Ndërlidhjet

Subvencionimi i pagave, rrit punësimin


Ilustrim(@Shutterstock)

Ilustrim(@Shutterstock)

Subvencionimi i pagave për punëdhënësit nga Qeveria e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, është një ndihmë për bizneset dhe njëherësh gjeneron mundësi të reja për punësim, vlerësojnë zyrtarë qeveritarë dhe afaristë në Kosovë, sipas të cilëve, ky program është i qëlluar.

Programi për subvencionimin e pagës, që bashkë-financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ka për qëllim përkrahjen e punëdhënësve, të cilët ofrojnë mundësi punësimi për qytetarët e pa punë, të cilët janë të regjistruar në zyrat komunale të punësimit.

Programi nënkupton pagesën e së paku 50 për qind të pagave për punëtorët e rinj, për një periudhë 6, 9ose 12 muaj për punëtorët, në varësi të vështirësive që kanë punëkërkuesit në hyrjen në treg të punës.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, thotë se paga e një punëtori nuk duhet të jetë më e ulët se paga minimale.

Ndryshe, paga minimale e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011 është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç

“Në momentin që biznesi i merr ata persona, në Kosovë zvogëlohet numri i të papunëve, rritet punësimi dhe njëkohësisht përfiton biznesi, sepse e rrit profitin. Por, përparësi kryesore kanë njerëzit që janë të papunë, por që bizneset shprehen interes dhe në bazë të specifikimeve që bizneset i kërkojnë këta punëtorë”, thotë Hajzeraj.

Afaristë të ndryshëm në Kosovë e quajnë hap të duhur zbatimin e këtij programi.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike në Kosovë, thotë se është i gatshëm të pranojë punëtorë të rinj paga e të cilëve financohet.

Ai thotë se me subvencionimin e pagës së punëtorëve, do të lehtësohej çështja financiare dhe do të mundësojë rritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Gjithsesi është lehtësim dhe ne si biznes, e mirëpresim këtë, sepse neve na hap mundësi për punësime të reja dhe për rritjen e kapaciteteve prodhuese. Ne jemi në zhvillim e sipër, kemi projekte të reja, kështu që ky program është i mirëseardhur”, shprehet Palushi.

Edhe nënkryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Burim Pirraj, njëherësh pronar i kompanisë përpunuese të mishit “Meka”, konsideron se ky program është stimulues për kompanitë e sektorit privat.

“Është lehtësim dhe stimulim, ne e përkrahim, sepse shumë kompani, sidomos në fillim të veprimtarisë së tyre dhe punësimit të punëtorëve, nuk kanë mundësi të pagesës. Kemi shumë nevojë për fuqi punëtore të shkolluar, për arsye se fuqia punëtore e shkolluar mungon në vendin tonë. Shpeshherë ne, si kompani, jemi të detyruar që të mbajmë gjashtë muaj ditë trajnim dhe në kohën e trajnimit, fuqia punëtore nuk është produktive”, shprehet Pirraj.

Ndryshe, gjatë fazës së parë, 1100 vende të reja të punës janë shpallur në zyrat e punësimit në gjithë Kosovën, nga të cilat 400 janë përzgjedhur për t’u subvencionuar.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG