Ndërlidhjet

Yanukovich ende e dëshiron marrëveshjen me BE-në


Presidenti Viktor Yanukovych, Vilnius.
Presidenti Viktor Yanukovych, Vilnius.
Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, thotë se vendi i tij ende e dëshiron nënshkrimin e marrëveshjes historike me Bashkimin Evropian, “në një të ardhme të afërt”, me gjithë dështimin që kjo të bëhet në samitin e Partneritetit Lindor të BE-së në Vilnius të Lituanisë.

“E konfirmoj synimin e Ukrainës për nënshkrimin e Marrëveshjes së asociimit në të ardhmen e afërt”, i transmetoi fjalët e tij para gazetarëve në Vilnius, Presidenca e Ukrainës.

Deklarata e tij u bë në përfundim të samitit, me ç’rast BE-ja përsëri e ka shprehur përkushtimin e vet për forcimin e lidhjeve me Ukrainën.

Në deklaratën e samitit thuhet se pjesëmarrësit në samitin e Vilniusit, “e kanë parasysh mbështetjen e paprecedente publike për asociimin politik të Ukrainës dhe integrimin ekonomik të këtij vendi në BE.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se populli i Ukrainës ndihet evropian.

“Ne e dimë se sa shumë ndihet evropian populli i Ukrainës, sa shumë ata kujdesen për Evropën, sa shumë ata aspirojnë të njihen si pjesëtarë të komunitetit demokratik të kombeve në Evropë. Kuptohet, ne tash do t’i vazhdojmë diskutimet tona me partnerët ukrainas, duke e ditur mirë se ne gjithnjë do t’i respektojmë vendimet sovrane të Ukrainës”, tha Jose Manuel Barroso.

Bashkimi Evropian e akuzoi Rusinë për presion politik dhe ekonomik ndaj Ukrainës, me qëllim që ta bindë Kievin, për ta refuzuar afrimin me Brukselin, në mënyrë që t’i bashkohet një marrëveshjeje tregtare, që udhëhiqet nga Rusia. Ndërkaq, Moska i hodhi poshtë këto akuza.

Barroso tha se procesi i asociimit nuk është i drejtuar kundër askujt.

“Më lejoni të jem i qartë: ky është proces për diçka, ky nuk është proces kundër askujt. Ky është proces për demokraci, për stabilitet, për prosperitet. Ai nuk është kundër dikujt, pasi nuk besoj se dikush duhet të jetë kundër demokracisë, kundër stabilitetit ose kundër prosperitetit”, theksoi Barroso.

Brukseli tashmë i ka kompletuar nënshkrimet fillestare për asociim dhe tregti të lirë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, gjatë një ceremonie në Vilnius.

Bashkimi Evropian dhe zyrtarët e të dy vendeve thanë se këto nënshkrime fillestare e hapin rrugën që këto dy ish-republika sovjetike t’i nënshkruajnë edhe marrëveshjet përfundimtare për asociim me BE-në, në të ardhmen. Brukseli, po ashtu, është përgjigjur pozitivisht ndaj interesimit të Bjellorusisë për negociata për marrëveshjen për lehtësimin e vizave në të ardhmen.

Në këtë kuadër, presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, tha:

“Ne e mirëpresim shpalljen nga Bjellorusia se është gati për fillimin e negociatave për lehtësimin e marrëveshjes për viza me Bashkimin Evropian, dhe nga një marrëveshje e tillë, do të përfitojnë të gjithë shtetasit e saj”, u shpreh Herman Ran Rompuy.

Raportohet se bisedimet me Bjellorusinë mund të fillojnë qysh në muajin dhjetor.

Ndaras, Bashkimi Evropian dhe Azerbajxhani nënshkruan marrëveshje për lehtësim të vizave, që do ta përshpejtojnë dhe thjeshtësojnë procesin e dhënies së vizave për shtetasit e Azerbajxhanit, për të hyrë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Në samitin e Vilniusit morën pjesë pothuajse të gjithë liderët e 28 vendeve anëtare të BE-së, përfshirë edhe shtetet udhëheqëse, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë.

Në programin Partneriteti Lindor i Bashkimit Evropian, janë të përfshira gjashtë ish-republikat sovjetike, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG