Ndërlidhjet

Nisma kundërthënëse për amnistimin e mashtrimeve zgjedhore


Foto nga Arkivi - Objekti i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni
Foto nga Arkivi - Objekti i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë ka vendosur ta shqyrtojë një nismë të një avokati, për shfuqizimin e një vendimi nga viti 2009, për t'ia kthyer Presidentit të shtetit të drejtën e faljes së personave të dyshuar, apo që pritet të gjykohen për mashtrime zgjedhore, por edhe për vepra tjera të rënda penale.

Kjo e drejtë e Presidentit ishte anuluar nga Gjykatat Kushtetuese para shtatë vitesh, pas një nisme të VMRO DPMNE-së, për shkak të vendimit të Presidentit të atëhershëm, Branko Cërvenkovski, për të amnistuar kryetarin e Strumicës, Zoran Zaev [tani lideri i opozitës maqedonase] lidhur me një aferë korruptive.

Nisma për t'ia rikthyer këtë të drejtë Presidentit është miratuar nga Gjykata, pavarësisht reagimeve të shumta në opinion. Për këtë nismë pritet të vendoset në ditët apo javët në vijim.

Nga opozita kanë thënë se vendimi që mund të miratohet ka për qëllim amnistimin e zyrtarëve të lartë, që janë të dyshuar për mashtrime zgjedhore nga prokuroria speciale, në mesin e të cilëve edhe dy ministra nga radhët e VMRO DPMNE-së, së Nikolla Gruevskit.

Ekspertët juridik thonë se nisma është jashtëzakonisht e rrezikshme për të ardhmen, stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

“Kjo nismë përçon një mesazh të fuqishëm se kjo garniturë qeveritare është e gatshme të amnistojë, jo vetëm personat e dyshuar për mashtrime zgjedhore, por të gjithë personat e tjerë, pa marrëparasysh krimin që mund të kenë bërë.”

“Kjo dëshmon se të gjitha institucionet janë të kriminalizuara. Këtu nuk bëhet fjalë për interpretime juridike, por për përpjekje për të ndihmuar apo shpëtuar të gjithë ata persona të përshirë në krime“, thotë Aleksandar Tortevski, njohës i çështjeve juridike dhe avokat në shumë procese gjyqësore të sferës politike.

Ngjashëm vlerëson edhe Temelko Ristevski, profesor i së drejtës penale në Universitetin Fon të Shkupit.

Sipas tij, miratimi eventual i vendimit për t’i kthyer Presidentit të drejtën e amnistisë së veprave që kanë të bëjnë me falsifikimet zgjedhore, paraqet rrezik të madh që në zgjedhjet e ardhshme të ndodhin mashtrime të tmerrshme zgjedhore, dhe të gjithë që bëjnë një gjë të tillë, të amnistohen nga presidenti i shtetit.

“Një vendim i tillë i inkurajon të gjithë ata që kanë bërë parregullsi në procesin zgjedhor, që të njëjtën ta bëjnë edhe në të ardhmen. Pra, të gjithë kriminelët dhe dhunuesit e procesit zgjedhor do të viheshin në mbrojtje të shtetit. Diçka e tillë nuk ndodhë në asnjë vend të botës.”

“ Me këtë, pushteti tregon se nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara, nga tensionet që kanë nxitur manipulime zgjedhore, nga raportet e shumta të bashkësisë ndërkombëtare, pra, nuk ka nxjerrë mësim se pikërisht mashtrimet zgjedhore edhe e kanë nxitur krizën politike në vend“, thotë Ristevski.

Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike, thotë se nisma është në kundërshtim me kushtetutën e vendit, pasi presidenti ka të drejtën e faljes, por vetëm pas hyrjes në fuqi të vendimeve gjyqësore, apo pasi të dënuarit ta kenë vuajtur të paktën një të tretën e dënimit.

“Në këtë rast, kemi të bëjmë me veprim politik, që është në kundërshtim të plotë me kushtetutën dhe me kompetencat e shtetit, dhe më tepër ka karakter politik, për të mbuluar veprat kriminale që po bëhen nga vet aparati shtetëror. Pra, përfshirja e presidentit të shtetit në këtë rast edhe një herë e përforcon kriminalitetin e organizuar në përgjithësi në Maqedoni“, ka deklaruar Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike.

Nisma ka nxitur reagimin edhe të përfaqësuesve ndërkombëtar në vend. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Charles Garreth, ka pyetur i habitur, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se “çfarë janë këto informacione për aktivizimin e amnistisë për mashtrime zgjedhore“.

XS
SM
MD
LG