Ndërlidhjet

Në disa qytete të Kosovës është vështirësuar furnizimi me ujë të pijshëm.

Reduktimet janë bërë mjaft të ashpra, kanë deklaruar zyrtarë në Ujësjellësin Rajonal Prishtina.

Në disa fshatra përreth Podujevës, që furnizohen nga sistemi i Batllavës, reduktimet e ujit tashmë kanë filluar të jenë që nga ora 7 e mëngjesit e deri në orën 20 në mbrëmje.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal "Prishtina", Arieta Mjeku thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë uji, për shkak të rënies së kapaciteteve të ujit në liqene, dhe gjithashtu edhe keqpërdorimi i ujit nga ana e qytetarëve.

Sipas saj, tashmë niveli i ujit në të dyja liqenet është në rënie e sipër, çdo ditë e më shumë, ku niveli i ujit në liqenin e Batllavës është mbi rreth 12 metra nën nivelin maksimal, derisa në pozitë edhe më të vështirë është liqeni i Badovcit, prej nga furnizohet rreth 40 për qind e qytetit të Prishtinës, dhe është mbi 13 metra nën nivelin maksimal.

"Reduktimet e ujit janë të zakonshmet, që kanë qenë edhe gjatë sezonit të verës, pra lagjet që furnizohen nga sistemi i Batllavës kanë reduktime nga ora 22 deri në 6 të mëngjesit, derisa lagjet e kryeqytetit që furnizohen direkt nga sistemi i Badovcit kanë reduktime nga ora 10 e 30 deri në 16 dhe nga ora 23 deri në 6 të mëngjesit".

"Por që nga dita e djeshme, për shkak të rënies së nivelit të ujit në masë të madhe të liqenit të Batllavës, kemi filluar të aplikojmë reduktime më të ashpra në qytetin e Podujevës, dhe nga dje ato janë nga ora 19 deri në orën 6 të mëngjesit, ndërkaq për fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik, Prishtinë deri në afërsi të Prishtinës do të ketë reduktime gjatë tërë ditës , duke filluar nga ora 7 e mëngjesit deri në 20", shprehet Mjeku për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se po qe se nuk do të ketë reshje atmosferike në ditët në vijim, do të aplikohen reduktime edhe më të ashpra.

"Nëse vazhdohet me këtë gjendje, atëherë ne do të aplikojmë reduktime edhe për qytetin e Prishtinës, por shpresojmë që do të ketë reshje. Në liqenin e Badovcit nevojiten edhe katër vjet që të arrijë kuotën maksimale, e ai i Batllavës edhe dy vjet të plota", bën të ditur Mjeku.

Edhe vetë qytetarët ankohen për mungesë uji të pijshëm. Sipas tyre gjatë gjithë sezonit të verës e duke vazhduar edhe tani, kanë pasur reduktime të shumta.

Mimoza Latifi, qytetare e cila jeton në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, flet për Radion Evropa e Lirë.

"Ne si lagje vazhdimisht kemi probleme me furnizim me ujë. Të jetosh pa ujë është e tmerrshme. Mund të them se gjatë 24 orëve kemi përafërsisht vetëm 3 deri në 5 orë ujë".

Ajo thotë se shpesh ankohen në Ujësjellësin Rajonal Prishtina, por që përgjigjja që marrin është se kanë rënë nivelet e ujit në liqenet që furnizojnë qytetet me ujë.

"E thërrasim për t'u ankuar shpesh ujësjellësin, por na thonë se niveli i liqenit të Badovcit ka rënë, dhe se kryeqyteti është mbipopulluar dhe nuk mund t'i mbulojnë nevojat që kanë qytetarët për ujë", shprehet Latifi.

Sidoqoftë, zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se 30 për qind e popullatës në Kosovë nuk janë të kyçur në ujësjellës.

Kjo, sipas tyre, bën që rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë ta kenë burimin nga kualiteti i dobët i ujit.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG