Ndërlidhjet

Tahiri: Serbia po e prolongon zbatimin


Edita Tahiri
Edita Tahiri
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka drejtuar delegacionin e fundit në Bruksel, ku është diskutuar për çështjet teknike të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha për Radion e Evropa e Lirë, se edhe pse nuk kishte një marrëveshje konkrete, qëndrimet e të dyja palëve janë përafruar dukshëm për planin e zbatimit të marrëveshjes.

“Ka pasur përparime të mëtejme në drejtim të zhbërjes së strukturave paralele në fushën e sigurisë dhe atë të drejtësisë. Në fakt, janë caktuar edhe afatet kur përfundimisht shuhen këto struktura. Në fushën e drejtësisë më një shtator jemi pajtuar se do të shuhen të gjitha gjykatat paralele serbe që kanë vepruar ilegalisht në pjesën veriore. Ndërsa, deri më 30 shtator do të ndodh shuarja e strukturave të sigurisë, policia paralele e të tjera struktura që kanë vepruar ilegalisht", tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë tri ditëve sa kanë vazhduar bisedimet teknike në Bruksel, Tahiri tha se është diskutuar për integrimin e individëve në institucionet e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Për themelimin e Asociacionit, zëvendëskryeministrja Tahiri bëri të ditur se fillimisht do të formohet një grup menaxhues, i cili do të nis punën në drejtim të përgatitjeve për procesin.

“Në këtë drejtim, në këtë fazë jemi angazhuar dhe kemi përparuar për krijimin e një grupi menaxhues, i cili do të angazhohet për përgatitjen e procesit, në mënyrë që pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në vendin tonë dhe pas certifikimit të rezultateve, atëherë do të krijohen kushtet për Asociacionin”, bëri të ditur Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se, pavarësisht angazhimeve nga të dyja delegacionet, pala serbe vazhdon të hezitojë dhe të kundërshtojë në disa çështje.

“Natyrisht, ka edhe kundërshtime, apo përpjekje të palës serbe që marrëveshjen ta interpretojë me mentalitetin e vjetër që e ka pasur - po të tilla tendenca nuk kanë sukses vetëm kohë pas kohe e prolongojnë procesin".

"Për shembull, mund t’ju them konkretisht, kur kemi folur për procedurat e rekrutimit për integrim, pra ata kundërshtojnë dhe kërkojnë që individët të integrohen pa procedura dhe ne këtë e kemi kundërshtuar. E dyta, ka pasur kundërshtime në temën e zhbërjes së mbrojtjes civile, e cila vepron ilegalisht në pjesën veriore”,
shpjegoi Tahiri, duke theksuar se këto pengesa janë vetëm kohore.

Sipas Tahirit, deri kah fundi i këtij muaji palët pritet të merren vesh për planin e zbatimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, në ditën e dytë të javës së ardhshme në Bruksel, pritet po ashtu që serish të vazhdojnë bisedimet për të shkuar përpara në drejtim të arritjes së marrëveshjes.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur më 19 prill.

Ajo, bashkë me planin e zbatimit, do të dalin për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG