Ndërlidhjet

logo-print
Punëtorët e Postë-Telekomit të Kosovës dhe të distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës, protestuan të premten në vendet e tyre të punës, për të kundërshtuar privatizimin e këtyre ndërmarrjeve.

Punëtorët thonë se përmes kësaj proteste kanë kërkuar nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që çështjen e privatizimit të PTK-së dhe distribucionit të KEK-ut, ka kthejnë edhe një herë në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim.

Ata thonë se nga ky privatizim po dëmtohen punëtorët.

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të PTK-së Milazim Alshiqi, thotë se procesi i privatizimit i PTK-së duhet të rishqyrtohet dhe një herë, dhe për këtë çështje të diskutohet në Parlamentin e Kosovës.

“Kërkojmë që të kthehet procesi i privatizimit në Kuvend, le të vendosë Kuvendi dhe të jetë një ligj i veçantë për privatizimin e PTK-së dhe të ndërmarrjeve publike”, thekson Alshiqi.

PTK

PTK

Qeveria e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje pesë kompanive të para të kualifikuara, që të marrin pjesë në garë për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se brenda këtij viti do të shpallet kompania fituese për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës.

Privatizimin e distribucionit të KEK-ut e kanë kundërshtuar edhe punëtorët e kësaj ndërmarrje.

Fehmi Pajaziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Elektro-Kosovës, thotë se kundërshtojnë formën aktuale të privatizimit të distribucionit.

“Kjo është vetëm një nismë që t’u tregohet pushtetarëve, qeveritarëve e vendimmarrësve, se pa mbulesë, është frika se do të ndodhë me punëtorët e ndërmarrjeve publike njëjtë siç kanë ndodhur me punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore deri tani në Kosovë”, thotë Pajaziti.

Privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) është bërë në qershor të këtij viti. Komiteti Qeveritar i Privatizimit (KQP) ka shpallur konsorciumin “Limak & Çalik” ofertuesin e preferuar. “Limak&Çalik” ka ofruar ofertën prej 26.3 milionë eurosh.

Protesta e së premtes është në kuadër të aksionit të BSPK-së, të mbështetur nga dhjetëra organizata joqeveritare. Pesëdhjetë mijë nënshkrime të qytetarëve janë mbledhur që nga 6 shtatori, kur BSPK-ja ka filluar peticionin kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Ky peticion do të përfundojë të dielën. BSPK-ja paralajmëron se më pas do t’i drejtohen Kuvendit të Kosovës me një kërkesë, e cila kundërshton mënyrën se si po bëhet privatizimi i ndërmarrjeve publike, PTK-së, KEK-ut dhe Trepçës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG