Ndërlidhjet

Njohësit e çështjeve ekonomike në Prishtinë kritikojnë autoritetet e Kosovës për mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve publike. Mjaft kritika ata adresojnë te procesi i privatizimi të Postë- Telekomit të Kosovës, i cili pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhku, thotë se procesi i privatizimit të PTK-së është degraduar në vazhdimësi me procese të ndërprera të privatizimit dhe kjo, siç thotë ai, për shkak të aferave të shumta korruptive dhe për shkak të nevojës për ta shitur.

“Sot thuhet se vlera e PTK-së do të jetë rreth 250 milionë euro ose 300 milionë euro, që është vlerë qesharake, meqenëse posta realizon fitim vjetor prej 60 milionë eurosh, që do të thotë se kushdo që e blen PTK-në sot, për aq vlerë sa po flitet, 250 deri në 300 milionë euro, i bie që do t’i kthejë investimet për 5 vjet, që është një periudhë shumë e shkurtër. Pra, asetet tona që janë ndërtuar me paratë e shumë gjeneratave, nuk po arrijnë të shiten, të jenë atraktive, nuk po arrijnë të bëhen atraktive as për investitorë seriozë ”, vlerëson Abdixhiku.

Autoritetet e Kosovës tani kanë bërë të ditur se brenda këtij viti do të shpallet kompania fituese për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës.

Prapa emrave zyrtarë që kanë aplikuar për para-kualifikim për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës, ata kanë thënë se qëndrojnë kompani të forta ndërkombëtare të sektorit të telekomunikacionit.

Pavarësisht këtyre deklaratave të autoriteteve të Kosovës, ekspertët e çështjeve ekonomike vlerësojnë se investitorët që po i blejnë këto asete, nuk janë investitorë shumë seriozë. Sipas tyre, ata investitorë nuk kanë plane afatgjata, por kanë plane shumë afatshkurta.

Në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vlera e Postë-Telekomit të Kosovës, ka shënuar rënie për shkak të disa veprimeve të paligjshme të institucioneve të Kosovës.
Sipas disa indikacioneve, ka pasur dilema se disa investitorë shumë të mirë dhe të dobishëm për Kosovën janë tërhequr për arsye të disa veprimeve të paligjshme...

“Sipas disa indikacioneve, ka pasur dilema se disa investitorë shumë të mirë dhe të dobishëm për Kosovën janë tërhequr për arsye të disa veprimeve të paligjshme, ka indikacione që ka pasur edhe kërkesa të paligjshme ndaj investitorëve potencialë dhe ata janë tërhequr”, thekson Shatri.

Në buxhetin e vitit 2011 ishte përfshirë privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në këtë buxhet, vlera e PTK-së ishte parashikuar të jetë 300 milionë euro.

Sipas Shatrit, përveç tjerash, edhe ky parashikim i Qeverisë kishte ndikuar në çmimin e shitjes së PTK-së.

“Nuk janë bërë disa veprime paraprake të mira, sepse paracaktimi me ligj në buxhet për vlerën e postës që të shitet 300 milionë, në një farë forme i ka orientuar blerësit potencialë që të mos japin më shumë, të mos ofertojnë më shumë. Dhe, unë mendoj se ajo ka qenë një vlerë shumë e ulët”, konsideron Shatri.

Sa u përket investitorëve për blerjen e këtyre ndërmarrjeve publike, Abdixhiku thotë Kosova nuk ka arriti asnjëherë në këto 13 vitet e fundit të ketë të paktën një investitor të vetëm që njihet në Evropë.
Pra, ne po i falim asetet tona, meqenëse e kemi degraduar në vazhdimisht vlerën e tyre.

“Kujto rastin e shitjes së distribucionit të KEK-ut, i cili është një rast me të vërtet flagrant për çfarëdo vendi me pak dinjitet dhe pak rregull gjyqësor. Një aset, i cili në katër vjetët e fundit ka pranuar rreth 180 milionë euro investime, të shitet për 26 milionë euro është një rast pa precedent. Ky nuk është privatizim, thënë të drejtën, kjo është falje e aseteve, është ndoshta më mirë ta quajmë falje e aseteve sesa privatizim. Pra, ne po i falim asetet tona, meqenëse e kemi degraduar në vazhdimësi vlerën e tyre”, thekson Abdixhiku.

Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) është bërë në qershor të këtij viti. Komiteti Qeveritar i Privatizimit (KQP) ka shpallur konsorciumin “Limak & Çalik” ofertuesin e preferuar. “Limak&Çalik” ka ofruar ofertën prej 26.3 milionë eurosh.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG