Ndërlidhjet

Territori i IS-it po tkurret

  • RFE /RL

Irak -- Luftëarët irakianë nga forcat pro-qeveritare mbajnë një flamur të Shtetit Islamik në provincën Anbar, 5 maj 2016

Irak -- Luftëarët irakianë nga forcat pro-qeveritare mbajnë një flamur të Shtetit Islamik në provincën Anbar, 5 maj 2016

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në kolicionin që lufton militantët e Shtetit Islamik ka thënë se grupi ka humbur kontrollin e disa territoreve në Irak dhe Siri.

Grupi është në defensivë dhe “ky kalifat i neveritshëm po tkurret”, ka thënë Brett McGurk, teksa ka folur në Aman të Jordanisë.

Shteti Islamik kontrollon qytetin e Mosulit në Irak dhe të Rakës në Siri. Grupi ekstremist ka marrë përgjegjësinë për sulmet terroriste në Paris, nëntorin e kaluar, dhe në Bruksel, në muajin mars.

McGurk ka thënë se përpjekjet e koalicionit, që udhëheqin Shtetet e Bashkuara, për të rikthyer Mosulin dhe Rakën, janë duke shënuar përparim.

“Jemi duke kryer sulme precize në Mosul gati çdo ditë. Po bëhet një presion i sinkronizuar dhe i vazhdueshëm”, ka thënë McGurk.

Ai ka përmendur një operacion të kohëve të fundit, në të cilin koalicioni ka identifikuar dhe sulmuar pikat e grumbullimit të parave të Shtetit Islamik në Mosul dhe “ka marrë qindra miliona dollarë nga arkat e tyre”.

Një gjë e tillë ka bërë që militantët të përgjysmojnë pagesat për luftëtarët e tyre. McGurk nuk ka treguar se kur është zhvilluar operacioni.

Nervozizmi i militantëve islamikë është treguar me ekzektuimet publike në sheshin kryesor të qytetit, ka thënë McGurk.

Në Raka, McGurk ka thënë se informacionet nga inteligjenca dhe nga forcat speciale të Shteteve të Bashkuara i kanë mundësuar koalicionit që të marrë shënjestra më të mira kundër militantëve.

“Në javët dhe muajt e ardhshëm, do të nisim fushatën e presionit në Raka në të gjitha aspektet”, ka thënë zyrtari amerikan.

Muajin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka marrë vendim për të rritur numrin e forcave speciale amerikane në veri të Sirisë. Ka qenë ky zgjerimi më i madh i këmbësorisë amerikane në Siri, prejse ka nisur lufta civile atje në vitin 2011.

McGurk ka thënë se një gjë e tillë do të përshpejtojë fitoret e forcave lokale kundër Shtetit Islamik.

McGurk ka përmendur po ashtu humbjen që ka pësuar grupi ekstremist në qytetin Shadadi të Sirisë, në muajin shkurt, kundër forcave kurde, të mbështetura nga SHBA-ja.

“Ne nuk duam që forcat amerikane t’i pastrojnë këto qytete. Besojmë se një model i qëndrueshëm është që njerëzit lokalë t’i kthejnë territoret dhe shtëpitë e tyre. Është dashur kohë që të organizohen forcat lokale, por tani kemi vrull të vërtetë”, ka thënë McGurk.

Koalicioni ndërkombëtar që lufton Shtetin Islamik, përfshin 66 vende perëndimore dhe arabe.

Por, derisa Shteti Islamik është duke humbur territor në Irak dhe Siri, degët e tij duket se janë duke u rritur në vendet si Libia.

Lufta e Shtetit Islamik ka bërë që miliona njerëz të ikin nga vendet e tyre dhe të kërkojnë strehim në shtetet fqinje, por edhe në Evropë. (v.tela)

XS
SM
MD
LG