Ndërlidhjet

Maqedoni: Procesi i lustrimit ndjek kundërshtarët politikë


Ilustrim

Ilustrim

Çështja e lustrimit sërish është aktualizuar pas zgjedhjes së përbërjes së re të këtij komisioni, që ka për detyrë zbulimin e ish-bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete në të kaluarën.

Por, rizgjedhja e shumicës së anëtarëve të këtij trupi nga shumica parlamentare, ka shkaktuar reagime se ky komisioni edhe në të ardhmen do të merret me, siç thonë, “të gjitha ata që nuk mendojnë ngjashëm me pushtetin” apo se do të shpallen për spiunë pa fakte relevante për veprimtarinë e tyre në kaluarën.

“Komisioni kryekëput është formuar nga njerëz të deleguar nga shtabet e partive dhe ky komision punon në bazë të marrëveshjes së caktuar, nuk ka program parimor, cilësor dhe shërbimet e veta i ka në funksion të politikës ditore”.

“Është e tmerrshme për një shoqëri si kjo, e cila ende vepron me një inercion të mentalitetit të vjetër dhe njerëzit e një mentaliteti të tillë, ende e kanë nën kontroll politikën ditore”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptar, të cilët vlerësojnë se kanë qenë viktima, pikërisht të veprimtarisë së spiunimit në sistemin e kaluar.

Ndërkaq, aktivistja dhe ligjëruesja në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, Mirjana Najçevska, thotë se lustrimi është shndërruar në luftë me kundërshtarët politikë.

Ajo thotë se pikërisht ky ishte edhe qëllimi i ligjit.

Unë që atëherë tërhoqa vërejtjen dhe vlerësova se ky proces do të ketë këtë epilog që ka sot - luftën me të gjithë kundërshtarët politikë, apo me të gjithë ata që nuk mendojnë ngjashëm si pushteti. Kjo është në kundërshtim me qëllimet bazë të ligjit, largimin nga funksionet të të gjithë atyre që në të kaluarën kanë pasur përfitime në mënyra të ndryshme nga pushteti”, konsideron Najçevska.

Në këtë kuadër, Shpëtim Pollozhani thotë se “spiunët e vërtetë”, vazhdojnë të shëtisin lirshëm, apo janë në pozicione të larta, pasi ata, sipas tij, janë në shërbim të pushtetit.

“Njerëzit që kanë qenë në funksion të shërbimeve, ata nuk preken, por për fat të mirë ose të keq, ne i njohim ata njerëz dhe ata veprojnë duke i lëvizur penjtë pas skenës. Ata nuk dalin në skenën politike, por veprojnë në formë të oligarkëve të ndryshëm, të cilët me kohë e kanë ndërtuar infrastrukturën dhe tani e vënë në funksion të tyre dhe politikës ditore”, vlerëson Pollozhani.

Por, me vlerësimet e tilla nuk pajtohet, kryetari i Komisionit për lustrim, Tome Axhiev.

Ai thotë se institucioni që ai përfaqëson, është i pavarur dhe punon në përputhje të plotë me detyrimet ligjore.

“Vendimet e komisionit kanë kaluar të gjitha procedurat, kanë kaluar nëpër instanca gjyqësore ku edhe janë vërtetuar. Më thoni tani se kush është në të drejt? Pra, të gjitha vendimet tona kanë kaluar filtrat e gjykatave”, thotë Axhiev, duke shtuar se komisioni ka lustruar edhe njerëz të pushtetit.

“Nëntëdhjetë për qind e atyre që janë lustruar, janë të afërt me pushtetin dhe askush nuk interesohet të kontrollojë se kush janë ata njerëz dhe sa prej tyre janë të afërt me pushtetin”, thekson Axhiev.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të komisionit, nga lustrimi i qindra personaliteteve të ndryshme, 75 prej tyre kanë rezultuar të jenë bashkëpunëtor]ë të sigurimeve sekrete, në mesin e të cilëve ka edhe emra të njohur të jetës publike.

Në bazë të ligjit, atyre u ndalohet të merren me politikë apo të bartin funksione të ndryshme shtetërore.

XS
SM
MD
LG