Ndërlidhjet

Kosova ka shënuar të premten me një varg aktivitetesh 9 Majin - Ditën e Evropës. Aktivitetet e organizuara nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kishin për qëllim informimin e qytetarëve për proceset integruese për në Bashkimin Evropian.

Disa nga qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, dinin shumë pak për historikun e kësaj dite, por që integrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe liberalizmin e vizave e theksonin si të domosdoshme për vendin e tyre.

Një qytetare nga Prishtina shprehet:

“Dita e Evropës... nuk e di çka të them çfarë dite është.... jo nuk e di....” shton ajo.

Ndërkaq, për Antigona Ratkoceri, shënimi i kësaj dite për Kosovën është i një rëndësie të veçantë. Si e tillë kjo ditë, shton ajo, iu tregon qytetarëve të Kosovës proceset që duhet të kalojnë ata për integrimin në Bashkimin Evropian.

Përmes një labirinti që kishin krijuar në qendër të Prishtinës, tregon Antigona po iu tregojnë qytetarëve për rrugën e vështirë që Kosova duhet ta kalojë për integrim në BE.

“Dita e Evropës shënohet në të gjitha shtetet që janë pjesë e Bashkimit Evropian. Në Kosovë nuk jemi pjesë e tyre, por që e shënojmë këtë ditë. Përmes këtij labirinti po dëshirojmë të tregojmë që Evropa na ka vendosur shumë kritere të mëdha të cilat ne si shtet i vogël nuk po arrijmë t’i plotësojmë”, shton ajo.

Detrim Qerimi, student në Fakultetin Ekonomik, tregon se ka vizituar panairin e organizuar nga Bashkimi Evropian dhe se ka marrë informata për Ditën e Evropës.

“Neve na duhen më shumë informata për këtë ditë dhe për proceset që duhet kaluar për të qenë pjesë e Evropës”, shton ai.

Rruga e Kosovës për në Bashkimin Evropian, vlerësohet se duhet të kalojë përmes një procesi të reformave të brendshme duke veçuar edhe përparimet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni Evropian, muajin e kaluar ka miratuar me procedurë të shkruar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Kjo ishte konsideruar një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Sidoqoftë, Kosova ka mbetur vendi më i izoluar në Ballkan dhe e fundit në procesin e integrimit evropian.

Krerët e institucioneve dhe qytetarët e Kosovës, në vazhdimësi po kërkojnë nga Bashkimi Evropian që t’i trajtojë ata njëjtë si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që tashmë kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Shengenit.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i cili po merrte pjesë në aktivitet e organizuara në Prishtinë për shënimin e Ditës së Evropës, edhe një herë ka ritheksuar, se sa i përket liberalizmit të vizave presin lajme të mirë nga fundi i vitit.

“Këtë vit, shënimi i kësaj date ka kuptim më të madh për Kosovën sepse presim që Kosova më në fund konkretisht të përfitojë nga puna e saj e madhe dhe serioze që ka bërë në kuadër të procesit të integrimit evropian".

"Veprimet e para pozitive kanë ndodhur që ndërlidhen më nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndërkohë presim lajme të mira nga fundi i vitit që ndërlidhet me procesin e liberalizmit të vizave”.

Dita e Evropës shënohet si festë zyrtare në Kosovë, me shpresë se në të ardhmen do të bëhet pjesë e integrimeve evropiane.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian më 9 maj e rikujtojnë nismën e ish-zyrtarit të lartë francez, Robert Schuman [1886 – 1963], i cili shihet si njëri nga arkitektët e projektit të integrimit evropian.

Kjo ditë shënohet prej 9 majit të vitit 1950.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG