Ndërlidhjet

Maqedoni: Thirrje Brukselit për të zgjidhur çështjen e emrit


Ilustrim
Ilustrim
Kërkesa për përfshirjen direkte të Bashkimit Evropian në kontestin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së emrit. Mirëpo, së pari duhet të ketë një konsensus brenda subjekteve politike që vendi të paraqitet me një qëndrim të qartë para bashkësisë ndërkombëtare mbi interesat e saj strategjike.

Kështu vlerëson Denko Malevski, profesor universitar dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme duke komentuar thirrjet e zyrtarëve maqedonas për takime të nivelit të lartë ndërmjet Shkupit dhe Athinës dhe përfshirjen direkte të Brukselit në këtë proces.

“Fqinji ynë mund të qëndrojë edhe 100 vjet në këtë gjendje, por ne jemi ata që nuk do të mundemi. Është çështje kohe se deri kur do të mund të qëndrojmë në këtë gjendje, andaj obligimi ynë është që të gjejmë zgjidhje. Neve na duhet një politikë e re e jashtme, e cila do të ishte si rezultat i harmonizimit të qëndrimeve të partive politike mbi këtë çështje".

"Pa një unitet brenda vendit për këtë çështje të ndjeshme, neve nuk do të mund të na ndihmojë askush. Pra, duhet gjejmë një gjuhë të përbashkët se cili është interesi ynë si shtet dhe më pas të kërkojmë mbështetje nga jashtë”,
thotë Malevski.

Kërkesa e fundit drejtuar BE-së, për inkuadrim direkt në çështjen e emrit, erdhi nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimet që po realizon në Bruksel, Paris dhe Hagë, në kuadër të ofensivës së tij diplomatike për zhbllokimin e procesit integrues të Maqedonisë dhe marrjes së datës për fillimin e bisedimeve me BE-në për anëtarësim.

“Përcaktimi i këtillë strategjik do të arrihej vetëm nëpërmjet kompromisit me fqinjin jugor, Greqinë dhe zgjidhjen e çështjes së hapur të emrit. Ahmeti kërkon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Brukselit në procesin e zgjidhjes së kontestit, ashtu siç u angazhua në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por edhe në arritjen e marrëveshjes së 1 marsit, ndërmjet pozitës dhe opozitës në Maqedoni”, thuhet në një komunikatë të BDI-së.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Mersel Bilalli, thotë se inkuadrimi eventual i Bashkimit Evropian në këtë kontest, do të ishte pozitiv.

“Roli i Bashkimit Evropian mund të jetë ndihmues dhe politik, kështu që ai mund të jetë pozitiv. Mendoj se edhe imponimi i baroneshës Ashton mund të jetë në drejtim që t’i jepet një energji apo fuqi më e madhe bisedimeve. Pra, më shumë si faktor ndihmës dhe lehtësues në komunikimin mes dy shteteve“, thekson Bilalli.

Veç kësaj, Bilalli thotë se palët nuk janë shumë larg në qëndrime, siç prezantohet në opinion, pasi si njëra, ashtu edhe pala tjetër, në vazhdimësi theksojnë gatishmërinë e tyre për gjetjen e zgjidhjes.

“Së pari pala maqedonase për herë të parë shprehet e gatshme ta zgjidhë problemin dhe në vazhdimësi i servon opinionit informata se ajo është e gatshme, por Greqia është ajo që e pengon procesin. Ngjashëm veprohet edhe në Greqi, pra, të dyja palët, sikur luftojnë të përvetësojnë opinionin që të mos humbin shumë nga zgjidhja e mundshme. Kështu që pozicionet nuk i shoh shumë të larguara dhe të bllokuara, përkundrazi ato janë të përafërta“, konsideron Bilalli.

Por, kryeministri Nikolla Gruevski në një takim që ka zhvilluar mbrëmë me elektoratin në Gostivar, ka përsëritur qëndrimin se për çështjen e emrit megjithatë fjalën e fundit do ta thonë qytetarët.

Sipas Gruevskit, ka kohë që qeveria ka përmbushur kriteret për anëtarësim në NATO dhe BE, por anëtarësimi pengohet, siç u shpreh ai, nga ana e Greqisë, e cila kërkon ndryshimin e emrit.

Gruevski tha se nuk ka mandat që të bëjë një gjë të tillë, andaj fjalën përfundimtare për këtë, do ta thonë qytetarët në referendum.
XS
SM
MD
LG