Ndërlidhjet

Retorika e ashpër e liderëve po e pamundëson dialogun


Foto nga Arkivi - Kuvendi i Kosovës
Foto nga Arkivi - Kuvendi i Kosovës

Deklaratat e liderëve të partive politike në pushtet dhe opozitë, të bëra pas protestës së mbajtur më 17 shkurt në Prishtinë, janë tregues se konflikti politik në Kosovë do të vazhdojë për një kohë më të gjatë, vlerësojnë analistët politik në Kosovë.

Naim Rashiti, analist nga Grupi Ballkanik i Politikave, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë e koalicionit qeverisës, po ashtu edhe opozita, në mungesë të gjetjes së një kompromisi për krizën politike, vazhdojnë t'i mbesin besnik pozicioneve të veta të pa lëkundura.

"Zhvillimet nga dje vendosën njëfarë beteje të pastër politike mes pozitës dhe opozitës, që është shumë më e pastër se në herët e kaluara, sidomos në komentet kur është shprehur dhuna.”

“Qetësia e protestës e organizimeve, qartësimi i pozicioneve ka shfaqur tash nevojën për këtë diskurs gjuhësor, dhe kjo nuk është asgjë më shumë se një tregues se kah po shkojnë zhvillimet politike në muajt e ardhshëm. Nuk është asgjë tjetër më shumë se sa që ky konflikt politik do të vazhdojë edhe për disa muaj", tha Rashiti.

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi thotë se deklaratat e mëhershme, por sidomos ato të fundit, të liderëve politik nga të dyja taborët, si nga pushteti, po ashtu edhe opozita, janë deklarata që kanë për qëllim të nxisin dhunë dhe jo dialog.

"Këto [deklarata] po i konsideroj si të qëllimshme, për të eliminuar dialogun, për shkak se të dyja palët po synojnë arritjen e pretendimeve të tyre maksimale, dhe në këtë mënyrë po e mbivlerësojnë veten.”

“Kemi një qeveri që përballet me kundërshtime kaq të fuqishme të opozitës dhe me protesta masive. Kurse, kemi edhenjë opozitë që ka dy të tretat në Kuvend. [Ato] duhet t'i ulin këto kërkesa dhe të synojnë një zgjidhje të ndërmjetme", ka thënë Krasniqi.

Partitë opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të largohet dhe që deri më 27 shkurt t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, por, drejtuesit e lartë të Qeverisë së Kosovës e kanë kundërshtuar kërkesën e opozitës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se opozita do ta pranojë vetëm një vendim nga Qeveria e Kosovës - vendimin për dorëheqje.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur negativisht thirrjes së opozitës për dorëheqje, duke thënë se ndërrimi i pushteteve nuk bëhet me protesta e parulla.

Mustafa, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të enjten, i ka bërë sërish ftesë opozitës që të gjitha çështjet që i preokupojnë ata, dhe që mund të jenë reale, t’i diskutojnë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Analistët theksojnë se asnjëra palë, si pushteti, ashtu edhe opozita, nuk janë të interesuara që të ulen në një tryezë bisedimesh, pasi që do të humbin, si njëra, po ashtu edhe tjetra.

"Qeveria konsideron se duke u ulur në një tryezë të vërtetë të dialogut do të mund të pësonte në strukturën e saj. Kurse partitë opozitare, nëse ulen në tryezë, atëherë do të shiheshin si humbëse, për shkak se kërkesat e tyre janë që të bie qeveria", tha për Radion Evropa e Lirë analisti Albert Krasniqi.

Kosova tashmë ka hyrë në afate kohore kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, për një afat pesë vjeçar.

Analisti Naim Rashiti parashikon se në këtë situatë politike edhe zgjedhja e presidenti mund të ketë vështirësi.

"Çështja është se si koalicioni qeverisës, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, nuk kanë punuar paraprakisht muaj më parë për të krijuar një klimë më të favorshme politike për votimin e presidenti... kjo nuk është krizë e momenti, kjo është krizë disa mujore të cilën kanë dështuar ta adresojnë dhe ta zgjidhin.”

“Se çka do të ndodhë,se a do të votohet Hashim Thaçi president a jo, varet kryesisht nga matematikat dhe atmosfera politike", tha Rashiti.

Mungesa e reflektimit nga ana e liderëve të partive më të mëdha politike në Kosovë, për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth gjendjes së krijuar, sipas analistëve politik, dëshmon se tash për tash, në skenën politike kosovare, nuk ka ndonjë ide se si të dilet nga kriza.

XS
SM
MD
LG