Ndërlidhjet

logo-print
Punëtorët në disa sektorë që paguhen nga buxheti, pagat do t’i marrin me rritje, ashtu siç ka premtuar kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje. Ata e përsërisin këtë fakt, pas njoftimeve të fundit, ku thuhet se me këtë vendim nuk pajtohet faktori ndërkombëtar.


Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje ripërsërisin se pagat për disa kategori që paguhen nga buxheti, do të rriten deri në 50 për qind. Vendimi për rritje qe shoqëruar me kritika nga opozita dhe ekspertë të ekonomisë, të cilët e quanin vendim të paligjshëm dhe në kundërshtim me marrëveshjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndërkohë, së fundi jozyrtarisht u njoftua se vendet e Kuintit, përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe zyrtarë të qeverisë në dorëheqje kanë mbajtur disa takime lidhur me këtë çështje.

Po sipas këtyre njoftimeve, thuhet se Kuinti ka parashikuar krizë të madhe buxhetore nëse hyn në fuqi ky vendim, duke kërkuar nga Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare që ta anulojë këtë vendim.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, as nuk i pohon e as mohon takimet, duke thënë se ekziston partneritet i mirë mes qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Sidoqoftë, sipas Krasniqit, qeveria nuk do të ndërrojë mendjen në lidhje me rritjen e pagave.
Pagat janë rritur, të gjithë punëtorët në të gjithë sektorët ku ka pasur rritje, do t’i marrin pagat me rritjen e premtuar dhe sipas vendimit
të qeverisë.


“Pagat janë rritur, të gjithë punëtorët në të gjithë sektorët ku ka pasur rritje, do t’i marrin pagat me rritjen e premtuar dhe sipas vendimit të qeverisë. Dhe, realisht, nuk ka nevojë që askush të luajë me nervat e qytetarëve të Kosovës, as mediat dhe as dikush tjetër, të thuhet se kjo do të bëhet apo nuk do të bëhet. Kjo është punë e kryer. Pagat janë rritur”,
deklaron Krasniqi.

Takimet e mundshme mes vendeve të Kuintit dhe ICO-s, nuk janë konfirmuar as nga zëdhënësi i këtij misioni, Endi Mekgafi. Ai, përmes postës elektronike, thotë se menaxhimi i buxhetit është çështje e Qeverisë; ashtu siç është përcaktuar edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin, qeveria konsultohet me ICO-në për këtë çështje.

Në përgjigjen e tij, ai thotë se, “në përgjithësi, këshilla e ICO-së për qeverinë është se përmbushja e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe menaxhimi i përgjegjshëm i buxhetit – duke siguruar burime adekuate të të hyrave për mbulimin e shpenzimeve – janë të rëndësishme për kredibilitetin e Kosovës. Është po aq e rëndësishme që vendimet për buxhetin të merren në bazë të kornizës ligjore përkatëse”, thotë Mekgafi.

Por, njohës të çështjeve ekonomike shprehin shqetësimet e tyre rreth mënyrës së rritjes së pagave, pasi, sipas tyre, kjo do të sjellë probleme në rrafshin ekonomik.

Muhamet Mustafa, nga Instituti RIINVEST, thotë se çdo vendim, i cili nuk është në harmoni me procedurat që i përshtaten procesit buxhetor, mund të sjellë probleme gjatë zbatimit të tij.

Për këtë, Mustafa thekson se qysh në fillim vendimi i kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, ka qenë i improvizuar dhe jo i studiuar i mirë.
...duhet të argumentohet se rritja e pagave nuk do të krijojë deficit buxhetor, jostabilitet buxhetor dhe nuk do të shprehet negativisht në rritjen ekonomike të Kosovës.


“Të rriten pagat pa u aprovuar buxheti, të rriten pagat jashtë asaj që është si projekt i buxhetit, jo që nuk ka nevojë që të rriten ato, por duhet të argumentohet se rritja e pagave nuk do të krijojë deficit buxhetor, jostabilitet buxhetor dhe nuk do të shprehet negativisht në rritjen ekonomike të Kosovës. Asnjërën nga këto fakte MEF-i nuk ka qenë në gjendje që ta dokumentojë. Prandaj, problemet janë shumë reale dhe shumë serioze”,
vlerëson Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, mësimdhënësit dhe punëtorët shëndetësorë tashmë i kanë nënshkruar vendimet për marrjen e pagave të rritura.

Sipas vendimit të qeverisë në dorëheqje, duke filluar nga 1 janari, sektori i arsimit parauniversitar, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, do të marrin paga me ngritje prej 50 për qind.

Policia e Kosovës do të ketë rritje pagash për 40 për qind. Kurse, shërbyesit civilë, zyrtarët doganorë, shëndetësia, si dhe zjarrfikësit, do të kenë ngritje për 30 për qind.

E, të gjitha këto, buxhetit të Kosovës, i cili ende nuk është miratuar, do t’i kushtojnë mbi 100 milionë euro.

Lexoni edhe këto:

Skepticizëm për rritje pagash
Sigurimi i mjeteve për rritje pagash
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG