Ndërlidhjet

Tenderët mbajnë Kosovën të korruptuar


Ilustrim

Ilustrim

Për luftimin e korrupsionit në Kosovë vazhdimisht ka munguar vullneti politik. Kështu vlerësojnë zyrtarë të agjencive dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në raportin e fundit të “Transparency International”, të publikuar të mërkurën, thuhet se Kosova ka shënuar përparim të lehtë sa i përket luftimit të korrupsionit.

Për vitin 2015 Kosova është radhitur në pozitën 103, nga pozita e 110 –të sa ka qenë në vitin 2014.

Por, drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se Kosova nuk ka shënuar ndonjë progres në luftën kundër korrupsionit.

"Varet nga renditja, konkurrenca... nga pozita 110Kosova ka kaluar nëvendin e 103-të, por për ‘Transparency International’ është shumë me rëndësi koeficienti. Kosova koeficientin 3.3 e ka që tre vite. Që nga viti 2013 po na përcjell ky koeficient, kështu që ‘Transparency International’ po i thotë Kosovës se në aspektin e luftimit të korrupsionit që tri vite nuk është shënuar asnjë progres”, ka thënë Preteni.

Ai thotë se prokurimi publik, apo, siç e ka quajtur ai,“tenderomania” është i vetmi aktivitet ku zyrtarët mund të përfitojnë shumë dhe shpejtë.

Ai tregon se vetëm gjatë vitit 2014 agjencia ka pasur 67 intervenime , me një vlerë prej rreth 29 milion eurosh në fushën e prokurimit publik.

Kurse sa i përket të dhënave për vitin e kaluar, agjencia, në bazë ligjore është e obliguar që deri në fund të muajit mars t’i publikojë të dhënat.

Preteni thotë se në vitin e kaluar rastet e korrupsionit janë më të mëdha.

“Në viti 2015 trendi i korrupsionit është edhe më i fuqishëm, me më shumë raste, më shumë opinione, kështu që kjo fushë po ka shumë probleme dhe shumë telashe. Fuqishëm kemi nisur edhe këtë vit”, thotë Preteni .

Edhe hulumtimet e Institutit Demokratik të Kosovës tregojnë se keqmenaxhimi në prokurimin publik konsiderohet si sektori më i përfolur për korrupsion.

Diana Metushi Krasniqi, hulumtuese në këtë institut, thotë se për shkak të vlerës së lartë të parasë në qarkullim, keq menaxhimet më të mëdha në vlerë ndodhin në nivelin qendror, por këto janë shumë evidente edhe në nivelet lokale.

“Procedurat e prokurimit Publik janë në përgjithësi konform ligjit të prokurimit, mirëpo zbrazëtirat që shfrytëzohen më së shumti janë ato të përpilimit të specifikave teknike, për t’i përshtatur kriteret për një produkt apo furnitor të caktuar”.

“Kurdisjet e dyta ndodhin në fazën e vlerësimit teknik, ku vlerësohet shuma totale e ofertës, e shpesh mungojnë çmime për pozicione, apo ofertohen dhe pranohen çmime tejet të larta për artikujt e konsumit të shpeshtë, si dhe jepen çmime jo-normalisht të ulëta për produkte të konsumit të rrallë, me qëllim të manipulimit të vlerës totale të ofertës”, shpjegin Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht përmirësimit të radhitjes së Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shoqërisë kosovare i mbetet ende shumë punë për të bërë në eliminimin e korrupsionit, thuhet në një komunikatë për media të Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

Vëmendje e veçantë, thuhet në komunikatë, duhet t’i kushtohet mekanizmave të drejtësisë dhe përmirësimit të zbatimit të ligjit.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG