Ndërlidhjet

logo-print

Serbia dhe vetëpërmbushja e profecisë ruse

  • Gordana Knezheviq, Radio Evropa e Lirë

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq

Pluhuri ende nuk është ulur nga zgjedhjet parlamentare të 24 prillit në Serbi. Në shumicën e vendeve evropiane, fitorja e qartë e kryeministrit Aleksandër Vuçiq dhe Partisë së tij Përparimtare konsiderohet si shenjë se një atmosferë pro-perëndimore po mbizotëron në Serbi.

Kjo është pjesërisht e vërtetë, por realiteti është shumë më i komplikuar. Përparimtarët e Vuçiqit kanë përjetuar ulje të radhitjes së tyre në parlament (27 ulëse në kohën kur është shkruar artikulli), edhe pse kryeministri bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme me qëllim të forcimit të mandatit të tij. Nga ana tjetër, për shumë njerëz të partisë së Vuçiqit, Bashkimi Evropian nuk është prioritet.

Mediat ruse gjithashtu i shohin zgjedhjet në Serbi si një referendum të vendit për bashkim në bllokun evropian. Ato e kanë përmendur qëndrimin në dukje pro-evropian të shumicës, por mediat ruse preferojnë të fokusohen në suksesin e dy partive të krahut të djathtë: partisë Radikale dhe partisë Dveri. Që të dyja e kundërshtojnë integrimin e Serbisë në BE dhe mbështesin lidhje më të ngushta me Rusinë. Ato e kundërshtojnë çdo dialog mes Beogradit dhe Prishtinës.

Aktualisht, Dveri është e përfshirë në një mosmarrëveshje me komisionin zgjedhor në Serbi për numërimin e votave përfundimtare dhe rrezikon të mos e fitojë asnjë ulëse në parlamentin e ri, pavarësisht sigurimit të rreth 5 për qind të votave. Nacionalisti Vojsllav Sheshel do t’i kontrollojë 22 ulëse, për dallim nga legjislatura e kaluar, kur nuk e kishte asnjë.

Shesheli në veçanti e gëzon përkrahjen e disa zyrtarëve rusë dhe ka pranuar një vëmendje joproporcionale në mediat ruse. Kur zëvendëskryeministri rus, Dmitry Rogozin, vizitoi Serbinë në muajin janar, ai shkaktoi një hallakamë pasi mbajti një takim privat me Sheshelin. Ringjallja e partive të krahut të djathtë në Serbi, e në veçanti ajo e Sheshelit, janë interpretuar në disa media ruse si reagim ndaj “politikave pro-evropiane të Vuçiqit”.

Në fund të muajit prill, ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandr Chepurin, shkoi në selinë e Partisë Radikale për ta uruar Sheshelin për rezultatet e korrura në zgjedhje.

Sa i përket vëzhguesve rusë, ngritja e krahut të djathtë – dhe jo fitorja e Vuçiqit – është rezultati i vërtetë i këtyre zgjedhjeve. Ata ende e parashohin një rrugë të vështirë drejt anëtarësimit në BE të Serbisë. Moska qartazi nuk e pret asnjë kthesë “anti-ruse” në politikën e jashtme serbe, pasi, sipas tyre, ‘kundërshtimi i partive ndaj NATO-s dhe përkrahja e lidhjeve më të ngushta me Moskën” ka pësuar rritje.

Gazeta ruse, me bazë në Moskë, Kommersant, ka shkruar se Serbia duket se po nxiton për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por se ajo nuk do t’ia kthejë asnjëherë shpinën Rusisë.

Gazeta veçse po i parasheh zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 në Serbi, me parashikimet se ato do të jenë një test për Beogradin dhe marrëdhëniet e tij me BE-në dhe Rusinë.

Kommersant sugjeron se qëllimi i Vuçiqit është të fitojë një shumicë aboslute në parlament, në mënyrë që të vazhdojë me reformat e premtuara, e të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Por, parlamenti i ri i Serbisë mund të mos jetë aq i përshtatshëm për planet e kryeministrit, me radikalët pro-rusë që janë në rrugë për t’i fituar 22 ulëse në parlament, edhe nëse Dveri nuk arrin të marrë asnjë ulëse, për një fije të perit.

“Agjenda pro-evropiane e Vuçiqit do të përballet me vështirësi të mëdha”, paralajmëron Kommersant. Tingëllon si parashikim, por realisht është një premtim: se fuqia ruse do ta vështirësojë rrugën e Serbisë për në BE sa më shumë që të mundet.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga organizata joqeveritare “Qendra për Shoqëri të Hapur”, aktualisht janë 40 portale të internetit dhe organizata që e promovojnë Rusinë dhe interesat e saj në Serbi, lënë anash Radio Sputnikun.

Makina e propagandës ruse sigurisht nuk mund të fajësohet për përpjekje, e nga ana tjetër Shesheli po përjeton një valë të paparashikueshme të popullaritet, pas vendimit të Hagës që e shpalli atë të pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Sidoqoftë, nëse Shesheli shihet si basti më i mirë i Rusisë për ta bllokuar rrugën e Serbisë drejt reformave demokratike dhe bashkimit në BE, atëherë Moska është duke e përkrahur personin e gabuar. Ai mund t’i trembë kujdestarët e kuajve përpara ndërtesës së parlamentit serb, siç ka sugjeruar një karikaturist serb, por ai nuk e ka as fuqinë e as qëndrueshmërinë për ta formësuar politikën e jashtme serbe, në aspektin afatgjatë.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG