Ndërlidhjet

Tiranë: Thirrje për proces të mirëfilltë zgjedhor


Shqipëri (Fotografi nga arkivi)
Shqipëri (Fotografi nga arkivi)

Tirana zyrtare është përfshirë nga një agjendë e ngjeshur takimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve ndërkombëtare.

Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, mbajti një konferencë me gazetarë, pasi takimit me udhëheqësit politikë.

Dukshëm vëmendja është përqendruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila ka mbetur vetëm me 5 anëtarë nga 7 gjithsej, pas dorëheqjes së zëvendëskryetarit dhe një prej anëtarëve, të dy të propozuar nga Partia Socialiste.

Diplomati amerikan tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një KQZ të plotësuar dhe funksionale. Jonathan Moore theksoi se liderët politikë i kanë premtuar në takime se do t’i pranojnë paqësisht zgjedhjet.

Nga ana tjetër, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, bëri thirrje për zëvendësim të vendeve të mbetura zbrazët në KQZ.

“Është shumë e rëndësishme të kujtojmë edhe një herë rekomandimet e ODIHR-it, që u ka bërë thirrje partive politike të kenë parasysh përgjegjësitë e tyre për përgatitjen e të gjithë procesit zgjedhor. E, këtu përfshihet sigurisht dhe pjesëmarrja në Komisionin Qendror te Zgjedhjeve”, deklaroi Wolfarth.

Ambasadori Wolfarth tha, gjithashtu, se KQZ-ja, edhe në këtë fazë mund të operojë por do të ishte më mirë që të zëvendësoheshin ata që tashmë janë dorëhequr, me të tjerë nga partitë politike që kanë të drejtë t’i propozojnë.

Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse duhet apo jo që opozita të zëvendësojë vendet vakante, por u fokusua te mesazhet e baroneshës Catherine Ashton.

“Për Bashkimi Evropian, është thelbësore që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare. Mesazhi tjetër që dha baronesha Ashton, është rëndësia e garantimit të pavarësisë së institucioneve dhe ndërtimi i besimit te zgjedhësit”, theksoi Sequi.
XS
SM
MD
LG