Ndërlidhjet

Shtohet numri i aplikuesve në veri të Mitrovicës për letërnjoftimet e Kosovës

  • RFE /RL

Mitrovicë

Mitrovicë

Udhëheqësja e Zyrës Administrative të Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Adriana Hoxhiq, ka deklaruar se qytetarët serbë në veri të Kosovës, në javën e fundit, kanë shtuar interesimin për marrjen e dokumenteve personale të Kosovës, pas paralajmërimit për liberalizim të vizave për shtetasit kosovarë.

“Më parë kemi pasur dymbëdhjetë aplikime për marrjen e letërnjoftimeve të Kosovës dhe tani ky numër është rritur në dyzet. Letërnjoftimi është kusht për marrjen e pasaportës”, tha Hoxhiq në një tryezë ku flitej për liberalizim të vizave, të mbajtur të hënën në mbrëmje në Mitrovicën e Veriut.

Pjesëmarrësit në tryezë theksuan faktin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të shkaktojë probleme të mëdha për qytetarët serbë në veri të Kosovës, që duhet të nxjerrin pasaportat biometrike, duke numëruar një numër pengesash administrative, që sistemi i Kosovës nuk i ka zgjidhur.

“Një i martuar me një person nga Serbia do ta ketë problem realizimin e së drejtës së tij. Nuk e di se si do të njohë Kosova fëmijët ose edhe bashkëshortët - njëri nga të cilët nuk është nga Kosova – dhe ky do të jetë problemi”, tha Lubisha Mijaçiq, një aktivist për të drejtat e njeriut në Mitrovicë.

Javë më parë, Komisioni Evropian i propozoi Këshillit Evropian dhe Parlamentit të Evropës heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe mundësimin e lëvizjes së lirë për ta në vendet e BE-së.

Komisionari për punë të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, tha në Prishtinë se vetëm pasaportat biometrike të Kosovës do të jenë të pranueshme për udhëtim të qytetarëve të Kosovës pa regjim vizash.

Megjithatë, autoritetet në Beograd dhe njëkohësisht edhe përfaqësues të serbëve në veri kanë theksuar se për serbët e Kosovës do të duhej të vlente pasaporta e lëshuar nga Zyra për Kosovë dhe Metohi e Serbisë, që nuk njihet nga autoritetet në Prishtinë. (a.v.)

XS
SM
MD
LG