbahen zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Këtë e bëri të ditur përfaqësuesi i kësaj organizate, Zllatko Vujoviq, pas takimit që zhvilloi me ushtruesin e detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Shefi i misionit të ENEMO-s tha se 85 ekipe do t’i mbulojnë të gjitha qendrat e votimit.
Misioni i ENEMO-s do të ketë rreth 170 vëzhgues për ditën e zgjedhjeve...

“Misioni i ENEMO-s do të ketë rreth 170 vëzhgues për ditën e zgjedhjeve. Po ashtu janë edhe rreth 20 vëzhgues afatgjatë, të cilët janë anëtarë të Zyrës Qendrore të ENEMO-s”.

“Do t’i prezantojmë rezultatet preliminare një ditë pas zgjedhjeve, ndërsa raporti përfundimtar, që do të jetë edhe zyrtar, do të jepet rreth një muaj pas ditës së zgjedhjeve. Ai do të jetë i publikuar për të gjithë të interesuarit”
, tha Vujoviq.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi rëndësinë e monitorimit të zgjedhjeve nga ana e ENEMO-s.

Ai tha se vëzhguesit e kësaj organizate janë në Kosovë me kërkesë të institucioneve vendore.

Jakup Krasniqi
“Ne besojmë dhe shpresojmë se këto zgjedhje do të jenë edhe të lira, edhe të drejta, edhe të ndershme. Na vjen mirë që rrjeti i organizatave ENEMO do të jetë prezent në Kosovë, do të japë vlerësimin e vet, edhe të periudhës parazgjedhore, por edhe të ditës së zgjedhjeve”.

“Ne presim dhe dëshirojmë që gjithçka të shkojë sipas asaj që e parasheh ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”
, theksoi Krasniqi.

Krasniqi takoi sot edhe delegacionin e rrjetit të organizatave joqeveritare - “Demokracia në Veprim”. Kjo e fundit do t’i monitorojë zgjedhjet me rreth 5 mijë vëzhgues. Krasniqi tha se do të mbështesë punën e vëzhguesve vendorë.

“Ne vlerësojmë lart angazhimin e ‘Demokracisë në Veprim’, për të ndihmuar procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës, për të dhënë kontribut në monitorimin e këtyre zgjedhjeve, që janë të rëndësishme për Kosovën dhe institucionet që do të dalin nga këto zgjedhje”, u shpreh Krasniqi.

Drejtuesi i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu, tregoi për sfidat me të cilat po përballet organizata para procesit zgjedhor.
Sfidë ka qenë koha e shkurtër për këtë proces - rekrutimi, trajnimi i vëzhguesve...

“Sfidë ka qenë koha e shkurtër për këtë proces - rekrutimi, trajnimi i vëzhguesve ose përgatitjet e tjera teknike për 5 mijë vëzhguesit që ka ‘Demokracia në Veprim’”.

“Tani jemi në fazën finale në trajnimet në terren. Mendoj se me dinamikë dhe veprime të përshpejtuara, jemi duke e tejkaluar edhe këtë sfidë”
, tha Kryeziu.

Sa i përket zhvillimit të deritashëm të fushatës zgjedhore, ushtruesi i detyrës së presidentit, zoti Krasniqi, u shpreh i kënaqur me ecurinë e saj, ndonëse, sipas tij, aty-këtu mund të vërehet edhe ndonjë “gjuhë joargumentuese”.

Zgjedhjet lokale të 2009-ës u vëzhguan nga 2,400 vëzhgues të pavarur, 1,230 ishin të huaj, ndërsa mijëra të tjerë nga partitë politike. Deri më sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 31.273 monitorues të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Lexoni edhe këtë:
Çka ndikon tek elektorati?

Kosovarët votojnë për liderët...?!
XS
SM
MD
LG