Ndërlidhjet

Barnat e vjedhura: Ende asnjë rezultat


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM), para dy muajsh, është zhdukur një sasi e barnave, e konfiskuar nga inspektorët farmaceutikë në disa barnatore të Kosovës.

Zyrtarë brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë shprehur dyshimin se një akt i tillë është bërë nga persona brenda AKPM-së, të cilët e dinë veprimtarinë farmaceutike.

Por, kryeinspektori i AKPM-së, Haki Ejupi, thotë se nuk mund t’iu përgjigjet këtyre dyshimeve, meqë në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ai “ka qenë në pushim vjetor”.

“Nuk kam qenë këtu dhe nuk kam njohuri. Njerëzit që janë kompetentë, janë duke u marrë me rastin”, thotë ai.

I pyetur nëse ka ndonjë kontakt me autoritetet e rendit, kryeinspektori i AKPM-së shprehet:

“Nuk kam ndonjë kontakt me policinë. Nuk kemi marrë ndonjë ftesë për pyetje, por nuk do të thotë se nuk do të marrim. Derisa nuk zbardhet rasti, të gjithë punëtorët jemi të dyshuar; ndoshta unë vetë jam subjekt i hetimit”.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se nuk kanë informata shtesë rreth këtij rasti. Sekretari i përhershëm i këtij institucioni, Ilir Tolaj, thotë se tashmë është marrë vendimi për shkatërrimin e barnave të konfiskuara.

“Ajo çfarë kemi bërë është se kemi izoluar sasinë e barnave të konfiskuara; është urdhëruar që sasia e tillë t’i nënshtrohet shkatërrimit të menjëhershëm. Qëllim i yni është që të parandalohet keqpërdorimi i mundshëm i atyre barnave në të ardhmen”.

“Andaj, do ta krahasojmë sasinë ekzistuese me listat e shënuara me rastin e konfiskimit dhe do ta dimë saktë se sa barna mungojnë në AKPM”,
thotë Tolaj.

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Autoritetet e rendit konfirmojnë se rasti në fjalë është nën hetime. Agron Borovci, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, jep më shumë hollësi:

“Rasti është paraqitur në polici dhe policia ka iniciuar një hetim lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja. Jemi duke punuar në ndriçimin e rastit, por ende nuk kemi ndonjë informatë zyrtare që duhet publikuar”.

Për jotransparencë dhe zhargitje të zbardhjes së rastit ka reaguar Shoqata e Farmacistëve të Kosovës. Kreu i saj, Kadri Bytyqi, thotë se do të kërkojë më shumë seriozitet nga institucionet përkatëse.

“Sinqerisht jemi të shqetësuar. Do të kërkojmë nga institucionet relevante që të merren hapa më të shpejtë dhe më efikas, në mënyrë që fajtorët të sillen para drejtësisë”, thotë Bytyqi.

Përveç këtij rasti, brenda AKPM-së, në periudhën e njëjtë kohore, është zhdukur edhe një llap top, në të cilin kanë qenë të regjistruara të gjitha barnat që ishin lejuar të futen në tregun farmaceutik të Kosovës.

As fati i këtij llap topi nuk dihet ende.

Lexoni edhe këtë:
AKPM: Ngjarja e "çuditshme"
XS
SM
MD
LG