Ndërlidhjet

A po funksionalizohet Instituti Onkologjik?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Autoritetet shëndetësore thonë se partneriteti publiko-privat është e vetmja mundësi për ta funksionalizuar Institutin e Onkologjisë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ky institut asnjëherë nuk është pranuar teknikisht dhe nuk ka funksionuar, edhe pse në të janë shpenzuar miliona euro nga buxheti i Kosovës.


Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare, sipas autoriteteve shëndetësore, tashmë është një projekt i dështuar.

Drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se janë dukee shqyrtuar mundësinë që ky institucion të funksionojë në kuadër të partneritetit publiko-privat.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se për të gjetur një mundësi reale për funksionimin e këtij instituti, do të ishte kjo marrëveshje, që nënkupton ardhjen e një donatori të fuqishëm si partner i Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKUK-së, dhe të bëjë ndërhyrje në Institutin Onkologjik në mënyrë që të vihet në funksion.

“Çështja e Institutit Onkologjik ka qenë një prej prioriteteve të punës sime. Të gjithë jemi koshientë për atë se bëhet fjalë për një projekt të dështuar, e që është bërë cak i hetimeve, por ata që po e pësojnë janë pacientët, ku me vite të tëra nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë, edhe pse janë investuar miliona euro. Për këtë objekt mungon dokumentacioni elementar teknik dhe nuk është i pranuar asnjëherë teknikisht”
, thotë Agani.

Ministri Agani shpreh gatishmëri që të sjellë një partner, siç thotë ai, të fuqishëm dhe të bëjë ndërhyrje në Institutin e Onkologjisë, në mënyrë që të vihet në funksion. Sipas tij, tashmë janë në negociata me një partner ndërkombëtar që do të dihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë me fatin e kësaj klinike.

“E kemi një partner për momentin, që ka shprehur një interesim serioz, por që jemi në fazën fillestare të bisedimeve. Kemi interesim më të madh të ndërkombëtarëve, e që është fat i mirë. Por, ne do të jemi shumë të kujdesshëm në seleksionimin e partnerëve, e që janë të përcaktuara qartë me ligj”,
shpjegon Agani.

Ndërkaq, sindikalistët e shëndetësisë mendojnë se një marrëveshje publiko-private do të ishte e mirëseardhur, duke e marrë parasysh që mosfunksionimi i Institutit të Onkologjisë, po u kushton shumë pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit.

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se për institutin në fjalë janë dhënë kritika të shumta nga ana e sindikatës.

“Shumë shpesh kam dhënë kritika se pse nuk funksionon Instituti Onkologjik, si shumë jetik për pacientët. Unë jam ithtar që të gjitha shërbimet të fillojnë të kryhen brenda vendit dhe jo pacientët të shkojnë jashtë vendit. Unë jam për atë se partneriteti publiko-privat të bëhet edhe nëpër klinika tjera, dhe të përfitojnë pacientët dhe stafi, duke marrë nga përvoja e ekspertëve, qofshin vendorë apo të huaj”
, thekson Syla.

Ndërkaq, ministri Agani pohon se sa i përket stafit, si pjesë e kësaj marrëveshjeje, ata do të kenë statusin e njëjtë në klinikë, mirëpo nga e gjithë kjo, do të përfitojnë duke u ngritur profesionalisht dhe duke marrë përvoja nga profesionistë ndërkombëtarë.

“Stafi përfundimisht do të jetë ai që punon në institut. Disa nga ta janë në nivel të mirë profesional, por shumica jo. Andaj, nga e gjithë kjo do të kemi një kualifikim të mëtutjeshëm profesional dhe do të ketë nevojë edhe për staf të ri, në mënyrë që t’u përgjigjen kërkesave të pacientëve”
, shprehet Agani.

Sidoqoftë, profesionistët shëndetësorë që punojnë në Institutin Onkologjik, thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë informatë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, lidhur me marrëveshjen publiko-private për institutin në fjalë.

Sipas tyre, ata nuk i dinë politikat shëndetësore dhe nuk mund të japin ndonjë mendim nëse është më mirë apo më keq të lidhet një marrëveshje e tillë, derisa të specifikohet se çka në fakt përmban kjo marrëveshje.

Lexoni edhe këtë:
A u keqpërdorën 4 milionë euro në MSH?
XS
SM
MD
LG