Ndërlidhjet

Rexhepi: Në veri, forcat e rendit kryen detyrën e tyre


Zveçan

Zveçan

Policia e Kosovës nuk ka dështuar gjatë sulmit në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut gjatë ditës së zgjedhjeve lokale më 3 nëntor dhe kjo forcë nuk duhet fajësuar se nuk mbrojti votën e qytetarëve.

Tre ditë pas zgjedhjeve, ministri i brendshëm në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, ka mbrojtur forcat e rendit në veri të Kosovës, duke thënë se ato kryen detyrën profesionalisht, përveç atij incidenti, të cilin ai e cilëson si të izoluar.

“Dhe ne të gjithë e dimë, kush e din realitetin në veri, që relativisht mirë e kanë kryer detyrën e tyre policia. Kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in. Është respektuar zinxhiri komandues, në një ambient të tillë ku së pari herë janë mbajtur zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, dhe duke e ditur se policia e Kosovës në veri gjithnjë ka qenë pak më e brishtë. Këtë herë ata kryesisht e kanë kryer detyrën si duhet”, ka thënë zoti Rexhepi.

Këtë prononcim ai e ka dhënë pas takimit që zhvilloi sot në Prishtinë me Jean-Luc Vez, drejtor gjeneral i Zyrës Federale të Policisë së Zvicrës.

Katër komunat veriore, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani e Mitrovica e Veriut, kanë marrë pjesë për herë të parë në zgjedhje që organizohen prej institucioneve të Kosovës.

Një pjesë e banorëve të atjeshëm serbë kanë bërë fushatë me muaj për bojkot të procesit zgjedhor, i cili sipas tyre, largon veriun nga Serbia, dhe e bënë atë pjesë të Kosovës së pavarur.

Dita e zgjedhjeve në katër komunat veriore u mbyll para kohës zyrtare, për shkak të sulmit ndaj tri qendrave të votimit në Mitrovicën e Veriut.

Njerëz të maskuar hynë në sallat e votimit tek shkolla fillore Shën Sava, Shkolla e Mesme Teknike dhe Shkolla e Mesme e Mjekësisë, ku thyen kutitë e votimit.

Personeli i Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që lehtësonte procesin zgjedhor, u evakuua pas këtyre sulmeve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka dhënë kritika për mënyrën se si forcat e rendit i janë përgjigjur këtij sulmi, duke thënë se “është e pakuptimtë mënyra se si tre3 njerëz të maskuar i qesin jashtë lojës edhe institucionet vendore edhe institucionet ndërkombëtare”.

Institucionet e thirrura për të ruajtur rendin në atë pjesë të vendit, i ka kritikuar edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Të martën, vëzhguesit e ENEMO-s [Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve], thanë se procesi pësoi çarje të sigurisë, dhe se policia dështoi t’i mbrojë ata dhe procesin zgjedhor.

Sot ndërkaq ministri Bajram Rexhepi thotë se policia nuk ka asnjë denoncim të raportuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ndërsa i doli në mbrojtje planit operacional policor si përgjigje ndaj sulmeve.

“Ne duhet të mendojmë edhe politikisht. Cili kishte me qenë imazhi i Kosovës, sikur edhe policia, edhe KFOR-i edhe EULEX-i, të shkojnë dhe të sigurojnë me autoblinda apo me diçka tjetër vendvotimet? Çfarë pasqyre, çfarë imazhi do të kishte me qenë kjo? Prandaj, ne duhet t'i kalkulojmë këto, dhe ky për ne është një incident minor, dhe në përgjithësi policia e ka kryer detyrën në mënyrë të shkëlqyeshme”, tha ministri i brendshëm.

Procesi zgjedhor i 3 nëntorit në Kosovë ka marrë notë pozitive nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian, të cilët i vlerësuan sulmet në veri si tentativë të dështuar për të sabotuar procesin.

Ministri i Punëve të Brendshme po ashtu bëri të ditur se policia e Kosovës do të jetë më e përgatitur për zgjedhjet e reja në Mitrovicën e Veriut. Në tri qendrat e sulmuara të votimit, KQZ i ka shpallë zgjedhjet e pavlefshme dhe ka urdhëruar rivotim.

"Sipas informatave të fundit në këto tri qendra zgjedhore do të organizohet sërish zgjedhjet, dhe sigurisht që do të ndërmerren masa edhe më të mira, nëse duhet të nxjerret mësim që në mënyrë preventive, proaktive të jenë edhe më aktiv”, paralajmëroi ai, dhe shtoi se as në raundin e ri zgjedhor nuk do të dërgohen autoblindat.

Dita e zgjedhjeve në veri sipas vëzhguesve të huaj ka qenë e tensionuar tërë kohën, dhe mediet kishin raportuar dhjetëra raste ku shiheshin grupe njerëzish që kërcënonin votuesit serbë për të marr pjesë në zgjedhje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG