Ndërlidhjet

Një grua rreth të njëzetave, nga një qytet i vogël i Kosovës, ka pësuar dhunë familjare nga bashkëshorti. Për arsye sigurie dhe privatësie, në këtë raport, i drejtohemi me emrin Linda.

Emri i saj i vërtetë është i njohur për redaksinë. Ajo ka kohë që është strehuar në Qendrën për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës, pasi është përndjekur nga shtëpia e bashkëshortit të saj.

Me zë të ngjirur dhe sy të përlotur vazhdimisht, Linda fillimisht tregon se si është rrahur nga bashkëshorti i saj...

“Më ka goditur me duar e me grushte. E kohët e fundit më ka thënë se do të më mbysë krejt; deshi ta marrë thikën... ka tentuar të më godasë edhe me thikë. Vjehrri e ka thirrur policinë në atë rast, policia ka ardhur dhe ka ndërhyrë”, tregon Linda.

Martesa e saj me bashkëshortin ishte me vetëdëshirë dhe problemet me të kishin nisur vetëm pas pak kohe, fillimisht me grindje.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur ai ka përdorur dhunë ndaj jush, a ka qenë prezent edhe dikush tjetër në familje?

LINDA
“Po, ka qenë vjehrra. Vjehrri e ka thirrur tre apo katër herë policinë; policia ka ardhur, i kanë marrë një deklaratë edhe asgjë tjetër”.

Linda ka disa muaj që është shtatzënë dhe thotë se për të përpara tani janë dy zgjidhje.

“Tash i kam vetëm dy zgjidhje: ose ta marr beben unë ta rris, ose t'ia lë atij, kurse unë të kthehem te familja ime. Tash jam duke menduar cilën, derisa të më bëhet një zgjidhje. Babai im po thotë kur ta lindi fëmijën, duhet t'ia lë atij dhe të shkoj të jetoj te shtëpia e babait. Por, tash jam lidhur shumë me beben dhe s’di kah t’ia mbaj”, thotë Linda.

Ajo vazhdon të jetojë në QMGF dhe thotë se është qetësuar paksa nga ato ditë që ajo i përshkruan si shumë të mundimshme.

Bisedën e përfundon duke u bërë thirrje të gjitha femrave që mos ta durojnë dhunën.

“Unë, në përgjithësi, u bëj apel të gjitha grave që të mos e durojnë dhunën, por ta raportojnë atë”, bën thirrje në fund Linda.

Sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e grave, por edhe sipas autoriteteve të rendit në Kosovë, numri i viktimave të dhunës ndaj grave, konsiderohet të jetë shumë i madh.

Kohët e fundit institucionet kanë angazhuar edhe udhëheqësit fetarë që të shfrytëzojnë ndikimin që kanë për të bërë thirrje kundër dhunës ndaj gruas.

Lexoni edhe këto:
Shqipëri: Makthi i gruas si viktimë dhune
Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG