Ndërlidhjet

Eksportuesit kosovarë prapë probleme me Serbinë


Disa prodhues kosovarë kanë paraqitur ankesa në autoritetet kompetente dhe subjektet ekonomike lidhur më vështirësitë gjatë procesit të eksportit të prodhimeve të tyre në Serbi.

Sipas tyre, problemet paraqiten në pikat kufitare në Merdarë, ku pala serbe po kërkon analiza ekstra (super analiza) të ashtuquajtura nga pala doganore e Serbisë për secilin prodhues kosovar, thotë Agim Shahini, udhëheqës në Aleancën Kosovare të Biznesit.

Ai thotë se kjo është kundër të gjitha marrëveshjeve të arritura për bashkëpunim ekonomik.

Shahini kundërshton këtë praktikë të palës serbe, pasi sipas tij, kjo nuk ndodh gjatë importit të produkteve të Serbisë në Kosovë.

“Transportuesit dhe kostoja e produktit kosovar, i cili do të eksportohej në Serbi do të rritet shumë, duke pasur parasysh se aty është terminali ditor që duhet të paguhet 30 euro, auto dita e transportuesit që është 200 euro, kurse ushqimi dhe të gjitha të tjerat për shoferin bien barrë në kurrizin eksportuesit kosovar. Kjo i bie se brenda 15 ditësh një eksportues kosovar që dërgon mall në Serbi, do të paguajë më shumë se 3,000 euro shpenzime shtesë”, shprehet Shahini.

Një nga kompanitë që është ballafaquar me këtë problem është “Inter-Company", nga Podujeva, që ka të mbjella luledielli mbi 1 mijë e 200 hektarë, ndërkaq prodhimin e kësaj bime e përdor për prodhimin e vajit dhe një pjesë të lëndës se parë e eksporton në Serbi.

Sylejman Konushevci, pronar i kësaj kompanie, thotë se që katër muaj, për çdo maune që eksportohet në Serbi duhet të përfundohen analiza shtesë.

Por, kohëve të fundit, thotë Konueshvci, kamionët më mallra po bllokohen në terminalin doganor deri në kthimin e rezultateve proces ky që zgjat deri në 15 ditë.

“Deri më tani i kemi ballafaquar disi me vështirësi. Por nga data 12 e këtij muaji, mallin nuk e lejojnë të shkojë të klienti, por e lënë në terminal doganor derisa të kthehen rezultatet e analizave. Do të thotë se po na rritet kostoja dhe po na kushton, sepse jo vetëm që bllokon vetëm mallin, por bllokon kamionin, shoferin. Dhe nuk është një ose dy ditë, por janë rreth 15 ditë deri sa po kthehen rezultat e analizave”, shprehet Konushevci.

Ai, thotë se këto probleme i ka paraqitur edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Zyrtarë të kësaj ministrie pranojnë se të enjten kanë pranuar një ankesë nga kompania në fjalë, kurse të premten kanë kontaktuar me pikën kontaktuese të marrëveshjes për Tregti të Lirë më Evropën Juglindore CEFTA.

Zef Dedaj, udhëheqës i Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se janë në pritje të ndonjë përgjigjeje eventuale.

Kam kërkuar që nëse është e mundshme paraprakisht- para se të eksportohet lënda e parë nga Kosova, se pari të dërgohen mostrat tek importuesi i Serbisë dhe të verifikohen ato, më qëllim që maunet nga kompania kosovare kur të shkojnë te kufiri i Serbisë mos të presin për shkak se po rritet kostoja dhe koha”, thotë Dedaj.
XS
SM
MD
LG