Ndërlidhjet

Ambicia e serbëve të Kosovës, zgjedhjet parlamentare


Mitrovicë
Mitrovicë
Fillimi i punës së qeverisjeve lokale dhe themelimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, janë disa nga ambiciet kryesore të komunitetit serb në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre politikë, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.

Petar Miletiq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se përvojat e deritashme kanë treguar se në të shumtën e rasteve, marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, dhe përgjegjësitë që janë marrë aty, deri më tash nuk janë zbatuar në mënyrë korrekte.

Ai thekson se për komunitetin serb është tejet e rëndësishme që gjatë vitit 2014 të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Unë pres që në vitin 2014, para së gjithash, të formohet Bashkësia e komunave serbe, e cila është paraparë me marrëveshjen e Brukselit. Do të thotë, pasi që të formohen komunat në veri dhe të marrin pushtetin ata që kanë fituar në zgjedhjet lokale të vitit 2013, menjëherë pas kësaj, të formohet Bashkësia e komunave serbe dhe ajo të bëhet funksionale”.

Petar Miletiq
Petar Miletiq
“Domethënë, që në afat sa më të shkurtër ta dimë statutin dhe ta dimë në mënyrë të përpiktë se cilat janë kompetencat e Bashkësisë së komunave serbe dhe natyrisht, pak më vonë, të përgatitemi për zgjedhjet parlamentare”, thotë Miletiq.

Ai shton se zgjedhjet parlamentare tashmë nuk janë çështje e vullnetit apo ambicies së dikujt dhe se ai pret që bashkësia serbe do të dalë në ato zgjedhje.

Vladeta Kostiq, drejtues i Iniciativës Qytetare Serbe, e cila në zgjedhjet lokale të Kosovës ka fituar në 9 komuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se pret që viti 2014 do të jetë më i sigurt për serbët në kuptimin juridik dhe të kenë trajtim të barabartë, pavarësisht se ku gjenden ata, në komunat me shumicë serbe apo shumicë shqiptare.

Kostiq thekson se serbët janë për një jetë të përbashkët me shqiptarët dhe kjo duhet të fillojë të ndodhë. Ambiciet politike të komunitetit serb, sipas tij, janë fuqizimi i zërit të tyre në Kosovë, si dhe që ky komunitet të përfitojë nga e gjithë ajo që është e paraparë me ligj dhe Kushtetutë, përfshirë këtu edhe çështjen e punësimit, por edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Qëndrimi im është që të shkojmë në zgjedhje parlamentare, me një korpus të gjerë dhe të fuqishëm.

“Qëndrimi im është që të shkojmë në zgjedhje parlamentare, me një korpus të gjerë dhe të fuqishëm. E them këtë sinqerisht. Do të shohim se çfarë vendimi do të sjellim kur të shpallen zgjedhjet. Mendoj se ka mjaft kohë deri atëherë”.

“Por, ajo që duhet bërë paraprakisht, është që serbët t’i mbajnë vendet e garantuara apo rezervuara, të cilat u takojnë sipas rregullave dhe ligjeve të tanishme, si dhe që bashkëkombësit tanë që janë të zhvendosur, ta ruajnë të drejtën e votës, ashtu siç e kanë sot”, thekson Kostiq.

Oliver Ivanoviq, drejtues i Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia drejtësia”, subjekt ky i cili ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të vendit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se është tejet e rëndësishme që vetëqeverisjet lokale të fillojnë të punojnë në fillim të vitit 2014 dhe ta marrin përgjegjësinë lidhur me përmirësimin e kualitetit të jetesës së njerëzve.

Ai, gjithashtu, pret që në gjysmën e parë të vitit 2014, të fillojë punën bashkësia e komunave me shumicë serbe, e cila, sipas tij, mund të ketë rol domethënës për krijimin e disa kushteve për një jetë më cilësore.

Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq
“Unë mendoj se tashmë është e qartë se koncepti i bashkësisë serbe do të jetë më i ndryshëm nga ai deri më tash. Kjo nënkupton se do të shkohet drejt përfshirjes aktive të serbëve në jetën publike dhe politike në Kosovë".

"Kjo do të jetë krejtësisht e qartë në vitin 2014, kur do të organizohen zgjedhjet parlamentare, në të cilat serbët me siguri se do të marrin pjesë. Unë shpresoj se nuk do të ketë numër të madh listash, por se vetëm në dy apo tri lista, në mënyrë që t’u iket votave të pakta për zgjedhjet parlamentare”,
shprehet Ivanoviq.

Por, krejtësisht ndryshe e sheh situatën në vitin 2014, Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës. Ai shpreh mendimin se gjatë këtij viti serbët do të ballafaqohen me shumë probleme, për faktin se, sipas tij, pjesa më e madhe e serbëve janë të ndarë dhe vetëm një numër i vogël i serbëve ka dalë në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Kjo, sipas tij, do të bëjë që serbët të shkojnë në dy binarë. Njëra palë, thotë Jakshiq, do të orientohet përmes institucioneve të sistemit të Kosovës, gjegjësisht në katër komunat ku serbët kanë dalë në zgjedhje, duke u përpjekur që të formojnë Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Pjesa tjetër apo shumica e serbëve, sipas Jakshiqit, do ta orientojë veprimtarinë politike përmes të ashtuquajturit Kuvend i përkohshëm Autonom i Kosovës.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
“Ajo që ne e dëgjojmë nga ana e Beogradit, i cili po përpiqet që nga Bashkësia e komunave serbe të bëjë një ‘Republikë të re serbe’, mendoj se është një mashtrim dhe lajthitje e madhe. Mendoj se ky projekt, para së gjithash i Beogradit, nuk do të ketë sukses, duke pasur parasysh që zgjedhjet janë bërë sipas ligjeve të shtetit të Kosovës dhe populli ynë e ka zakon të thotë se ‘gjithçka që lind me të meta, koha nuk e përmirëson’”.

“Do të thotë, themelet e kësaj Bashkësie (e komunave me shumicë serbe) janë problematike dhe ajo nuk ka gjasa, as të formohet, e as të ketë ndonjë sukses”,
konsideron Jakshiq.

Ai shpreh mendimin se për shkak të ndarjeve që kanë serbët në veri, e gjithë politika e Beogradit ndaj Kosovës do të jetë në një provim të madh.
XS
SM
MD
LG