Ndërlidhjet

Zgjidhja e problemeve dhe krijimi i kushteve dhe standardeve të kënaqshme jetësore për qytetarët, është detyrë e secilit politikan, të cilin e delegon shoqëria në institucione, të cilitdo nivel, vlerësojnë disa të rinj.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, ata potencojnë një varg problemesh të natyrave të ndryshme, për zgjidhjen e të cilave ata thonë se do të angazhoheshin maksimalisht në rast se do ta kishin rolin e politikanëve aktual dhe në rast se do ta kishin pushtetin në duart e tyre.

Jeton Latifi, student në Fakultetin e Ekonomisë në Prishtinë, thotë se ka mjaft probleme, të cilave njerëzit në institucione do të duhej t’u kushtonin shumë më tepër rëndësi.

Po të ishte ai në atë pozitën udhëheqësit qeveritar, do të intervenonte urgjentisht për përmirësimin e sistemit arsimor, për orientimin e të rinjve në drejtimet meritore, si dhe pastrimin e institucioneve arsimore nga nepotizmi dhe korrupsioni. Por, sipas tij, shumëçka në Kosovë dështon, për shkak të moszbatimi të ligjit.

“Janë krijuar aq shumë probleme në këto vitet e fundit në Kosovë, sa që është shumë vështirë t’ia gjesh fijet për t’ia nisur për t’i përmirësuar ose rregulluar ato. Por, për mendimin tim, megjithëse nuk jam jurist, e di shumë mirë domethënien e rendit dhe ligjit kur mbizotëron dhe kur nuk mbizotëron në një shtet. Nëse ia fillojmë nga kjo e fundit, e gjejmë Kosovën në këtë gjendje që është tash, ku nuk ka ligj dhe nuk ka rend. Pikërisht, nga këtu duhet nisur e që është themeli i një shteti”, thotë Jetoni.

Edhe Labinot Vuniqi, student i Fakultetit të Ndërtimtarisë, vlerëson se pika e dobët e shtetit mbetet zbatimi i ligjit. Ai vlerëson se një gjë e tillë është dukshme edhe në profesionin e tij dhe në rolin e politikanit, ai do të intervenonte në këtë pikë për t’i përmirësuar gjërat.

“Ligjet për ndërtimtari nuk zbatohen. Bëhen ndërtime të llojllojshme ose e fiton një kompani një projekt dhe nuk i ka inxhinierët adekuatë. Nuk bëhet mbikëqyrja e mirë e një objekti dhe normalisht, isha munduar që një gjë të tillë ta stopoj. Tjetër, puna e drejtësisë, arsimit dhe shëndetësisë. Edhe në këto ka nevojë për përmirësime shumë të mëdha. Por, në një vend ku ka ligj dhe drejtësi, shëndetësia dhe arsimi janë të mira dhe atëherë edhe rinia përfiton nga të gjitha këto dhe vazhdon përpara e shëndoshë”, thekson Labinoti.


Platura Haziri, maturante, thotë se po të kishte pushtetin, hapin e parë do ta ndërmerrte për rritjen e sigurisë në shkollat e Kosovës:

“Hapi i parë që do të kisha bërë, është për të ndalur dhunën nëpër shkolla, të ketë më shumë sigurim në shkolla, pasi që nuk përfillen as uniformat as kartelat identifikuese që i bëjnë shkollat. Ka hyrje të atyre që nuk janë as nxënës dhe po shkaktohen edhe vrasjet. Do të ndërmerrja më shumë hapa për shkolla, siguri më shumë dhe normalisht, për nxënësit më të mirë, mundësi më shumë për t’u regjistruar në fakultete dhe vende të reja të punës
”.

Flamur Arifaj, i cili i ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, vlerëson se qasja ndaj politikës në Kosovë dhe mentaliteti politik, në përgjithësi duhet të ndryshojnë. Në rolin e një politikanit ose pushtetarit, ai do t’i qasej fushës që njeh më së miri.

“Në Kosovë, që nga paslufta është bërë një privatizim neo-liberal, ku çdo fabrikë dhe gjithçka, madje edhe asetet strategjike të Kosovës janë privatizuar ose janë në privatizim e sipër. Besoj që duhet të bëhen ndryshime në Kosovë dhe ekonomia duhet të bazohet në prodhim, të investohet më shumë në bujqësi dhe në zhvillimin e fabrikave dhe vendeve të reja të punës”
, shprehet Flamuri.

Liridona Bahtiri, studente e Fakultetit Filologjik, thotë se po të kishte mundësi të konkurronte për pushtet, këtë nuk do ta bënte së bashku me politikanët aktualë.

“Këta që janë tash, i kisha larguar prej pushtetit, sepse për mendimin tim, deri më tash, qe 16 vjet nga lufta dhe asgjë të mirë nuk kanë bërë. Korrupsioni është pika e dobët që më brengos, e më pas janë shumë gjëra. Të rinjve kam dëshirë që t’ua krijoj disa kushte më të mira dhe të mos ikin jashtë. Kosova është shumë e mirë dhe duhet kontribuar për të dhe jo të iket jashtë”
, thotë Liridona.

Po të ishte në krye të institucioneve qeveritare, Shkëlzen Aliu, student në Fakultetin Filologjik, thotë se do të orientohej në dy çështje, ndalimin e korrupsionit dhe përmirësimin e jetës së të rinjve.

“Unë do t’i bëja gjërat ndryshe. Korrupsionin e kisha ndalur dhe të rinjtë, këta që dalin jashtë shtetit, i kisha punësuar, sepse ka shumë të papunësuar. Te ne varfëria është shumë e madhe dhe unë kisha punuar për të mirën e vendit. Nuk do t’ më kishte interesuar që të bëj kapital për vete, por do të kisha punuar për qytetarë të Kosovës. Edhe këta që janë në pushtet duhet ta bëjnë këtë”, pohon Shkëlzeni.

Blerina Haziraj, maturante, thotë se mënyra klishe e fushatave zgjedhore është gjëja e parë që do të kishte ndryshuar po të ishte në pozitën e politikanëve dhe pushtetarëve. Sipas saj, ata ua thonë qytetarëve të njëjtat gjëra në çdo fushatë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG