Ndërlidhjet

Maqedoni: Firmat private me borxhe të mëdha


Ilustrim
Ilustrim
Arka e shtetit nuk arrin të mbushet sipas planifikimeve që ka bërë Qeveria e Maqedonisë. E njëjta mbetet e mangët për mbi 560 milionë euro, mjete këto që siç theksojnë ekspertët e ekonomisë, vështirë se mund të mblidhen gjatë këtij muaji, aq sa ka mbetur në përmbylljen e këtij viti.

Ndërsa, afaristët thonë se kjo gjendje e rënduar ekonomike është si rrjedhojë e keqmenaxhimit të mjeteve shtetërore, që kryesisht destinohen në investime jokapitale dhe jo për mëkëmbjen e ekonomisë së vogël dhe asaj të mesme.

Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thotë se një pjesë e madhe e kompanive private janë të detyruara të zvogëlojnë veprimtarinë si pasojë e moslikuiditetit.

“Në fakt, moslikuiditeti i firmave është si rrjedhojë e gjendjes së rënduar ekonomike në vend dhe gjithsesi kjo ka të bëjë dhe mosplotësimin e obligimeve mes partnerëve të ndryshëm ekonomikë dhe ky moslikuiditet ndikon drejtpërdrejt në mosaftësinë e tyre për të shlyer obligimet që kanë ata ndaj shtetit, përkatësisht të shlyejnë tatimin”, thotë Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai thekson se në Maqedoni, ekonomia e vendit përballet me të ashtuquajturin “borxh çdokush ndaj çdokujt”.

Halili thotë se problem i moslikuiditetit gjenezën e ka në mosshlyerjen me kohë të borxhit që ka shteti ndaj kompanive private, ndërkohë që bën presion që kompanitë të shlyejnë borxhin ndaj shtetit në afat rekord të përcaktuar me ligj.

"Ajo që duhet theksuar me këtë rast është fakti se shteti asnjëherë në kohë nuk arin të shlyejë detyrimet që ka ndaj kompanive me kthimin e vlerës së shtuar, kjo prish dhe ekuilibrin e funksionimit të kompanive, planet për zgjerimin e kapitalit etj“, thekson Halili.

Ai me këtë rast thekson se në mungesë të subvencionimit të biznesit borxhi i shtetit ndaj kompanive paraqet goditje të rëndë për funksionimin e bizneseve të vogla dhe atyre të mesme.

Ministri i Financave i Maqedonisë, Zoran Stavrevski, para gazetarëve ka theksuar se “janë publike të dhënat për nivelin e borxhit publik, si dhe borxhet e ndërmarrjeve publike dhe çdo obligim eventual për të cilin garantues është shteti”.

"Niveli i borxhit të Maqedonisë është 34,1 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor dhe kjo e dhënë në bazë të zhvillimeve mujore është publike në faqen e internetit të Ministrisë së Financave. Ndërmarrjet publike, shoqatat aksionare, të cilat gjithashtu kanë ueb-faqe ku qartë janë të shfaqura kërkesat dhe obligimet që kanë ndaj subjekteve të ndryshme juridike”.

“Ato obligime nuk mund të trajtohen si borxh publik, sepse janë obligime potenciale. Për një pjesë të tyre shteti ka dhënë garanci, për pjesën tjetër jo. Nëse kjo garanci bie, vetëm atëherë shndërrohen në borxh",
është shprehur Stavreski, duke theksuar se borxhi publik nuk kërcënon në asnjë mënyrë stabilitetin ekonomik të vendit.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohet ish-zëvendësministri i ekonomisë, Zoran Vitanov, sipas të cilit Maqedonia ka hyrë në atë “fazën e verdhë” që paraqet rrezik për likuiditetin e kompanive private, me këtë dhe funksionimin e mëtejshëm të tyre.

“Në këtë rast më duhet të theksoj se Maqedonia ka hyrë në atë të ashtuquajturën fazë e verdhë ku kompanitë private nuk arrijnë të shlyejnë borxhet që kanë ndaj kompanive të tjera po edhe vetë shtetit, ndërkohë që edhe shteti u ka borxh atyre”.

“Situata është edhe më e rëndë nëse kihet parasysh dhe fakti se pas disa muajve ne do të kemi zgjedhje në vend dhe është më se e qartë se politikat shtetërore nuk do të orientohen në sanimin e këtij problemi, por në projekte populiste, të cilat do të sjellin vota për pushtetin”,
thekson Vitanov.

Ai, gjithashtu, potencon se kompanitë private janë duke e ndjerë mbi kurriz dhe deficitin në buxhet, të cilin pushteti synon ta sanojë përmes dënimeve të mëdha si pasojë e kontrolleve të shpeshtuara të Inspektoratit të Financave.
XS
SM
MD
LG