Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Maqedoni shtyhen për 5 qershor


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Shumica parlamentare ka anuluar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë, ndërsa 5 qershorin e ka caktuar si datë re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vendimi është miratuar pesë minuta para mesnatës të ditës së martë kur pritej të hynte në fuqi vendimi i mëparshëm për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.

Për të kanë votuar partitë në pushtet VMRO DPMNE e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe BDI-ja e Ali Ahmetit si dhe PDSH-ja opozitare që drejtohet nga Menduh Thaçi.

Në votim nuk ka marrë pjesë opozita kryesore maqedonase, Lidhja Social-Demokrate me arsyetimin se ajo edhe nuk kishte marrë pjesë në vendimin për shpërndarjen e Kuvendit më 18 janar.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se shtyerja e zgjedhjeve konfirmon qëndrimin e tij dhe të bashkësisë ndërkombëare se nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.

“Pas të gjitha gënjeshtrave, mashtrimeve, fshehjes me ditë të tëra nga opinioni, Nikolla Gruevski ka pranuar përgjegjësinë e tij personale se nuk ka kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill. Me shkeljen e marrëveshjes politike, me refuzimin për reforma në media, refuzimin për pastrimin e listës zgjedhore, patrioti i rrejshëm Nikolla Gruevski dhe partia e tij tentuan ta fusin Maqedoninë në krizë dramatike".

"Vlerësimi i ndërkombëtarëve se nuk ka kushte për zgjedhje të lira dhe anulimi i rezolutës për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, dëshmojnë qartë se sa të rëndësishme janë zgjedhjet e lira dhe demokratike për vendin. Asgjë më nuk varet nga Nikolla Gruevski. Në Maqedoni duhet dhe do të ketë zgjedhje të lira. LSDM-ja do të marrë përgjegjëisinë për të drejtuar vendin me fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare“, ka deklaruar Zaev në një dalje të jashtëzakonshme për mediat rreth një orë pas miratimit të vendimit në Kuvend.

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski tha se ka pranuar ndryshimin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve pas garancive që ka marr nga bashkësia ndërkombëtare se kjo do të jetë shtyerja e vetme dhe se nuk do të ketë kushtëzime të reja qoftë për mediat, qoftë për listën zgjedhore pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor do të ketë kohë të mjaftueshme për kryerjen e detyrimeve ligjore.

Veç kësaj, Gruevski tha se ka marrë garanci edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim se mbështet fuqishëm vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor pavarësisht nëse në to merr pjesë ose jo LSDM-ja opozitare.

“Me këtë shtyerje i japim shansin e fundit LSDM-së që të dalin në zgjedhje dhe ta shoh në sy popullin të cilit i imponoi krizën politike.Vetëm me daljen në zgjedhje fitohet legjitimitet nga populli. Ne kemi bërë kompromisin për interesa shtetërore, për të mirën e popullit. Më 5 qershor do të turpëroheni nga vetja juaj, do të shihni se kush është fituesi, e kush i humburi".

"Në këto zgjedhje do të ketë referendum në mbështjet të VMRO-së,në këto zgjedhje ju do të humbi edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve të cilën dolëm me vlerësimin e tyre të mbështetur në vend politik dhe të paargumentuar“, ka deklaruar Gruevski.

Marrëveshja politike për anulimin e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e adtës së re të zgjedhjeve u arritë pas takimeve maraton të përfaqësuesve ndërkombëtar, në veçanti ambasadorit amrikan, Jess Baily dhe tre europarlamentarëve, Riard Houit, Ivo Vajgel dhe Eduard Kukan me përfaqësuesit e katër partive kryesore politike.

XS
SM
MD
LG