Ndërlidhjet

Brovina: Seanca shtyhet për 18 shtator


Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që ishte planifikuar të mbahej më 12 shtator, është shtyrë për të enjten e ardhshme, me datën 18 shtator, ka bërë të ditur të enjten kryesuesja e kësaj seance Flora Brovina.

Ky vendim, pasoi takimin që Brovina zhvilloi me partitë politike, ku morën pjesë vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe komunitetet pakicë.

Në këtë takim nuk morën pjesë edhe partitë e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia Nisma dhe Vetëvendosje.

Pas takimit, Brovina ka theksuar se në takimin konsultativ janë ftuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike që marrin pjesë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, takimi është thirrur për shkak të kërkesës urgjente të Listës Serbe, për t’u shtyrë seanca konstituive, e paralajmëruar për 12 shtator.

Duke marrë në konsiderim të gjitha vërejtjet që pati Lista Serbe dhe e cila ka nevojë për një konsultë në mes të anëtarëve të vet, konsultë politike, morëm në konsiderim dhe njëzëri ky forum voton që të shtyhet seanca e nesërme, sado që është përgatitur plotësisht dhe janë bërë thirrje të shtyhet për të enjten e javës së ardhshme”, ka deklaruar Brovina.

Në anën tjetër, Aleksandar Jabllanoviq, kryetari i Listës Serbe, ka theksuar se shkaktarë të kërkesës së tyre për shtyrjen e seancës konstituive janë zhvillimet e reja politike që pasuan përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin LDK, AAK dhe Nisma, ku bënte pjesë edhe Lista Serbe.

Duke e ditur që Vetëvendosje është një subjekt politik që ka kërkuar revidimin e marrëveshjes së Brukselit dhe kërkon pjesëmarrje aktive në rrjedhën e mëtutjeshme të marrëveshjes, për ne, në këto rrethana të reja të krijuara, nevojitet kohë shtesë që të konsultohemi brenda listës sonë, të kryejmë konsultime më Qeverinë e Republikës së Serbisë dhe me subjektet tjera relevante në Kosovë, lidhur me veprimet tona të ardhshme”, ka theksuar Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se ndryshimi i marrëveshjes së Brukselit është i papranueshëm për Listën Serbe dhe se pret sqarim rreth asaj se çfarë nënkupton qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për revidimin e marrëveshjes.

Pak para takimit, Adem Grabovci, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se PDK-ja ka bërë përgatitjet për seancën e paralajmëruar për ditën e premte, 12 shtator, por, sipas tij, në momentin e fundit, Lista Serbe ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë kërkuar që seanca e nesërme të shtyhet për javën e ardhshme, me ç’rast është edhe një ftesë e kryesueses së seancës konstituive që të takohen përfaqësuesit e partive politike dhe të marrin një vendim të përbashkët. Normalisht që ne, tash, do të marrim pjesë në atë takim dhe do ta shqyrtojmë së bashku me kolegët tjerë, përfaqësues të partive politike, këtë kërkesë të grupit të minoritarëve”, ka theksuar Grabovci.

Ndryshe, ky zhvillim i ri i kishte mbledhur në një takim edhe liderët e koalicionit paszgjedhor, të cilët më pas, nuk morën pjesë në takimin e thirrur nga Brovina.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte thënë se nuk sheh arsye pse duhet të shtyhet seanca.

Pavarësisht kësaj situate, Haradinaj shprehu besimin se nuk do të ndryshojë raporti i bllokut me Listën Serbe.

“Unë besoj se nuk do të ndryshojmë marrëdhëniet fare me Listën Serbe. Pra, janë marrëdhënie të qëndrueshme dhe është një partneritet i qëndrueshëm. Mund të jetë kjo një kërkesë teknike. Pra, ata kanë thënë ‘shtyrje’, për shkak se dëshirojnë ndoshta konsulta shtesë me zhvillimet e reja që kanë ndodhur, por nuk besoj që do të ndodhë ndonjë ndryshim, në drejtimin që kemi, në partneritetin me ta”, ka deklaruar Haradinaj.

Gjatë ditës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përsëri u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të gjejnë zgjidhje për ta tejkaluar ngërçin politik pa ndërhyrje nga jashtë.

Ajo ka theksuar se Kosova po hyn në një periudhë të rëndësishme dhe vendimtare dhe se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregojnë pjekuri politike për tejkalimin e situatës.

”Krijimi shpejt i institucioneve tona do të garantojë funksionimin demokratik të shtetit, do të tregojë aftësinë tonë për të menaxhuar krizat dhe gatishmërinë tonë për të gjetur vetë zgjidhjet që do të çojnë drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një shtet të përparuar, të përgjegjshëm dhe të respektuar si dhe pjesë të familjes euroatlantike”, ka theksuar Jahjaga.

Ndryshe, gjatë ditëve të fundit, përfaqësuesit e të dyja blloqeve politike, kanë theksuar se nuk do të lëshojnë pe në zgjedhjen e kandidatëve të tyre për kryetar të Kuvendit të Kosovës, në seancën, e cila qe paralajmëruar të mbahej më 12 shtator.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG