Ndërlidhjet

Kriza politike në Maqedoni shton protestat


Protestë kundër qeverisë, Shkup, 6 maj 2016
Protestë kundër qeverisë, Shkup, 6 maj 2016

Maqedonia po hyn në javën e katërt të protestave të sektorit civil, të organizuara nga shoqata me emrin “Protestoj”, ndërsa të hënën ato pritet të zgjerohen edhe me protestat e Këshillit Opozitar Shqiptar.

Protestat e sektorit civil po mbahen kundër pushtetit aktual, para së gjithash kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për faljen e zyrtarëve të inkriminuar.

Ndërsa, protesta e Këshillit Opozitar Shqiptar, do të mbahet me rastin e 9 majit, ditës së Evropës, si dhe një vjetorit të aksionit policor në Kumanovë.

Në këtë aksion mes policisë dhe një grupi të armatosur, që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, mbetën të vrarë 22 persona; 8 pjesëtarë të forcave të sigurimit dhe 14 nga grupi i armatosur.

Edhe luftimet e 9 dhe 10 majit në lagjen e trimave në Kumanovë, por edhe vendimi i presidentit Ivanov, ndërlidhen me atë që njihet si aferë e përgjimeve, që edhe ka nxitur krizën më të madhe politike në vend.

Aksioni në Kumanovë thuhet të jetë inskenuar nga pushteti për të shpërqëndruar vëmendjen nga afera e përgjimeve, ndërsa vendimi i presidentit për të falur zyrtarët, hetimet ndaj të cilëve u nisën pikërisht nga përmbajtja e bisedimeve të përgjuara telefonike që i kishte publikuar opozita. Por, sa protestat kanë arritur të sensibilizojnë opinionin për qëllimin e tyre?

“Mendoj se çdo protestë e cila është në frymën e rrënimit të këtij pushteti, apo e ndryshimit të konceptit dhe sistemit të funksionimit të shtetit, ndikon në sensibilizimin e opinionit.”

“Nga kjo del se këtë krizë politike nuk mund ta zgjidhin fajtorët, apo ata që edhe e kanë sjellë këtë krizë politike, andaj vlerësoj se qoftë sektori civil, partitë opozitare, apo format e ndryshme, siç është edhe Këshilli Opozitar, munden në një formë të kyçen në dhënien e propozimeve, apo zgjidhjeve se si duhet të ndërtohet Maqedonia pas kësaj krize të thellë në të cilën na ka zhytur regjimi aktual”, thotë Arianit Hoxha, nga Këshilli Opozitar Shqiptar.

Ai vlerëson se nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet Maqedonia shqiptarët janë më të dëmtuarit, gjë që, siç thotë ai, dëshmohet me aksionin policor në Kumanovë, ku pësoi një popullatë e tërë, por edhe me aksione e procese gjyqësore të montuara, siç është rasti “Monstra”, “Sopoti”, e raste tjera, ku viktimë ishin shqiptarët.

“Shqiptarët më shumë se kurrë tani duan të shprehin revoltën e tyre, pasi që janë më të dëmtuarit nga proceset politike, sidomos tani me qeverisjen e VMRO-së dhe BDI-së. Ky duhet të shërbejë si një mesazh i fuqishëm,të cilin duhet ta shqyrtojë qeveria maqedonase,se shqiptarët janë të gatshëm për të bërë ndryshimin dhe për të mos qenë më dekor ashtu siç na paraqisnin partitë shqiptare deri më sot”, thotë Arianit Hoxha nga Këshilli Opozitar Shqiptar në Maqedoni.

Ndërkohë, duke komentuar protestat e sektorit civil, komunikologu Marko Troshanovski thotë se ato përkundër vështirësive të shumta, ia kanë arritur qëllimit në sensibilizimin e opinionit.

“Mendoj se protestat qytetare që nisën menjëherë pas vendimit te presidentit për faljen e zyrtarëve, por edhe ato që nga paraqitja e aferës së përgjimeve, paraqesin një nga format më të sofistikuara të shprehjes së pakënaqësisë. Këto protesta janë edhe një hap para drejt zhvillimit të kulturës demokratike në Maqedoni. Sektori civil arriti të tubojënjë masë të madhe njerëzish,të profileve të ndryshme , për të shprehur pakënaqësinë ndaj zhvillimeve në vend, në veçanti vlen të theksohet se në protesta dolën një numër i madh i qytetarëve të paparëcaktuar, të atyre që ishin në margjina të zhvillimeve politike.”

“ Në këto protesta konsideroj se u arrit të sensibilizohet opinioni më i gjërë për gjithçka që po ndodhë në shtet. Veprimi i radhës i lëvizjes qytetare do të jetë që pas sensibiliizmit të arrijnë edhe të realizojnë kërkesat e tyre për çka edhe janë thirrur protestat. Se a do të arrijnë në këtë, mbetet në shihet”, thotë komunikologu Marko Troshanovski.

Por, përveç protestave, në Maqedoni është e pranishme edhe një dukuri tjetër, ajo e kundër protestave, të organizuara nga njërëz të afërt të pushtetit, me qëllim të, siç thuhet,“mbrojtjes së institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike”.

Kundër protestat aktivizohen çdo herë kur rritet intensiteti i protestave të sektorit civil, që mbështeten nga opozita. Në disa raste forcat e sigurimit kanë arritur të evitojnë përplasjet mes dy grupeve.

“Ideja e kundër protestave është që të shpërqëndrohet vëmendja e opinionit nga protestat tjera dhe kërkesat e paraqitura. Pra, bëhet fjalë për një mjet politik marketingu dhe si i tillë ndoshta edhe ka pasur sukses, por edhe çështje tjetër se sa një veprim i tillë është etik”, thotë Troshanovski.

Ndryshe, protestat e sektorit civil kanë nisur më 12 prill, ditën kur presidenti Gjorge Ivanov mori vendimin për faljen e mbi 50 politikanëve që po hetoheshin nga prokuroria speciale për krime nga më të ndryshmet, si mashtrime zgjedhore, presione ndaj gjykatave, hakmarrje ndaj kundërshtarëve politik, kriminalitet ekonomik, e vepra tjera penale. Nga shoqata “Protestoj” kanë thënë se protestat do të vazhdojnë deri sa nuk arrihet qëllimi përfundimtar.

XS
SM
MD
LG