Ndërlidhjet

Materiali zgjedhor nga qendra e sulmuar në veri është komprometuar


Pamje nga veriu...
Pamje nga veriu...
Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (të publikuara online) kanë nxjerr si përfundim vazhdimin e garës për kryetar në komunat si Prishtina, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjilani, Malisheva, Suhareka, Rahoveci e komuna tjera.

Kryetarja KQZ-së Valdete Daka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ditën e djeshme të zgjedhjeve ka vlerësuar si të suksesshme në gjithë vendin.

“Mendoj se këto zgjedhje meritojnë një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv. Qytetarët kanë kryer obligimin e vetë. Ka pasur një dalje më të madhe se sa është pritur, mund të themi gati rekorde, sepse kanë dal diku 820 mijë qytetar të Kosovës pa i numëruar ata të cilët kanë votuar edhe jashtë Kosovës”, tha Daka.

Daka duke komentuar incidentet në veri të Mitrovicës tha se qëllimi i atyre grupeve të caktuara serbe ka qenë që i gjithë procesi të dëmtohet, gjë që sipas Dakës ai qellim nuk është arritur.

“Nuk është arritur ai qëllim. Qëllimi ka qenë që procesi i zgjedhjeve në veri të shkatërrohet dhe të anulohet në tërësi”, deklaroi Daka.

Ajo tha se votat dhe i gjithë materiali zgjedhor është në Prishtinë dhe se shumë shpejtë do të dilet edhe me rezultate për atë pjesë të Kosovës, veç asaj qendrës se vendvotimit ku ka pasur incident.

“Nga ajo që është parë në media, unë nuk besoj se ka shpëtuar ai material zgjedhor. Do të thotë është kompromentuar, por megjithatë ne i marrim zyrtarisht sepse i tërë materiali është këtu në Prishtinë, për të gjitha komunat veriore është në depon e QNR-së dhe ne në momentin që fillon numërimi do të dimë se çka ka ndodhur me të vërtetë me atë material”, tha Daka.

Daka nuk ka dashur të flasë shumë për punën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) që ka pasur në rolin lehtësues të mbajtjes së zgjedhjeve në veri.

“Mendoj se e ka kryer rolin, por megjithatë jo deri në fund ashtu siç është pritur. Vlerësimin do ta japim vetëm pasi që t'i kemi të gjitha informatat zyrtare, sepse tash jemi në një huti dhe ende nuk i kemi të gjitha ato çka na nevojiten”, u shpreh Daka.

Në bazë të incidenteve të cilat janë shënuar në veri të Kovës, koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim ka kërkuar nga KQZ-ja dhe OSBE-ja që sa më shpejtë të bëjnë transparente rrjedhën e ngjarjeve në komunat veriore, ku votimi është përfunduar para kohe.

“Ka një paqartësi se çfarë ka ndodhur me kutitë e votimit dhe a kanë qenë nën mbikëqyrjen e administrueseve të zgjedhjeve”, është thënë në një komunikate të koalicionit DnV.

Deri më tash KQZ-ja ka procesuar 90% të votave dhe gjatë ditës pritet të dilet me rezultatet parapraket të zgjedhjeve.

Megjithatë, shumica e komunave më të mëdha të Kosovës pritet t'i nënshtrohen garës së balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e rinj.

Në Prishtinë, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet kandidatit të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.

Në Gjakovë, Mimoza Kusari – Lila e Aleancës Kosova e Re do të jetë në balotazh me Pal Lekajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Një garë interesante pritet edhe në Prizren, ndërmjet kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.

Në Pejë, ndërkaq, sipas rezultateve preliminare, balotazhi pritet të zhvillohet ndërmjet Gazmend Muhaxherit të LDK-së dhe Ali Berishës së AAK-së.

Balotazhit, pritet t’i nënshtrohen edhe kandidatët për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri i LDK-së dhe Qemajl Mustafa i PDK-së.

Edhe për Mitrovicën e Jugut, pritet të ketë balotazh ndërmjet kandidatit të PDK-së, Avni Kastrati dhe atij të AKR-së, Agim Bahtiri.

As komuna e Ferizajt nuk ka zgjedhur në raundin e parë kryetarin. Për të parin e Ferizajt, votuesit e kësaj komune do të kenë mundësinë të votojnë për kandidatin e PDK-së, Agim Aliu dhe atë të LDK-së, Muharrem Svarça.

Po ashtu, balotazh, pritet të ketë edhe në Malishevë, ku ndërmjet kandidatit, Ragip Begaj nga Iniciativa Qytetare për Malishevën dhe Sali Morina nga LDK-ja.

Edhe Rahoveci, pritet të shkojë në balotazh me kandidatët, Idriz Vehapi i PDK-së dhe Smajl Latifi i AAK-së.

Garës së balotazhit pritet t’i nënshtrohen edhe komuna tjera.

Një risi në këto zgjedhje paraqet edhe Lista Serbe, subjekt ky i sponsorizuar nga Beogradi zyrtar, e cila ka siguruar balotazh në komunat me shumicë serbe të cilat në mandatin e kaluar janë udhëhequr nga subjekte politike lokale ndaj shtetit të Kosovës.

Gara e balotazhit për kryetarët e komunave pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.

Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e sivjetme lokale morën pjesë 814.780 votues nga rreth 1.8 milion sa ishin të regjistruar, ose 45.79 për qind. Ky numër i votuesve, sipas KQZ-së, është rritur për rreth 100 mijë.

Ndryshe, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë ditës se djeshme janë deponuar 30 ankesa që kanë pasur të bëjnë votimet.

Kryeshefi i Sekretariatit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sot kanë pranuar 6 ankesa.
XS
SM
MD
LG