Ndërlidhjet

Përparësitë dhe dobësitë e qeverisë së re shqiptare


Flamuri shqiptar
Flamuri shqiptar
Analistët në Shqipëri komentojnë pikat e forta dhe të dobëta të qeverisë së re, e cila do të drejtohet nga Edi Rama. Dukshëm qeverisja do të jetë komode nga pikëpamja e mandateve në Kuvend, fakt që analisti Armand Shkullaku e rendit si një pikë të fortë.

“Pika më e fortë që ka kjo qeveri është mazhoranca tepër e madhe. Pra, ka një shumicë prej 83 votash, me të cilën, si të thuash, i ka duart e lira për të kryer reformat apo premtimet elektorale, që ajo ka paraqitur para votuesve shqiptarë”, thotë Shkullaku.

Iris Luarasi fokusohet te prurjet dhe elementet origjinale për të sjellë një program fitues më 23 qershor:

“Bëhet fjalë për një energji të re të pashpenzuar gjatë 8 viteve në opozitë. Bëhet fjalë për një sërë tryezash të rrumbullakëta të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, ku është thirrur një grup i rëndësishëm specialistësh dhe është marrë mendimi i njerëzve që kanë një zë në fusha të ndryshme, për të cilat janë realizuar tryezat e organizuara nga Partia Socialiste. Po prapë një gjë pozitive shohim edhe përfshirjen e shumë njerëzve të rinj në pozicionet e ministrave”.

Por, jo të gjithë e kanë përqafuar optikën e kryeministrit të ardhshëm për të formuar kabinetin e ri, çka për Luarasin mund të jetë arsye për konflikte të brendshme.

“Pikë të dobët unë shoh edhe vetë opozitën që do të krijohet brenda Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që mund të ndihet e anashkaluar nga vendimmarrja, në të cilën janë zgjedhur ministrat e rinj, kabinetet e tyre, drejtorët e drejtorive në pozicione të caktuara, që do të jetë ndoshta një nga handikap nëse nuk do të merren masa nga lidershipi i Partisë Socialiste për ta kaluar këtë si proces”, vlerëson Luarasi.

Për të mirëqeverisur, analistët jo drejtpërdrejtë i sugjerojnë qeverisë së re të Shqipërisë të mos gjejë justifikime bazuar te realiteti që po trashëgon mazhoranca në largim.

Armand Shkullaku thotë për Radion Evropa e Lirë se situata ekonomike nuk mund të përdoret si alibi për mospërmbushjen e detyrimeve programore.

“Zoti Rama të paktën gjatë 4 vjetëve të fundit ka akuzuar vazhdimisht me shifra me fakte, me të dhëna, realitetin ekonomik që paraqiste mazhoranca e djeshme. Kështu që e ka të qartë gjendjen reale, në të cilën ndodhet vendi. Kjo nuk përbën justifikim për mosplotësimin e programit të Partisë Socialiste që të qeverisë vendin”.

“Sigurisht, Shqipëria ka pasur një ngecje, nuk ka pasur një rritje ekonomike domethënëse, ka pasur rënie, madje. Por, sigurisht, është një nga vendet e rajonit që ka shpëtuar deri tani nga kriza ekonomike dhe tashmë ajo që do të menaxhohet nga sot e tutje, i mbetet mazhorancës së re”,
konsideron Shkullaku.

Nën shënjestër, siç thotë Luarasi, do të jetë sjellja e qeverisë së re në raport me korrupsionin. Çdo hap i munguar në këtë drejtim, sipas saj, do ta penalizonte mazhorancën e re.

“Dhe, nëse ne nuk do të shohim njerëz që do të shkojnë prapa hekurave, dhe do të dënohen për aktet korruptive që ata kanë kryer deri më sot, sigurisht që pastaj do të lërë shumë për të dëshiruar dhe do t’i ulë shumë pikë mazhorancës së re”, thekson Luarasi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, qytetarët e anketuar presin, as më shumë, as më pak se sa mbajtja e premtimeve të bëra në zgjedhje:

“Të gjitha gjërat, sidomos për të rinjtë dhe të reja, se është bërë shumë keq, punësimi, të gjitha”.

