Ndërlidhjet

Maqedoni: Zbatimi i marrëveshjes, sfidë më vete


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Të hënën pritet të nisin bisedimet ndërmjet grupeve të punës të partive politike për zbatimin e marrëveshjes së arritur javën e kaluar për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Partitë, fillimisht do të bisedojnë për ndryshimet në Kodin zgjedhor ku parashihet vendosja e rregullës së re për dorëheqjen e kryeministrit 100 ditë para çdo cikli zgjedhor.

Partitë duhet të merren vesh edhe për çështjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i cili, sipas Marrëveshjes së 2 qershorit, duhet të pësojë ndryshime në përbërje më së voni deri më 31 korrik.

Pas mbylljes së çështjeve që kanë të bëjnë me KSHZ-në dhe pastrimin e listave zgjedhore, partitë duhet të zbatojnë edhe çështjet tjera më të ndjeshme, siç janë zgjedhja e prokurorit special, zgjedhja e disa ministrave, në veçanti ministrin e Punëve të Brendshme që pritet të caktohet nga Lidhja Social-demokrate e opozitës, por që nuk do të mund të emërohet pa pëlqimin edhe të partive tjera politike të përfshira në arritjen e marrëveshjes politike.

Bisedimet e grupeve të punës do të mbikëqyren nga eksperti belg, Piter Van Hojt.

Monitorimi është paralajmëruar nëpërmjet Këshillit për stabilizim-asociim, dialogut paraqasës të nivelit të lartë dhe me raportin e progresit.

Njohësit e çështjeve politike thonë se monitorimi ndërkombëtar duhet të jetë shumë i fortë që partitë të mos kenë hapësirë për interpretime të ndryshme të marrëveshjes, për të mos ardhur deri te dështimi i tyre, ashtu siç ka ndodhur shumë herë në të kaluarën.

”Konsideroj se pikat kryesore të marrëveshjes kanë të bëjnë me procesin zgjedhor dhe mendoj se palët në bisedime janë të vetëdijshme se duhet t’u përmbahen afateve kohore të përcaktuara në marrëveshje. Në këtë drejtim, mendoj se shmangia e afateve nga ndonjëra palë duhet të jetë sinjal për faktorin ndërkombëtar që të reagojë dhe palët t’i respektojnë afatet, sidomos afati për tërheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe afati tjetër për zgjedhjen e prokurorit special”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Denko Maleski, ish-diplomat dhe njohës i çështjeve politike thotë procesi i zbatimit të marrëveshjes politike do të jetë shumë i rëndë, pasi përvoja tregon se partitë gjithmonë kanë tentuar që në forma të ndryshme të ndryshojnë atë për të cilën janë marrë vesh.

Ai pret që kundërshtimi të theksohet sidomos në vjeshtë kur partitë duhet të merren vesh për prokurorin special, i cili do ta ketë punën më të vështirë, hetimin e aferës së përgjimeve që ishte e shkaktari kryesor i futjes së vendit në krizë të thellë politike.

Në vjeshtë na pret një periudhë e vështirë e obstruksioneve, e garës ndërmjet partive, e përdorimit të të gjithë arsenalit partiak, pasi gjithçka fillon me proces gjyqësor, me emërimin e prokurorit special, përcaktimin e detyrave të tij dhe gjithëkjo nuk do të kalojë pa një garë ndërmjet partive për të siguruar pozicione më të mira”, thotë Maleski duke shprehur pesimizëm për bashkëpunimin ndërmjet partive për të zbatuar marrëveshjen.

“Në pjesën e dytë mendoj se sërish rol kryesor do të kenë faktorët e jashtëm. Shpresoj se do të arrijnë ta mbajnë gjendjen nën kontroll që të mos përsëritet rasti me incidentin e 24 dhjetorit në Kuvend, për të cilin ishte formuar një komision hetues parlamentar, por që nuk e kreu detyrën ashtu siç ishte paraparë”, shton Maleski.

Pikat kryesore të marrëveshjes politike të arritur më 15 korrik me ndihmën e komisionarit për zgjerim të BE-së, Johanes Hahn, kanë të bëjnë me dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski, deri më 15 dhjetor dhe nisjen e procedurave për formimin e qeverisë kalimtare deri më 15 janar, si dhe zgjedhjen e prokurorit special për hetimin e aferës së përgjimeve.

XS
SM
MD
LG