Ndërlidhjet

FAK-u s’mund të themelohet pa votat e minoriteteve


Garda e nderit e FSK-së

Garda e nderit e FSK-së

Pas konsensusit politik ndërmjet faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës speciale për krime lufte, Kuvendi i Kosovës pritet të përballet edhe me një kompromis të ri, që ka të bëjë me vazhdimin e ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë.

Vazhdimi i këtyre mandateve është kushtëzuar nga minoritetet me votën e tyre për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Formimi i Forcave të Armatosura si edhe vazhdimi i ulëseve të rezervuara për pakicat dikton nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Andaj, as njëra dhe as tjetra, konsiderohet se nuk mund të miratohen si vendime pa votat e dy të tretave të deputetëve dhe votat e shumicës së partive minoritare në Kuvend.

Kryeministri Hashim Thaçi këtë javë në disa raste ka bërë thirrje për fleksibilitet politik, që nënkupton një kompromis ndemjet partive shumicë dhe atyre minoritare.

“Është e nevojshme dhe e domosdoshme që Kryesia e Kuvendit, pa dallim politik, të vë në rend dite votimin në Kuvend formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Një thirrje të veçantë, kryeministri Thaçi ka drejtuar kah Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe opozitare në Kuvend. Pa votat e këtij subjekti politik nuk do të mund të arrihet kompromisi për vazhdimin e vendeve të rezervuara si një parakusht për themelimin e Forcave të Armatosura.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, thotë se këto dy çështje nuk kanë pse të ndërlidhen mes vete. Kështu që sipas tij, nuk mund të pritet që LDK-ja të bëjë një kompromis të tillë.

Ndërsa, kundërshton vazhdimin e vendeve të rezervuara, Gashi mbështet themelimin e FAK-ut, por pa kushtëzime.

“Thaçi nuk duhet të insistojë në vendet e rezervuara, por të insistojë në mbrojtjen e interesave të Kosovës, e interesi i Kosovës nuk është vazhdimi i vendeve të rezervuara. Ne e kemi FSK-në dhe ka pak rëndësi nëse ia ndërrojmë apo jo emrin. FSK-ja mund t’i kryejë të gjitha operacionet që do t’i kryente edhe FAK-u”, thotë Gashi.

Kundër vazhdimit të ulëseve të rezervuara është shprehur nga fillimi i debateve për këtë çështje edhe Lëvizja Vetëvendosje. Përderisa subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është treguar më fleksibile në këtë rast.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se është më lehtë për Kosovën që t’i themelojë Forcat e Armatosura në gjatë këtij mandati të institucioneve.

“AAK-ja e ka shprehur nga fillimi qëndrimin e qartë. Ne duhet të jemi gjeneroz në pikëpamjet për komunitetet tjera. Por, kjo është në duart e partive politike që të reflektojnë”, konsideron Ramadani.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria përmes projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Por, në bazë të paralajmërimeve nga partitë e minoriteteve, deputetët shumicë do të duhet të lëshojnë pe fillimisht në lidhje me vazhdimin e 20 ulëseve të rezervuara në Kuvend, në shkëmbim të votës së tyre, e cila në këtë rast do të jetë e domosdoshme dhe vendimtare për themelimin e FAK-ut.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG