Ndërlidhjet

Qeveria të trajtojë familjet e te dyshuarve për terrorizëm


Ilustrim

Ilustrim

Përfaqësues të mekanizmave të sigurisë në Kosovë dhe ata të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, u kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të gjejnë mënyra për të trajtuar familjet e atyre personave që janë të përfshirë në aktivitete të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Ata thanë se për të parandaluar ekstremizmin për një periudhë më afatgjatë, duhet të adresohen problemet ekonomike dhe sociale, tek familjet e personave të përfshirë në aktivitete radikale.

Në bazë të analizave të publikuara gjatë një konference të zhvilluar në Prishtinë, për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, organizuar nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), së bashku me Policinë e Kosovës, u tha se numri më i madh i atyre që kanë pasur qasje në luftërat në Lindjen e Mesme dhe njëkohësisht të indoktrinuar me ideologji ekstremiste, janë të rinj nga Kosova, që jetojnë në kushte të rënda socio- ekonomike dhe me nivel të ulët të arsimit.

Këta persona janë manipuluar nga individë të caktuar, me joshje të pagave apo aktiviteteve tjera kriminale, të plaçkës, grabitjes apo premtim për një jetë më të mirë sociale në zonat e luftës, u tha nëanalizën e prezantuar.

Madje, një numër nga ata që kanë shkuar në zonat e luftës në Siri dhe Irak, kanë pasur dosje kriminale.

Majori Fatos Makolli, drejtor i Drejtorisë kundër terrorizmit në Policinë e Kosovës, thotë se për të arritur rezultate të dëshiruara, nuk mjafton që Kosova të merret vetëm më pasoja, por nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse.

“Të gjithë e dimë se ekstremizmi në vetë vete nuk paraqet vepër penale. Institucionet e sigurisë punojnë në bazë të ligjeve në fuqi. Megjithatë, për të reaguar Policia e Kosovës duhet të kryhet ndonjë vepër penale. Thjesht, ne si shoqëri duhet të intervenojmë me kohë. Duhet të parandalojmë një ekstremist që të mos bëhet ekstremist i dhunshëm.”

“Duhet të parandalojmë këto me qëllim që të mbrojmë qytetarin tonë, por edhe me qëllim që mos të krijojmë situata kur policia dhe institucionet e sigurisë janë të detyruara të reagojnë, sepse atëherë problemi dhe pasoja vetëm se është krijuar”, ka thënë Makolli.

Makolli tha se është e rëndësishme që të adresohen problemet ekonomike dhe sociale tek familjet dhe tek të rinjtë, në zonat të cilat, sipas tij, janë më të cenueshme.

“Prandaj, duhet të tregohet një kujdes më i veçantë nga institucionet e vendit, për familjet e të gjithë atyre që kanë rënë viktima të këtyre ideologjive, që kanë humbur jetën në konfliktet e pakuptimta dhe anëtarët e familjes kanë mbetur këtu. Atyre që vazhdojnë të jenë në zonën e konfliktit apo që mbesin nëpër burgje apo nën masa tjera në Kosovë.”

“Trajtimi i këtyre familjeve, krijimi i një mirëqenie për këto familje, krijon një afërsi të tyre me institucionet, me shoqërinë kosovare dhe vetëm në këtë formë mund t’i mbrojmë nga ndikimet që ata si familje mund t’i kenë nga organizatat apo individë ekstremist”, ka thënë Makolli.

Nevojën për një trajtim të kujdesshëm të familjeve nga institucionet shtetërore e paraqesin edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Skender Perteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se nëse shteti vepron në mënyrë të kujdesshme ndaj këtyre familjeve, kyështë një aktivitet direkt në riintegrim dhe deradikalizim.

“Në rend të parë duhet të shikojë shkaqet dhe pasojat që kanë ndikuar që këto familje apo persona të radikalizohen. Këto familje duhet të kenë besim tek institucionet e shtetit. Duhet t’i tregohet këtyre familjeve se shteti kujdeset për to dhe e ardhmja e tyre është në Kosovë. Këto familje nuk duhet të bartin pasojat apo paragjykimet pse një anëtar i familjes iu ka bashkuar luftës së Sirisë dhe Irakut”, tha Perteshi.

Edhe Naim Hoxha, këshilltar nacional kundër krimit të organizuar në Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka thënë se angazhimi i disa qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë vendit është sinjal për të gjitha palët e interesit që të ndërmarrin hapa për të parandaluar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.

“Në luftën kundër këtij kërcënimi OSBEpranon se masat reaktive të jenë të shoqëruara me përpjekje parandaluese të fokusuara në adresimin e disa kushteve të favorshme për përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm.”

“Si e tillë, gama e tërë aktiviteteve të OSBE-së, përmes të gjitha misioneve të saj, është fokusuar të kontribuojë drejtpërdrejtë ose tërthorazi për të luftuar këtë çështje në afatgjatë, përmes aktiviteteve të fokusuara në parandalimin e konfliktit, promovimin e të drejtave të njeriut, lirisë se medieve, vendosja e mekanizmave të qeverisjes së mirë dhe gjithashtu jemi të fokusuar në procesin e deradikalizimit dhe integrimin e të kthyerve nga zonat e konfliktit”, ka thënë Hoxha.

Institucionet e Kosovës janë në fazën e fundit për të hartuar programe për deradikalizim dhe reintegrim për të gjithë personat që janë prekur nga kjo ideologji.

Institucionet përgjegjëse të sigurisë kanë theksuar se është i rëndësishëm miratimi i një Ligji mbi bashkësitë fetare në Kosovë.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, por edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë theksuar se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, ka arritur në rreth 300.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, në 8 muajt e fundit nga Kosova nuk është shënuar asnjë rast i pjesëmarrjes në luftërat e huaja. Në verën e vitit 2014, Policia e Kosovës bastisi një numër lokacionesh të dyshuara për veprimtari të jashtëligjshme, dhe arrestoi një numër personash të dyshuar, qoftë për aktivitete që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. Në mesin e të arrestuarve ndodheshin edhe një numër i imamëve të Kosovës. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG