Ndërlidhjet

Trepça: Të rivitalizohet apo të privatizohet?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kombinati metalurgjik “Trepça”, duhet të rivitalizohet dhe jo të privatizohet, thonë punonjës në këtë ndërmarrje dhe njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, investimet në këtë kombinat, sektorët e të cilit gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të Mitrovicës, mundësojnë minimizimin e tensioneve nacionale në këtë pjesë. “Trepça”, sipas tyre, mund të jetë simbol bashkëjetese për qytetarët e Mitrovicës.


Ditëve të fundit kombinati metalurgjik “Trepça” po ballafaqohet me presione që t’i nënshtrohet procesit të ristrukturimit dhe likuidimit, sipas një rregulloreje të UNMIK-ut.

Ditë më parë, Gjykata Supreme e Kosovës, ka vendosur për emërimin e një administratori ndërkombëtar për këtë kombinat, në mënyrë që “Trepça” t’i nënshtrohet procesit të privatizimit.

Por, punonjës në këtë kombinat dhe njohës të çështjeve ekonomike, e kundërshtojnë vendimin e gjykatës, duke thënë se “Trepça” aktualisht nuk ka nevojë për privatizim, por për rivitalizim.

Sipas tyre, Trepça, përveç rëndësisë ekonomike, ka edhe rëndësi politike dhe sociale.

Bislim Muça, zëdhënës në këtë kombinat, thotë se rivitalizimi i kombinatit është forma më e dëshiruar për qytetarët e Mitrovicës. Ai njëherësh thotë investimet e Qeverisë në këtë kombinat, mundësojnë përmirësimin e jetës për të gjithë qytetarët e kësaj ane.

“Besoj fuqishëm në këtë dhe mendoj se Trepça do të ishte mundësia e parë dhe e mundshme për bashkimin e ndarë të qytetit të Mitrovicës. Kur ka punuar ‘Trepça’ në vitet ’70 dhe ‘80, kur ka arritur kulmin e vet të punës, nuk ka qenë e ndarë në këso baza, kanë punuar shqiptarët në veri dhe anasjelltas. Siç është e ndarë Mitrovica, ashtu këtë fat e ndan edhe ‘Trepça’, do të thotë është e ndarë në baza etnike
”, thotë Muça.

Kombinati “Trepça” ka sektorë në pjesën veriore dhe atë jugore në qytetin e Mitrovicës. Para viteve ‘90 ky gjigant metalurgjik numëronte rreth 25 mijë punëtorë, ndërsa tash numëron rreth 1340 punëtorë shqiptarë, kurse 1000 punëtorë të tjerë janë të komunitetit serb dhe punojnë në sektorët e kësaj ndërmarrjeje që gjenden në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Edhe Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, konsideron se rivitalizimi i kombinatit “Trepça”, mund të jetë simbol bashkëjetese për qytetarët e asaj pjese.

“Mbi të gjitha është edhe rëndësia politike, është një mundësi që përmes aktivizimit të ‘Trepçës’, të minimizohen tensionet ndërnacionale në këtë pjesë. Dhe, vërtet, ‘Trepça’ të jetë një simbol i bashkëjetesës dhe përmes zhvillimit dhe efekteve pozitive, të ndikojë në aspektin e asaj që quhet mirëqenie sociale”
, pohon Gërxhaliu.

Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë dhe Minierave, thotë se aktivizimi i minierave tjera të gjigantit metalurgjik “Trepça”, mundëson hapjen e 10 mijë vendeve të reja të punës, për qytetarët e Mitrovicës. Me këtë hap, sipas tij, do të eliminoheshin problemet sociale, politike, por edhe ndikimi i Beogradit për këtë kombinat.

“Mundëson që ajo pjesë e Kosovës të zhvillohet dhe qytetarët e asaj pjese të Kosovës të jetojnë me dinjitet të plotë. Prandaj, koncepti i zhvillimit, do të mundësonte që të kemi një ruajtje stabiliteti social dhe politik në atë pjesë dhe do të kemi mundësi që ajo pjesë e Kosovës të hyjë në radhët e pjesëve të zhvilluara
”, thotë Çeku.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, që në vetvete përfshin nxjerrjen dhe përpunimin e xehes, si dhe finalizimin e disa prodhimeve, ndodhet në një gjendje të vështirë dhe kjo gjendje daton që nga vitet ’90.

“Trepça” nuk ka punuar me kapacitete të plota që nga vitet ‘90, kur mijëra shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës, për shkak të zhvillimeve të atëhershme politike.
XS
SM
MD
LG