Ndërlidhjet

Haindl: Interesat e shtetit para atyre partiakë


I dërguari i posaçëm gjerman për Maqedoninë, Johanes Haindl, pas takimeve me zyrtarët e lartë të Maqedonisë, shkurt ka theksuar se udhëheqësit politik duhet të tregohen të përgjegjshëm kur bëhet fjalë për interesat e Maqedonisë si shtet duke potencuar se ende ka shpresa për zgjidhjen e krizës politike.

“Partitë politike duhet që të vënë interesin e shtetit para atij partiak”, ka porositur shkurt udhëheqësit politik të Maqedonisë, diplomati gjerman Johannes Haindl, duke shtuar në largim se qëndrimet e tij janë në linjë të njëjtë me njoftimet e mëparshme të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini dhe komisionerit për Zgjerim Johannes Hahn.

Pas takimeve me zotin Haindl, nuk kanë dhënë deklarata as përfaqësuesit politikë.

Drejtuesit e katër partive politike, nënshkruese të marrëveshjessë Përzhinos, kanë lëshuar komunikata për mediet, ku theksohet se gjatë takimit me diplomatin gjerman janë diskutuar modalitetet për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se presioni diplomatik gjatë kësaj jave përmes zëvendës-ndihmës sekretarit për çështje Evropiane dhe Euro-aziatike të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, paralelisht me të dërguarin e posaçëm gjerman Johanes Haindl dhe atë holandez, drejtorin gjeneral për Bashkëpunim Evropian, Robert de Groot, kanë dhënë efekte, siç theksojnë të paktën është mbledhur Parlamenti dhe janë anuluar zgjedhjet edhe pse forma për shfuqizimin e vendimit të presidentit Ivanov për amnisti për politikanët, mbetet si pikë ku partitë politike thyejnë shtizat.

“Maqedonia ka shënuar përparim në kuptimin se shteti më nuk do të jetë ai që ishte thënë kushtimisht në epokën e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Tani kemi Prokurorinë Speciale publike e cila në formë shumë profesionale po heton aferat e ndryshme korruptive ku të përfshirë paraqiten zyrtarë të lartë të shtetit, pra rritet vetëdija tek opinioni. Ne nuk mund të presim që gjërat të ndryshojnë brenda 24 orëve të cilat kanë lëshuar rrënjë 11 viteve të fundit".

"Nëse mund të shprehemi kështu, Maqedonia si shtet është duke vuajtur dhimbjet e lindjes së demokracisë, andaj dhe nuk duhet shikuar me dëshpërim arritjet pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare sepse veprimi diplomatik është veprim i kujdesshëm, hap pas hapi”, vlerëson Nano Ruzhin.

Ndërkaq, Alajdin Demiri, ish diplomat, konsideron se qëndrimi i përfaqësuesve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, tregon vendosmërinë e qendrave vendosëse për ta nxjerrë Maqedoninë nga kriza e thellë politike në të cilën është zhytur.

“Ky presion është ai aq sa mund të bëhet në mënyrë diplomatike. Mirëpo, kemi të bëjmë me një situatë të re ku politikanët në Maqedoni, posaçërisht liderët e partive qeveritare VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, janë një hap para me manipulimet e tyre kundrejt angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës. Partitë politike kur pranojnë një pjesë të sugjerimeve të diplomatëve e shtrembërojnë duke krijuar kriza të reja".

"Tani hap i ardhshëm do të jetë amnistia e politikanëve ku do të mundohen të ndihmojnë presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov të del nga kjo situatë duke krijuar një zgjidhje që do të jetë as amnisti e as jo amnisti për politikanët", tha Demiri.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se presioni i faktorit ndërkombëtar tani do të jetë më i madh në tërheqjen e tërësishme të faljes së presidentit Gjogje Ivanov dhe krijimit të kushteve për funksionimin e Prokurorisë Speciale.

XS
SM
MD
LG