Ndërlidhjet

logo-print
Takimi i tretë dhe i fundit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka përfunduar të premten, me miratimin e tekstit të kësaj marrëveshjeje, të përbërë nga 10 tituj, 5 protokolle dhe 6 anekse.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka hapur takimin, ka vlerësuar se marrëveshja do të shënojë fillimin zyrtar të procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen si një ofertë të shkëlqyeshme politike, juridike dhe ekonomike, për t’iu bashkuar bllokut më të fuqishëm ekonomik dhe politik në botë.

“Marrëveshja do të jetë dokument bazë, i cili do t’i rregullojë marrëdhëniet tona politike me Bashkimin Evropian deri në hapjen e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Ky moment largon çdo dyshim dhe vulos përcaktimin strategjik të shtetit tonë për të qenë anëtarë të Bashkimit Evropian".

"Marrëveshja e negociuar do të ofron hapjen e plotë të tregut të Bashkimit Evropian për bizneset tona dhe njëkohësisht do të ofroj mbrojtje të veçantë për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë potencial të zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës në Kosovë”, theksoi Thaçi.

Ndryshe, negociatat në takimin e të premtes i kanë kryesuar ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ndërkaq nga ana e Komisionit Evropian, Jean Enrique Paque.

Kryenegociatori i BE-së, Paque, theksoi se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është vetëm fillimi i një rruge të gjatë të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“MSA është një hap i rëndësishëm, por u përmend këtu se duhet përkrahur reformat e brendshme në Kosovë në veçanti në fushën e sundimin e ligjit, administratë publike, reformat zgjedhore, qeverisje demokratike, mbrojtjen e pakicave, tregut të brendshëm, çështjeve tregtare dhe të ngjashme”, ka theksuar Paque.

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka theksuar se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka një strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikurse marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Dita e sotme shënon një moment historik në kuadër të procesit integrues të vendit tonë. MSA është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, që ofron perspektivë të qartë drejtë anëtarësimit të plotë të vendit tonë në Bashkimin Evropian, si dhe konsolidon edhe më tutje pozitën juridike ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se në kuadër të marrëveshjes, Kosova zotohet se do të ndërmarrë reformat e nevojshme në kuadër të sundimit të ligjit, si dhe përafrimit dhe zbatimit të legjislacionit në harmoni me tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian kanë filluar me 28 tetor të vitit 2013.

Ministrja Çitaku ka theksuar se pritet që gjatë muajve të verës të vihen inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe pas përfundimit të procedurave shtesë, do të nënshkruhet ajo.

Megjithatë, ajo nuk ka mundur të precizojë afatin kohor se kur do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes, duke theksuar se një gjë e tillë nuk varet nga Kosova.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG