Ndërlidhjet

Bashkimi Evropian dhe Turqia nisin zbatimin e planit për migrantë


Arritja e grupit të parë të migrantëve në Turqi, 4 prill 2016
Arritja e grupit të parë të migrantëve në Turqi, 4 prill 2016

Dy anije pasagjerësh, që bartnin 131 migrantë, kanë arritur të hënën në qytetin turk të Dikilit, të shoqëruara nga dy anije të Rojës Bregdetare turke, dhe nga një helikopter që qëndronte gjatë gjithë kohës mbi ta, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Një zyrtar i Rojës Bregdetare në ishullin grek të Chios tha se 66 njerëz, shumica prej të cilëve afganë, gjithashtu janë dërguar prapa në Turqi, të hënën, me një anije të tretë.

Këto janë grupet e para të njerëzve që deportohen në Turqi, bazuar në marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, për të kufizuar numrin e migrantëve në Evropë.

Ministri turk për Çështje Evropiane, Volkan Bozik ka folur sot në Ankara për grupin e parë të migrantëve që janë dërguar nga Greqia në Turqi, sipas marrëveshjes BE-Turqi.

“Nuk ka sirianë në grupin që ka arritur. Ka migrantë nga Iraku, Pakistani dhe Bangladeshi, në mesin e grupit të parë që ka arritur. Posa të arrijnë sirianët, ne do t’i regjistrojmë ata dhe do t’i informojmë zyrtarët evropianë se kemi pranuar një numër të caktuar të sirianëve, në mënyrë që ata të pranojnë një numër të njejtë të sirianëve atje. Kështu do të funksionojë ky mekanizëm”, ka thënë Bozik.

Nga ana tjetër, grupi i parë i refugjatëve sirianë ka arritur me aeroplan në Gjermani, nga Turqia, sipas marrëveshjes së fundit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ankarasë, për të vënë nën kontroll krizën me migrantë, ka njoftuar sot policia gjermane.

Grupi prej 16 migrantësh arriti në qytetin verior të Hanoverit mëngjesin e së hënës, në një fluturim nga Stambolli.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Ankaraja do të pranojë të gjithë migrantët dhe refugjatët, përfshirë ata sirianë, të cilët kanë hyrë në Greqi ilegalisht, në këmbim të BE-së që merr me mijëra refugjatë sirianë direkt nga Turqia, pastaj dhënies së më shumë parave për Turqinë, udhëtim më të shpejtë pa viza për qytetarët e saj, si dhe progres në negociatat për anëtarësim në BE.

Shumica e të kthyerve nga Greqia në Turqi janë nga Pakistani dhe Bangladeshi, u ka thënë gazetarëve Ewa Moncure, një zëdhënëse e kësaj agjencie evropiane.

“Procedura ka qenë shumë e qetë dhe gjithçka ka shkuar sipas planit”, ka sqaruar ajo.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Efkan Ala ka thënë se vendi i tij është i gatshëm t’i pranojë të hënën 500 njerëz, ndërsa autoritetet greke kanë dhënë 400 emra, edhepse këto shifra mund të ndryshojnë.

Ndërkohë, në ishullin e afërt të Chios, policia u përplas me banorët lokalë, gjatë një proteste kundër deportimeve të planifikuara atje.

“Kjo është dita e parë e një kohe shumë të vështirë për të drejtat e refugjatëve. Pavarësisht boshllëqeve serioze ligjore dhe mungesës së mbrojtjes adekuate në Turqi, BE-ja po vazhdon përpara me një marrëveshje të rrezikshme”,i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Press, Giorgos Kosmopoulos, kryetar i Amnesty International në Greqi.

Ai ka shtuar se Turqia nuk është një vend i tretë i sigurt për refugjatët dhe se autoritetet e BE-së dhe Greqisë e dinë këtë gjë dhe ato nuk arsyetohen.

Ndërsa Boris Cheshikov, një zëdhënës i organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se janë më shumë se 2000 njerëz që kanë theksuar se duan të kërkojnë azil. Cheshikov ka kërkuar nga autoritetet greke, që i kryejnë shërbimet e azilit, të ofrojnë një proces të besueshëm për ata që duan t’i shprehin brengat e veta.

Agjencia shtetërore e lajmeve ANA ka raportuar se rreth 250 migrantë nga Bangladeshi, Pakistani, Shri Lanka dhe shtetet afrikane do të dërgohen prapa në Turqi, në baza ditore, nga e hëna deri të mërkurën.

Deportimi planifikohej të fillonte me migrantët që nuk kishim aplikuar për azil, apo aplikacionet e të cilëve ishin shpallur të papranueshme.

Rreth 50 mijë migrantë dhe refugjatë po qëndrojnë në Greqi, pas mbylljes së kufijve në Ballkan dhe Bashkimin Evropian.

Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë në muajin mars, në përpjekje për ta shpërndarë krizën më të keqe me migrantë në këtë kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore, me më shumë se 1 milion njerëz që kanë ardhur në BE nga Lindja e Mesme, si dhe vende të tjera, vitin e kaluar.

Sipas marrëveshjes, e cila është dizajnuar për ta ndalur fluksin e migrantëve, që vjen kryesisht nga Turqia, të gjithë “migrantët e parregullt”, që kanë arritur nga 20 marsi, do të dërgohen prapa në Turqi, edhe pse marrëveshja bën thirrje që çdo rast të trajtohet individualisht.

Për çdo refugjat sirian të kthyer, një tjetër do të zhvendoset nga Turqia në BE, me një shifër që mund të arrijë deri në 72 mijë refugjatë.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG