Ndërlidhjet

Siguria e rrezikuar e punëtorëve në sektorin privat


Një punëtor gjatë punës në Kosovë
Një punëtor gjatë punës në Kosovë

Vetëm gjatë këtij viti në Kosovë kanë humbur jetën 8 punëtorë në vendin e tyre të punës, kurse janë lënduar mbi 35.

Shumica prej tyre jetën e kanë humbur si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë në punë dhe pa masa mbrojtëse.

Ata që më së shumti janë të rrezikuar në vendin e tyre të punës, janë punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë dhe punëtorët teknik që bëjnë pastrimin e objekteve të ndryshme të kontraktuar nga institucionet publike më biznese private, thonë përfaqësues të punëtorëve.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, shprehet se numri i të lënduarve mund të jetë më i madh, pasi në shumicën e rasteve pronarët e kompanive i detyrojnë të heshtin punëtorët për problemet e tyre.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se gjatë këtij viti jo 35, por ndoshta kanë ndodhur edhe 350 raste, por në njërën anë punëtorët nuk japin informacione, në anën tjetër pronarët e kompanive kanë hezituar që t'i lejojnë punëtorët të adresohen për lëndimet të cilat janë bërë".

Punëtorët për ta ruajtur një vend pune, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, që edhe shëndetin e tyre rrezikojnë vetëm për ta ruajtur vendin e punës. Prandaj në momentin kur atyre i ndodh diçka, pronari i obligon që të mos dalin përmes mjeteve të informimit ose përmes sindikatës që të bëjnë publike lëndimet”, tha Azemi.

Ajo që mbetet edhe më shqetësuese, sipas Azemit, është fakti se në rast të lëndimit pronari nuk interesohet për shërimin e tij dhe as që paguan faturat e shpenzuara për shërim apo medikamente.

“Unë kam qenë vetë prezent aty kur pronari i ka thënë se për çdo nevojë për shërim edhe jashtë vendit unë do të jem pranë dhe do të financoj të gjitha faturat e shpenzuara".

"Kurse pas katër ditësh ne kemi përcjell rastin dhe në përjashtim të ditës së parë qe e ka dërguar të mjeku, për ditët tjera nuk është interesuar për shëndetin e tij. Kurse më pas në ditën e pestë e ka thirrur që të jetë në vendin e punës”, thekson Azemi.

Pavarësisht rrezikshmërisë, punëtorët në këtë sektor paguhen 1.20 euro orën e punës.

Edhe kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve ,Brahim Selimaj, pajtohet se punëtorët në këtë sektor janë të rrezikuar.

Por, Selimaj në një mënyrë fajëson inspektoratin e punës, pasi sipas tij, në raste të rralla inspektojnë kompanitë ndërtimore dhe kushtet me të cilat punojnë këta punëtorë.

“Inspektorët e punës të cilët duhet të jenë në funksion, ata nuk janë. Edhe ata që janë, janë në numër të pakët dhe nuk mund t'i mbrojnë interesat e punëtorëve. Unë plotësisht pajtohem më punëtorët që shprehin pakënaqësitë që janë të shfaqura jo tash, por që nga përfundimi i luftës”. shprehet Selimaj.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në vitin 2011 ka miratuar Ligjin e Punës. Sipas këtij ligji, i punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, në mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës.

Punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve. Në të kundërtën shqiptohen gjoba.

Kryeinspektori i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, për Radion Evropa e Lirë, më herët ka thënë se vetëm në tetë mujorin e parë e parë të këtij viti janë shqiptuar 116 gjoba dhe rreth 1,000 vërejtje. Gjobat për ata që nuk e respektojnë Ligjin e Punës kapin shumën deri në 35 mijë euro.

Përveç Ligjit të Punës, në aspektin legjislativ, punëtorët mbrohen edhe me Ligjin për Siguri në Punë, për Mbrojtjen e Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientin e Punës.

Dënimet për punëdhënësit, për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas këtij ligji, janë nga 100 deri në 20 mijë euro.

XS
SM
MD
LG