Ndërlidhjet

Prioritet, zhvillimi i sektorit privat


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në mënyrë që vitin e ardhshëm Kosova të ketë një zhvillim më të mirë ekonomik, nevojitet që qeveria e ardhshme të fokusohet në përmirësimin e sektorit privat, sidomos në fushën e prodhimit, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Megjithatë, sipas tyre zhvillimi ekonomik do të jetë sfidë edhe për qeverinë e re të Kosovës, që do të dalë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.


Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë vlerësojnë se përmirësimi i klimës për investitorët e huaj, investimet në sektorin privat dhe rritja e shkallës së punësimit, duhet të shihen si çështje me prioritet për t’u zgjidhur nga qeveria e ardhshme.

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se qeveria, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, duhet të fokusohet në çështje që kanë të bëjnë me prioritete ekonomike në periudhën afatmesme dhe në bazë të saj, të miratojë politika në fusha të ndryshme.

Sadiku thotë se përmirësimi i sektori privat duhet të jetë prioritet në agjendën e qeverisë së ardhshme.
Çelës i suksesit në periudhën e ardhshme duhet të jetë zhvillimi i sektorit privat...


“Çelës i suksesit në periudhën e ardhshme duhet të jetë zhvillimi i sektorit privat, që do të thotë se qeveria, me politikat e veta ekonomike t’i adresojë problemet, barrierat kryesore, të cilat e kanë përcjellë zhvillimin e sektorit privat, të vazhdojnë projektet e infrastrukturës dhe duhet të bëhen kthesa radikale në edukim dhe arsim”
, thotë Sadiku.

Edhe Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara, GAP, thotë se prioritet për autoritetet kompetente, duhet të jetë sektori privat dhe hartimi i një strategjie për investitorët e jashtëm.

Megjithatë, Demi konsideron se zhvillimi ekonomik do të jetë sfidë edhe për qeverinë e re të Kosovës, që do të dalë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
...në tri vitet e kaluara investimet e huaja direkte, prej 400 milionë janë përgjysmuar në 211 milionë euro.

“Nevojitet, gjithsesi që qeverisja e ardhshme t’i kushtojë rëndësi të veçantë sektorit privat, duke e bërë më të lehtë regjistrimin e bizneseve. Ndërsa, bizneset e mëdha të lirohen nga tatimet e ndryshme, me të cilat ngarkohen ato, nëse premtojnë vende të reja të punës. Dihet shumë mirë se në tri vitet e kaluara investimet e huaja direkte, prej 400 milionë janë përgjysmuar në 211 milionë euro”.

“Ky është një problem serioz që tregon se investitorët e jashtëm, për shkak të mungesës së përkujdesjes së Qeverisë së Kosovës, po largohen në vendet fqinje apo në vende të tjera, të cilat ofrojnë kushte më të mira”
, vlerëson Demi.

Sektor tjetër ku qeveria e ardhshme duhet të fokusohet, sipas Demit, është edhe fusha e bujqësisë.

“Është një prej fushave ku mund të gjenerojë punësim dhe rritje ekonomike. Dhe, konsiderojmë se bujqësia duhet të jetë prioritet i qeverisjes së ardhshme”, shprehet Demi.

Ndryshe, ekspertët pohojnë se qeveria e re, nuk duhet që në masë të madhe të investojë në investimet kapitale, si në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe ndërtimin e shkollave, pasi, sipas tyre, këto nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritje ekonomike dhe nuk krijojnë vende të reja pune për një periudhë afatgjate.

Lexoni edhe këto:

Politika dhe investimet
Ambient i (pa)favorshëm biznesi
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG