Ndërlidhjet

Femrat anashkalohen nga pasuria familjare


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Qendra Kosovare për Studime Gjinore, promovoi raportin hulumtues “E drejta e trashëgimisë pronësore të grave në Kosovë”. Sipas këtij raporti, në të cilin janë anketuar 1050 pjesëtare të gjinisë femërore mbi moshën 18-vjeçare, thuhet se femrat kosovare gëzojnë shumë pak të drejtat pronësore.


Gratë në Kosovë, në shumicën e rasteve, nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare, pasi pasuria e familjes ndahet në mënyrë të barabartë vetëm mes meshkujve të familjes.

Kështu thuhet në një hulumtim të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, të quajtur “E drejta e trashëgimisë pronësore të grave në Kosovë”.

Luljeta Vuniqi, udhëheqëse e kësaj qendre, tha se me anë të këtij hulumtimi, qendra ka bërë përpjekje t`i identifikojë qëndrimet, pengesat, sfidat dhe vështirësitë, me të cilat përballen gratë kosovare në realizimin e së drejtës së tyre për trashëgimi pronësore.

Në këtë hulumtim janë përfshirë 1050 pjesëtare të gjinisë femërore mbi moshën 18-vjeçare. Pjesa më e madhe e hulumtimit është realizuar në vendbanimet me shumicë shqiptare, por pa lënë anash edhe përfshirjen e pakicave.

“Gratë në Kosovë janë të vetëdijshme për pasojat që mund t’i kenë në rast se ato kërkojnë realizmin e së drejtës së tyre për të trashëguar pronësinë. Andaj, 31.03 për qind e grave druajnë se në rast të tillë mund të jenë të gjykuara dhe të injoruara nga të afërmit dhe familja”
, tha Vuniqi.

Trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për familje, sipas të cilit e drejta e trashëgimisë u takon të gjithë anëtarëve të familjes, pa marrë parasysh gjininë, tha Naser Ajeti, nga Agjencia për Barazi Gjinore, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë së Kosovës.

“Në Kosovë, në aspektin ligjor, femra është e barabartë me mashkullin. Pra, në këtë drejtim nuk mund të thuhet se ekziston çfarëdolloj dispozite ligjore, e cila femrën e vë në pozitë të pabarabartë në raport me mashkullin”
, u shpreh Ajeti.

Por, Luljeta Vuniqi nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se se zbatimi i dobët i ligjeve kushtetuese, ka bërë që ligjet e pashkruara apo zakonet, të mbesin në fuqi në rregullimin e marrëdhënieve familjare.

“Prandaj, si vazhdimësi e ekzistimit të ligjeve të pashkruara, 40.83 për qind e grave të anketuara mendojnë se trashëgimia ndonëse e rregulluar me ligj, rregullohet sipas traditës dhe zakoneve në ndarjen e pasurisë”, theksoi Vuniqi.

Sociologu Anton Berishaj, e quajti paradoksal fenomenin, siç tha ai, të ndarjes së pasurisë familjare vetëm për anëtarët e familjes së gjinisë mashkullore.

“Fuqizimi i ligjeve pozitive, të cilat nuk do t’u japin shumë hapësirë zakoneve dhe traditës, dalëngadalë do të mënjanojë edhe këtë dukuri që fëmijët pavarësisht nga gjinia, të kenë të drejtën e duhur”
, vlerësoi Berishaj.

Ajo çka mbetet shqetësuese, thuhet në raport, është se në shumicën e familjeve shqiptare në Kosovë, veçanërisht në zonat rurale, femra respektivisht motra, nuk trashëgon pronë kur vdes babai nëse nuk ka vëlla.

Në shumicën e rasteve, në mungesë të vëllait ose djalit, prona i jepet mashkullit më të afërt të personit të ndjerë.
XS
SM
MD
LG