Ndërlidhjet

Shtohet numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje 


Ilustrim
Ilustrim

Dhuna në familje vazhdon të jetë një dukuri e pranishme në nivel mjaftë të lartë në Kosovë. Autoritetet e rendit thonë se për pesë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 395 raste të dhunës në familje, derisa 16 viktima të trafikimit, janë identifikuar këtë vit.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë jep edhe hollësi të tjera.

“Policia e Kosovës, në luftën kundër dukurive negative, përfshirë luftimin e dukurisë së dhunës në familje dhe trafikimin me qenie njerëzore, ka angazhime konsistente, ku tashmë kemi edhe pjesëtarë të trajnuar për këto çështje”, ka thënë Hoxha.

Këtë vit, ka shtuar ai, janë raportuar 395 raste, të dhunës në familje.

“Mendoj se çdo vit po rritet numri i raportimeve, meqenëse në vitet paraprake këto raste janë raportuar më pak”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë.

Edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare për progresin në Kosovë, dhuna në familje përmendet si një njollë, e cila sfidon demokracinë dhe të drejtat e njeriut, të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.

Në Kosovë janë gjithsej dhjetë strehimore joqeveritare dhe një e udhëhequr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku në vit strehohen rreth 100 gra. Aty, kryesisht, strehohen viktima të dhunës në familje dhe të trafikimit.

Por, buxheti për kujdesin ndaj këtyre viktimave mbetet i mangët. Viktimat e dhunës seksuale, ato të dhunës familjare apo të trafikimit, për mungesë buxheti, nuk po gjejnë trajtim për riintegrim në shoqëri.

Naime Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Kosovë, thotë se ka ligje të mjaftueshme për mbrojtjen e grave që janë viktima të trafikimit dhe dhunës në familje, por që, siç shprehet ajo, këto ligje shumë pak po zbatohen.

“Zakonisht, prej vitit në vit, po përsëritet numri i njëjtë i grave, viktima të dhunës në familje apo forma tjera të abuzimit. Sa u përket ligjeve, ligje ka por implementimi mungon. Ka shumë zbrazëti. Buxheti është shumë i vogël apo nuk ndahet fare buxhet për to, derisa për rehabilitim duhet kosto shumë e lartë në gjithë procesin e trajtimit të dhunës”, thotë Sherifi.

Në momentin kur mungojnë mjetet më elementare, sipas saj, nuk mund të vijë në shprehje çështja e riintegrimit.

“Kjo kërkon kohë dhe është proces që përfshin brenda vetes shumë aspekte; si aspektin e ngritjes profesionale, atë të vetëdijes e deri te punësimi’’, ka thënë Sherifi.

Në anën tjetër, Edi Gusia, ushtruese e detyrës së kryeshefes ekzekutive në zyrën për Barazi Gjinore, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është në fazën e buxhetimit për programin kundër dhunës në familje.

Ky program është hartuar nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht nga zyra e koordinatorit nacional për mbrojtje nga dhuna në familje. Tashmë është hartuar edhe drafti final, dhe tash për tash janë duke u bërë përllogaritjet buxhetore dhe më pas do dorëzohet në Qeverinë e Kosovës për miratim”, ka thënë Gusia.

Në mesin e grave të strehuara në qendra, shumë nga to kanë edhe fëmijët e tyre me vete. Në Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, drejtoresha Donjeta Kelmendi, ka thënë fëmijët të cilët kanë nevojë për përkujdesje, e që tashmë janë në qendra rezidenciale në Kosovë, ballafaqohen me mungesë buxheti, duke rrezikuar ofrimin e këtyre shërbimeve.

“Ne kemi kërkuar që pragu i minimumit të rritet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por edhe nga ministri të tjera, në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e funksionimit dhe të ketë shërbime më kualitative për fëmijët. Ne kemi kërkuar që edhe komunat të financojnë këto strehimore, për të rritur cilësinë e shërbimeve për këta fëmijë të strehuar që kanë përjetuar dhunë”, ka thënë Kelmendi.

Ndryshe, buxheti që ndan Qeveria e Kosovës për viktima të dhunës në familje, si dhe ato të trafikimit, është 206 euro në muaj për person, e që sipas udhëheqësve të qendrave për mbrojtjen e grave, ato janë të pamjaftueshme, pasi me të hollat e ndara duhet të ushqehen, veshëmbathen dhe të mbulohen komplet shërbimet që nevojiten. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG