Ndërlidhjet

Kriza në Maqedoni, pa shenja zgjidhjeje


Kuvendi i Maqedonisë...
Kuvendi i Maqedonisë...

Vendimet e fundit të shumicës parlamentare, për anulimin e datës së zgjedhjeve, shkarkimin e ministrave të opozitës nga qeveria kalimtare dhe miratimin e ndryshimeve të Ligjit për falje, që i paraprin vendimit të Gjykatës Kushtetuese për hapjen e debatit për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtyre vendimeve, sipas njohësve të çështjeve politike dhe juridike, nuk e kanë zgjidhur krizën politike në vend.

Ata konsiderojnë se vendimet jo vetëm që janë miratuar pa pëlqimin e opozitës, por ato vlerësohen edhe si rrënuese të marrëveshjes politike, në rastin e largimit të ministrave të LSDM-së nga Qeveria dhe miratimin e ndryshimeve për falje, vendim që vlerësohet si selektiv.

“Me ndryshimet e Ligjit për falje, gjendja nuk do të ndryshojë dhe jo vetëm kaq, me këto ndryshime vlerësoj se është bërë një precedent i paparë, pasi puna e shumë institucioneve vihet në pikëpyetje. Ndryshimet e miratuara nuk obligojnë presidentin të tërheqë vendimin. Atij i mundësohet që, nëse dëshiron, të mund të anulojë ndonjë vendim që ka miratuar, por assesi nuk mund të flasim për anulimin e vendimit”.

"Pra, tërheqja e tij mund të jetë selektive, por kurrsesi e plotë, siç kërkon i gjithë faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Veprimi selektiv i presidentit, do të ishte gjëja më e keqe në krizën, në të cilën ndodhemi”, thotë Margarita Caca Nikollovska, eksperte juridike dhe ish-gjykatëse në Gjykatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strasburg.

Ajo vlerëson se aktet e tilla të shumicës parlamentare mund të rrisin pakënaqësinë, por jo dhe të zgjidhin krizën politike.

“Është e qartë se kjo Qeveri, ky Parlament dhe satelitët e tjerë rreth tyre, po bëjnë gjëra që nuk janë të mira për Maqedoninë. Po ndodhin veprime, me të cilat as që mund të flitet për ndonjë lëvizje në zgjidhjen e krizës politike. Pushteti po tenton të krijojë përshtypjen se gjoja po angazhohet për zgjidhjen e krizës, që në fakt po e ndërlikon edhe më shumë. Kjo nxit revoltë te popullata, kjo paraqet rrezik për vendin”, thotë Nikollovska.

Ajo shton se kriza mund të kapërcehet vetëm me një bashkëpunim më të sinqertë ndërmjet partive, në përputhje me marrëveshjen politike, pasi çdo devijim nga përcaktimet e saj, edhe më shumë do të thellonte krizën.

Por, ndryshe nga Nikollovska, vlerëson Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike. Ai konsideron se vendimet e fundit janë të pavlefshme, pasi të gjitha institucionet, sipas tij, tashmë kanë humbur kredibilitetin.

Sinani thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht vendimit selektiv për faljen dhe tjetrit për anulimin e zgjedhjeve, të gjithë zyrtarët e përfshirë në krime, duhet të përgjigjen dhe vetëm atëherë, siç thotë ai, kriza do të nisë të zgjidhet.

“Realisht, kreatorët e krizës janë këto dy parti,pasi me qeverisjen e tyre të keqe,e kanë sjellë Maqedoninë në këtë gjendje. Vendimet e tyre tashmë janë të parëndësishme. Ato mund të bëjnë gjithçka, por Prokuroria Speciale është ajo e cila duhet të hetojë mbi të gjitha abuzimet, të cilat po flasim, mbi faljet, vendimet, shpërndarjen e Parlamentit, e deri te gjykata ku me telefon i thirrin dhe i kërcënojnë që t'i lirojnë njerëzit që akuzohen për krim dhe korrupsion”.

“Pra, këto institucione nuk kanë kredibilitet dhe në bazë të kësaj mund të marrin vendime të ndryshme, por një ditë do të ketë një Parlament, i cili të gjitha do t'i hedhë poshtë”, thotë Sinani, duke pritur veprim më të fuqishëm edhe nga bashkësia ndërkombëtare, në të kundërtën, ai nuk përjashton mundësinë e sanksioneve dhe masave tjera që mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.

“Mendoj se ndërkombëtarët e kanë një agjendë dhe në bazë të asaj do të veprojnë në Maqedoni. Ndryshe nëse nuk dëgjon kjo garniturë qeverisëse Maqedonia do të kalojë në izolim dhe ne e pamë si reflektohet kjo, për një javë bankat filluan të zbrazen. Kjo tregon se mund të ketë taktika të ndryshme për të detyruar këtë qeverisje të keqe që të dorëhiqet dhe t'u hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, thekson Sinani.

Ndryshe, përveç anulimit të datës së zgjedhjeve dhe miratimit të ndryshimeve për falje, shumica parlamentare ka ndryshuar edhe Ligjin për mbrojtjen e privatësisë, me të cilat ndalohet publikimi i të gjitha materialeve nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Një veprim i tillë i partive në pushtet, gjithashtu, është vlerësuar si precedentë pasi me këtë, sipas njohësve të çështjeve politike, pushteti demonstron forcën ndaj të gjithë atyre që do të publikonin biseda të përgjuara që mund të përmbajnë jo vetëm biseda private, por edhe me përmbajtje të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

XS
SM
MD
LG