Ndërlidhjet

Radioterapia ende jashtë funksionit


QKUK
QKUK
Objekti i Institutit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar të ndërtohet në vitin 2004.

Në këtë objekt janë investuar rreth 6 milionë euro.

Por, ky institut ende nuk është funksionalizuar në tërësi.

Zyrtarët qeveritarë kishin deklaruar se ky institut do të duhej të fillonte të funksionojë tërësisht në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, derisa kjo gjë nuk ka ndodhur.

Radioterapia ende nuk funksionon në këtë institut.

Këtë e konfirmon onkologia Mejreme Krasniqi Maloku, e cila njëherësh është e vetmja onkologe e licencuar për tërë Kosovën.

Jo, ende nuk ka filluar, pritet të fillojë radioterapia. Janë në procedurë drejtoria e Qendrës Klinike Universitare dhe Ministria e Shëndetësisë”, shprehet ajo.

Për ta evituar këtë problematikë dhe funksionalizuar në tërësi institutin, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë hungareze “Med-center” për ndihmë në shërbimi të radioterapisë, meqenëse në Kosovë nuk ka ekspertë të kësaj lëmie.

Si rezultat i marrëveshjes, ministri i shëndetësisë Ferid Agani pati premtuar se ky institut do të fillojë të funksionojë tërësisht në dhjetor të vitit 2011.

Por, mosrealizimi i funksionimit të radioterapisë ka ardhur si pasojë e një shkrese dërguar EULEX-it, për hetime të këtij objekti, për shkak se nuk i përmbushë kushtet e parapara teknike.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, thotë se pas kërkesës së inspektoratit të sekretariatit të punëve të brendshme kanë filluar testimet brenda objektit dhe aparaturës në mënyrë që të dihet saktë se a mund të fillojë radioterapia, dhe se a ka rrezatim në këtë objekt.

Është testuar prej institutit të punës në Obiliq, që janë të certifikuar për testimin e aparaturës dhe objektit nga rrezatimi, dhe tash po presim të vijnë disa hungarezë dhe të fillojmë gjatë muajit të ardhshëm”, thotë Gashi.

Ndërkaq , ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Lulzim Emini, më 28 dhjetor të vitit të kaluar, për Radion Evropa e Lirë kishte thënë se Instituti Onkologjik prej kur ka filluar të funksionojë, i ka kursyer QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë afër 600 mijë euro dhe xhepit të pacientëve 450 mijë euro.

Emini ka thënë se ankesat e tilla, dërguar EULEX-it, janë interesa personale të individëve që kanë përfitime në institucione private dhe nuk duan ta shohin sistemin publik duke funksionuar mirë.

Sidoqoftë, pritet të shihet se a do të fillojë të funksionojë edhe radioterapia në institutin onkologjik të Qendrës Klinike Universitare gjatë muajit shkurt, ashtu siç edhe ka premtuar drejtori i QKUK-së.
XS
SM
MD
LG