Ndërlidhjet

Prodhuesit apo tregtarët më të favorizuar?


Kultivues lakrash në Kosovë

Kultivues lakrash në Kosovë

Shoqatat ekonomike në Kosovë po kritikohen nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të kompanive se nuk po mbrojnë aq sa duhet interesat e bizneseve prodhuese.

Deri më tani, thonë ata, këto shoqata ekonomike në Kosovë nuk kanë arritur që t’i shtyjnë autoritetet e Kosovës të miratojnë pako fiskale, të cilat do të ishin në favor të prodhuesve dhe jo tregtarëve.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se është mjaft shqetësues fakti kur shoqatat ekonomike më shumë ngrenë zërin për mbrojtjen e interesave të bizneseve tregtare, sesa për ato prodhuese.

“Fatkeqësisht, sektori më i zhvilluar në Kosovë është sektori i tregtisë dhe jo siç do të duhej të ishte sektori i prodhimtarisë. Dhe, kjo po reflektohet edhe te përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe anëtarët që ata i kanë, e që kryesisht janë kompani tregtare të fuqishme, të cilat në fakt i mbrojnë interesat e tyre më tepër sesa kompanitë prodhuese”, thotë Gashi.

Një fatkeqësi tjetër, sipas Gashit, është se përfaqësuesit e biznesit kanë qenë më të afërt me politikën sesa që kanë qenë të afërta me kompanitë prodhuese, gjë që, siç thekson Gashi, ka dëmtuar interesat e këtyre të fundit.

Kompania “Frutex” nga Suhareka është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike në Kosovë. Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë.

Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është i kënaqur me punën e shoqatave ekonomike.

Numri i madh i këtyre odave dhe shoqatave, mjaftueshëm nuk e justifikon punën e tyre, por edhe ne si prodhues nuk jemi unikë në çështjen e këtyre problemeve. Shpeshherë dinë t’i adresojnë këto probleme, por jo deri në zgjidhjen e tyre. Dhe, mund të them se nuk jemi të kënaqur me këto shoqata që përfaqësojnë bizneset, në veçanti ato prodhuese”, shprehet Palushi.

Palushi tregon se shoqatat më shumë kanë folur për problemet e prodhueseve sesa që kanë arritur t’i zgjidhin.

Në Kosovë veprojnë disa shoqata ekonomike që për mision kanë mbrojtjen e bizneseve. Oda Ekonomike e Kosovës, ajo Amerikane, Oda Gjermane, Oda Tregtare Turke dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, janë disa nga shoqatat ekonomike që veprojnë në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, nuk pajtohet me atë se mbrojnë më shumë bizneset tregtare sesa ato prodhuese. Ai kujton se si shoqatë ekonomike vazhdimisht i ka mbrojtur interesat e prodhuesve.

“Gjatë gjithë viteve që kur ekziston Aleanca Kosovare e Biznesit e këndej, asnjë aktivitet nuk e ka pasur që promovon ndonjë prodhim të huaj apo ndonjë kompani tregtare, përveç kompanive prodhuese vendore”, thekson Shahini.

Nga 10.600 anëtarë sa ka Aleanca Kosovare e Biznesit, tregon Shahini, mbi 70 prej tyre janë biznese përpunuese dhe prodhuese.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të kompanive prodhuese thonë se kjo mosmbrojtje e duhur nga shoqatat ekonomike paraqet një të metë për prodhimin vendor, pasi që, siç thonë ata, zëri i tyre nuk po dëgjohet nga Qeveria apo nga organet vendimmarrëse.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG