Ndërlidhjet

Këtë muaj, vlerësimi i kritereve për liberalizim vizash


Ilustrim
Ilustrim

Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian pritet që gjatë mesit të muajit mars ta dërgojnë në Kosovë misionin vlerësues me ekspertë, të cilët do të vlerësojnë nëse janë përmbushur tetë rekomandimet e fundit, të cilat kanë dalur nga raporti i Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën, i cili ishte publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ministri i Integrimeve Evropiane i Qeverisë së Kosovës, Bekim Çollaku. Ai e ka quajtur të tejzgjatur dhe të vonuar procesin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Jemi të sigurt që, përkundër këtyre zvarritjeve të qëllimshme dhe të panevojshme, ky mision vlerësues do të konstatojë se Kosova shumë kohë më parë i ka plotësuar edhe këto tetë rekomandime, të cilat kanë qenë të konsideruara si të hapura.”

“Mendojmë që është momenti i fundit që Komisioni Evropian të jep rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, sepse, Kosova, krejt në mënyrë të padrejtë, po mbahet e izoluar dhe po diskriminohet në aspektin e lëvizjes së lirë”, ka thënë Çollaku.

Ministri Çollaku ka theksuar se është i sigurt që, tash e sa kohë, nuk ka mbetur asnjë kriter i papërmbushur për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, përveç ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Megjithatë, sipas tij, ky kriter është cilësuar si monitorues dhe mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, në asnjë rrethanë, të paktën në fazën e tanishme, nuk është pengesë për dhënien e rekomandimit pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën.

“Sa i përket kushteve, ne kemi sqaruar disa herë se në rastin e Kosovës ato janë dyfishuar dhe një pjesë e tyre, lirisht mund të konsiderohen politike. Çështja e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi nuk mund të jetë një kriter që vlenë vetëm për një shtet, sepse demarkacioni i kufirit bëhet për dy shtete. Në qoftë se kjo çështje është futur si kriter për Kosovën, normalisht që pyetja logjike do të ishte se pse nuk ka qenë kjo kriter teknik edhe për malin e Zi”, ka thënë ministri Çollaku.

Por, njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se edhe në rast se misioni vlerësues i dërguar nga Komisioni Evropian do të vlerësojë se janë përmbushur kriteret teknike, kjo nuk nënkupton me automatizëm një vendim për liberalizim vizash për Kosovën.

Avni Mazreku, profesor i së Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e lirë, vlerëson se indikacionet nuk janë në favor të një vlerësimi pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën. Kjo, sipas tij, për shkak se Kosova nuk ka arritur ta shtyejë vullnetin politik në Bashkimin Evropian që të jetë pozitiv dhe në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Krejt këto zhvillime që kanë ndodhur me Kosovën dhe lidhur me Kosovën, pra, zhvillimet politike, nuk kanë qenë të shëndetshme për të krijuar një klimë të favorshme për marrjen e një vendimi politik të favorshëm për Kosovën.”

“Mbi të gjitha, zvarritjet e Qeverisë së Kosovës për amandamentimin, përkatësisht, ndryshimin e ligjit për prokurimin publik. Dihet që prokurimi publik është pika ose burimi kryesor i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për çka Kosova më së shumti kritikohet, është pikërisht ky fenomen. Realisht, unë nuk bëj pjesë në grupin e optimistëve që një vendim do të merret së shpejti sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovë” , ka thënë Mazreku.

Profesor Mazreku ka shpjeguar se vendimi pozitiv do të duhej që fillimisht të konkludohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, që kompozohet nga ministrat e brendshëm të vendeve anëtare. Vendimi i tillë, sipas tij, do të duhej të ishte sipas shumicës së kualifikuar, që nënkupton përfaqësimin e 65 për qind të qytetarëve të Bashkimit Evropian. Së paku, 55 për qind e shteteve duhet të jenë në favor të këtij vendimi.

Versioni i dytë, i shumicës së kualifikuar, siç ka thënë profesor Mazreku, nënkupton që njëri nga shtetet anëtare të BE-së mund të thirret në sistemin e vjetër të votimit, që nënkupton shpërndarjen e peshës së votës në shtetet veç e veç.

Por, edhe në rast së janë pozitive për Kosovën votimet në dy versionet e para, sipas tij, mund të aktivizohet e ashtuquajtura pakica bllokuese, që mund të kompozohet nga katër shtete, të cilat duhet të përfaqësojnë së paku 35 për qind të popullsisë.

Pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e kanë fuqinë e bllokimit të vendimit, por, sipas profesor Mazrekut, kjo mund të ndodhë nga ndonjëra prej shteteve që e kanë njohur Kosovën, por që nuk janë të kënaqura me ecjen e Kosovës në përmbushjen e kritereve teknike, si dhe me veprimet e caktuara që kanë të bëjnë me vullnetin politik të strukturave institucionale të Kosovës.

XS
SM
MD
LG