Ndërlidhjet

logo-print

Lista e votuesve, me shumë votues të dyshimtë


Zgjedhjet lokale në Maqedoni

Zgjedhjet lokale në Maqedoni

Partitë politike Maqedoni nuk kanë arritur ujdi për pastrim të listës së votuesve, pavarësisht bisedimeve që kanë hyrë në muajin e gjashtë, në mënyrë që ajo të jetë e besueshme nga të gjitha palët.

Përderisa nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se do t’u përgjigjen të gjitha kërkesave që vijnë nga politika për verifikim e votuesve, madje edhe kërkesën e fundit që vjen nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për verifikimin dhe fshirjen e 42 mijë votuesve.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë analizë për çdo person që ka të drejtë vote, për të cilët ata (Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë) mendojnë se është i dyshimtë. Prandaj, me siguri se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të përcaktohet që edhe këto dilema që ka ngritë Lidhja Social Demokrate dhe përfaqësuesit e tyre në KSHZ, që të binden për çështjet për të cilat mendojnë se nuk është në rregull me një numër të caktuar të votuesve që janë në listën zgjedhore”, thotë Subhi Jakupi, anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Por, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, thotë se pavarësisht se në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë përfshirë ekspertë, pastrimi i listës së votuesve nuk mund të bëhet përderisa në vazhdimësi i bëhen obstruksione nga ana e institucione të shtetit, të cilat, siç thotë, dirigjohen nga politika.

“Çelësi për të pasënjë listë të besueshme zgjedhore qëndron në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila gjatë tërë kohës i bën obstruksione këtij procesi, sepse taktikë e VMRO DPMNE-së është që përmes institucioneve të shtetit, po edhe vetë qeverisë, të mos bëhet pastrimi i listës së votuesve”, tha Trajanov.

Ndryshe, lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, ka kërkuar verifikimin dhe vendosjen në një listë të veçantë të rreth 180 mijë votuesve, që nuk gjenden në bazën e të dhënave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe 42 mijë votuesve të tjerë, që sipas tij, nuk duhet të jenë në listën e zgjedhësve, sepse nuk i plotësojnë kushtet.

“Propozimi ynë është që të gjithë ata qytetarë të cilët nuk janë gjetur në shtëpi dhe asnjëherë nuk kanë bërë kërkesë për marrjen e pasaportës ose letërnjoftimit, t’u mundësohet që të paraqiten brenda 20 ditëve pas shpalljes së listës zgjedhore, dhe nëse ata nuk paraqiten në këtë afat, të mund të shlyhen nga lista e votuesve”, ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoan Zaev.

Por, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, pas takimit me ambasadoren e OSBE-së në Shkup, ka hedhur dyshime se institucionet e shtetit, gjatë pastrimit të listës së votuesve, do të dëmtojnë votuesit shqiptarë.

Në njoftimin me shkrim të kësaj partie thuhet se “lista aktuale zgjedhore ka akoma votues fiktiv dhe fajin kryesor për këtë e kanë institucionet e shtetit që kontrollohen nga pushteti dhe që nuk dërgojnë të dhëna të sakta në KSHZ, andaj në pamundësi të fshirjes së votuesve fiktiv, PDSH nuk pajtohet me fshirjen e personave të tjerë që ekzistojnë, por që për momentin nuk gjenden në vend, shumica e të cilëve mbi 80% janë shqiptarë”.

Ndërkohë, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili drejton VMRO DPMNE-në, ka akuzuar lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë se është duke e manipuluar opinionin me ekzistimin e votuesve fiktiv.

Pastrimi i listës zgjedhore dhe çështja e medieve ishin arsyet kryesore që ndikuan për dy herë me radhë në anulimin e datës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG