Ndërlidhjet

Dik Marti thirret të dëshmojë në rastin “Medicus”


Dik Marti
Dik Marti
Gjyqtarët në procesin gjyqësor "Medicus" në Prishtinë thonë se do ta ftojnë raportuesin e Këshillit të Evropës, Dik Marti, si dëshmitar, njofton agjencia e lajmeve AFP.

Një panel i dominuar nga gjyqtarët e Bashkimit Evropian në këtë proces, tha se “do të lejojë deklaratë” të Dik Martit, raportues i Këshillit të Evropës për dyshime për trafikim të organeve, gjatë luftës në vitet 1998-'99 në Kosovë.

Rasti 'Medicus" ka të bëjë me akuza të ngritura për shtatë persona, nën dyshimet për trafikim organesh dhe transplantim të paligjshëm.

Në mesin e të akuzuarve janë Lutfi Dervishi, Driton Jilta, Sokol Hajdini, dhe Ilir Rrecaj, të cilët janë akuzuar për kryerje të veprës mjekësore të jashtëligjshme, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.

“Dik Marti pretendon e se ai ka disa informata të rëndësishme për këtë çështje, prandaj ne do të kërkojmë nga ai të tregoj se çfarë lloj të informacioneve ka dhe cilat janë burimet e këtyre informacioneve”, ka thënë gjyqtari kryesues, Arkadiush Sedek nga Polonia.

Në raportin e tij, Dik Marti pati akuzuar pjesëtarët e ish UÇK-së, përfshirë edhe kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, për involvim në krim të organizuar dhe trafikim të organeve gjatë dhe pas luftës.

Kosova dhe Shqipëria në mënyrë të fuqishme i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë hedhur poshtë raportin e Dik Martit.

Prokurori special i Bashkimit Evropian, Xhonatan Ratel, në seancën e 23 marsit, pati kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit, të thirret Dik Marti, raportues i Këshillit të Evropës.

“Unë i kam të gjitha arsyet të besoj se ai (Dik Marti) mban në posedim evidencën për këtë rast”, ka thënë prokurori Ratel.

Ndaj propozimit të prokurorit Ratel, kishte reaguar mbrojtja, duke thënë se nëse Dik Marti ftohet të dëshmojë lidhur me këtë rast penal, atëherë gjykimi do ta humbë esencën e penales dhe do të shndërrohet në politike.

Kohë më parë, përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rasti "Medicus' dhe “krimet e luftës, të kryera në Shtëpinë e Verdhë” - çështje kjo që ka ngritur Marti në raportin e tij dhe që prek përfaqësues të Qeverisë së Kosovës - janë raste të ndara.

Lexoni edhe këtë:
Dik Marti si dëshmitar në rastin “Medicus”?!
XS
SM
MD
LG