“Punësim, rend, ato që duan të gjithë njerëzit”, shprehet qytetari i dytë.

“Thjesht, të mbajë premtimet dhe kaq. Punësim”.

“Presim ndryshime ndaj dhe shumica votoi për ta. Besoj se do të mendojnë për këtë popull tani. Në radhë të parë duhet luftuar korrupsioni. Mbi gjithçka duhet të ketë qetësi. Rendi duhet të vendoset”.

“Vetëm atë që kanë premtuar. Jo vetëm kjo qeveri, por të gjitha që do të vijnë e do të ikin, gjithë ato që kanë premtuar kaq”.

“Nga qeveria e re presim ndryshime të mëdha në lidhje me zgjidhjen e halleve dhe problemeve të rinisë, të pensionistëve, invalidëve.

“Mbi të gjitha rendi”.


E vetëdijshme për fuqinë e shtuar që i dhanë votat në 23 qershor, mazhoranca e re u ka paraprirë dyshimeve publike e mediatike, duke deklaruar se nuk do të keqpërdorë votat në Kuvend.

Por, rezultati i zgjedhjeve prodhoi gjithaq dhe një LSI më të fortë, e për rrjedhojë dyshimet se kjo forcë politike mund të jetë sa fuqia, po aq dhe dobësia e Qeverisë Rama. Ndonëse shpreson që qeverisja të funksionojë, analistja Luarasi nuk e shmang skepticizmin se marrëdhënia mes dy liderëve s’do të jetë dhe aq e lehtë.

“Sigurisht, me kalimin e kohës do të kemi edhe ngjarje, edhe në këtë pikëpamje. Në fakt, zoti Meta ka treguar se arriti të bëjë një bashkëqeverisje shumë të mirë me zotin Berisha që ishte kundërshtari më i madh i tij politik. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj që nëse ai do të jetë i interesuar për të vazhduar këtë lloj qeverisjeje, aq më shumë me numrat e katërfishuar të deputetëve që ai ka sot në Parlament, atëherë do të ketë një dëshirë të mirë për ta vazhduar këtë bashkëpunim”.

“Nga ana tjetër, ne e dimë që të dy liderët, qoftë zoti Rama, qoftë zoti Meta në një moment të caktuar kthehen në njerëz të paparashikueshëm. Kështu që e vetmja shpresë është që të mos ndodhin gjëra të paparashikueshme gjatë këtyre katër vjtëve në vazhdim, të paktën”,
shprehet Luarasi.

Ndërkaq, Shkullaku kujton se Ilir Meta e Edi Rama kanë ditur të bashkëpunojnë, çfarë ka shumë arsye të ndodhë edhe tani.

“Është e vërtetë se për sa kohë është edhe pikë e fortë si të thuash kjo mazhorancë e konsoliduar, por nga ana tjetër edhe qeverisja me dy koka, ose me dy pole, përbën një vështirësi. Por, mendoj që Meta dhe Rama kanë kaluar periudha bashkëqeverisjeje me njëri-tjetrin, e kanë një eksperiencë nga e kaluara, kur zoti Meta ka qenë kryeministër dhe zoti Rama kryetar i Bashkisë. Kështu që, mendoj që e njohin aq mirë njëri-tjetrin, sa gjërat që i ndajnë t’i evitojnë dhe të mbështeten te gjërat që i bashkojnë”, potencon Shkullaku.

Qeveria e re pritet të nisë punën javën që vjen. Një lexim më i qartë i pikave të forta apo të dobëta të Kabinetit Rama, ndoshta do të bëhet pas përmbylljes së angazhimeve programore të 300 ditëve të para të qeverisjes.
XS
SM
MD
LG