Ndërlidhjet

Kosova gati për zgjedhjet


Prishtinë
Prishtinë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare në Kosovë, këtë të diel. Edhe organizatat vendore e ndërkombëtare shprehen të gatshme ta monitorojnë gjithë procesin.


Kosova po i bën përgatitjet e fundit për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit. Ndërsa subjektet politike pjesëmarrëse mbyllin fushatën dhe nesër fillon heshtja parazgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vëzhguesit dhe autoritetet e rendit po përgatiten për ditën e votimeve.

KQZ-ja konfirmoi se numri i përgjithshëm i votuesve në Kosovë sivjet është mbi 1.6 milion. Nga ky numër, votues të rinj janë 73.288 persona, ndërkaq nga lista e votuesve si persona të vdekur janë hequr 6.165 veta.

KQZ-ja njoftoi po ashtu se të dielën do të hapen 746 qendra të votimit, me gjithsej 2.280 vendvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, tha se përgatitjet po bëhen për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.

“KQZ-ja ka punuar me përkushtim të madh për këto zgjedhje dhe ka treguar një gatishmëri të lartë për t’i realizuar ato me sukses”, tha Ajvazi.

Për të shtunën, KQZ-ja ka bërë të ditur se do të fillojë shpërndarja e materialit të ndjeshëm në të gjitha depot e komisioneve komunale. Ndërsa, të dielën, në orët e hershme të mëngjesit, ky material do të shpërndahet nëpër qendra dhe vendvotime. Për gjithë procesin parashihet të përkujdeset Policia e Kosovës, e cila ka angazhuar rreth 6 mijë zyrtarë policorë.

Prishtinë
Për mbarëvajtjen e procesit, KQZ-ja ka paraparë që të ketë edhe listën alternative prej 75 vendvotimesh, kryesisht për viset e banuara me serbë. Kurse, 114 ekipe mobile janë lënë në dispozicion për votimet në veri të Kosovës.

Zgjedhjet e së dielës do t’i monitorojnë mbi 32 mijë vëzhgues. Prej tyre, mbi 26 mijë u përkasin partive politike, 493 organizatave ndërkombëtare, 351 ambasadave si dhe mbi 5 mijë vëzhgues nga organizatat joqeveritare.

Koalicioni “Demokracia në Veprim” ka akredituar 5 mijë vëzhgues për monitorimin e tërë procesit.

Krenar Gashi, nga ky koalicion, tha se vëzhguesit janë të trajnuar mirë dhe do t’i mbulojnë të gjitha vendvotimet.

“Këta vëzhgues do të ndahen në dy grupe: në atë që do ta monitorojë procesin dhe atë që do ta monitorojë numërimin dhe shpalljen e rezultateve”.

“Përpos tyre, kemi angazhuar edhe ekipet mobile, të cilat do të jenë gjatë gjithë kohës në lëvizje, do t’i monitorojnë në formë të rregullt të gjitha vendvotimet si dhe do të jenë në gjendje që, brenda një periudhe të shkurtër kohore, të shkojnë në ato vende ku eventualisht mund të ketë incidente”
, tha Gashi.

Edhe Rrjeti Evropian i Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve, ENEMO, ka konfirmuar arritjen e vëzhguesve ndërkombëtarë që do të monitorojnë procesin e zgjedhjeve ditën e diel.

Kryesuesi i këtij ekipi në Kosovë, Zllatko Vujoviq, tha se ENEMO do të ketë 182 vëzhgues. Prej tyre, 170 do të shpërndahen në të gjitha qendrat e votimit nëpër Kosovë, ndërsa 12 vëzhgues do të qëndrojnë në qendrën e numrit të votave dhe rezultateve dhe do të monitorojnë procesin derisa të shpallet rezultati përfundimtar.

Në zgjedhjet e së dielës do të marrin pjesë 29 subjekte politike, me gjithsej 1.265 kandidatë për deputetë në Kuvendit të Kosovës. Gara do të zhvillohet për 100 ulëse në Parlament, pasi që 20 ulëse të tjera janë paraprakisht të rezervuara: 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera pakicë.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit janë zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur.
XS
SM
MD
LG