Ndërlidhjet

Deputetët, të pakënaqur me mënyrën e funksionimit të Kuvendit


Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)

Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se gjatë sesionit pranveror, Kuvendi nuk ka arritur ta përmbushë deri tash as 22 për qind të agjendës legjislative.

Zyrtarët në këtë organizatë kanë thënë se edhe ato ligje që janë miratuar, kryesisht kanë qenë plotësim-ndryshime të ligjeve të mëhershme.

Në këtë gjendje, Kuvendi pritet ta mbyllë së shpejti sezonin pranveror, me bilanc të ulët të punës.

Lidhur me punën dhe funksionimin e Parlamentit Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa nga deputetët, të cilët kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me punën që është bërë.

Zenun Pajaziti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, për mospërmbushjen e agjendës legjislative, më tepër e fajëson Qeverinë. Ai përmend edhe problemet e tjera, me të cilat është ballafaquar Kuvendi.

"Në pjesën e parë mendoj se jemi më dobët, për shkak se edhe vetë Qeveria ka sjellë shumë pak ligje. Pra, nuk është edhe ajo periudha ku procesi i ndryshimeve të ligjeve bëhet në paketë, për shkak të proceseve etj".

"Kjo periudhë politike ka qenë e rëndë edhe për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kuvend, për shkak edhe të pengesave fizike që ka pasur ky mandat. Unë shpresoj se në periudhën që ka mbetur, duhet të bëhet një angazhim më i madh dhe të kompensohet gjithçka që është humbur në këtë periudhë”, ka thënë Pajaziti.

Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, ka thënë se nuk mund të vlerësohet se puna e Kuvendit të Kosovës gjatë muajve të parë të këtij viti ka qenë shumë e suksesshme.

"Në përgjithësi, ka qenë një punë jo shumë kualitative. Edhe mungesa e opozitës e ka bërë të veten, pastaj edhe tensionet dhe në përgjithësi e kemi lënë përshtypjen që po punojmë me gjysmë kapacitete. Nga ana tjetër, ka pasur raste kur ka munguar kuorumi, sepse me një mungesë të një deputeti të pozitës ka munguar edhe kuorumi i opozitës. Në përgjithësi, puna e Kuvendit nuk është për notën 10, por jo se kanë munguar ligjet, porse nuk ka reflektuar fuqishëm", është shprehur Ferati.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se konsideron se deri më tash jo vetëm sezoni pranveror që nuk ka qenë i suksesshëm, por i gjithë mandati nuk mund të thuhet se është i suksesshëm.

"Kuvendi nuk ka pasur ditë të mira në këtë vit, për shkak të atyre bllokadave që kanë zgjatur me muaj të tërë, por edhe miratimi i ligjeve që në shumë aspekte lë për të dëshiruar për shkak se nuk ka pasur një debat të mirëfilltë edhe Parlamentar edhe (nga) komisionet parlamentare", ka vlerësuar Zemaj.

Ndërsa, sipas deputetes nga Lëvizja Vetëvendosje, Shqipe Pantina, Kuvendi ka mundur të bëjë më shumë. Ajo ka theksuar se Kuvendi nuk ka arritur asnjëherë ta përmbushë strategjinë legjislative që e ka miratuar në fillim të vitit edhe në këtë vit.

"Koalicioni qeverisës s’i ka dy të tretat e votave, dhe ju keni parë se ata shumë shpesh nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën e thjeshtë të pjesëmarrjes në seanca, e lëre më të kalojnë ligje për të cilat ata vetë janë dakorduar, pasi që Qeveria e dalë nga ky koalicion qeverisës".

"Kjo është neglizhencë e deputetëve individualë, të cilët nuk e marrin seriozisht punën e tyre. Por, mbi të gjitha është dështim i të dy subjekteve që janë në Qeveri dhe që kanë dëshmuar se nuk janë të gatshme të punojnë në interes të vendi", ka theksuar Pantina.

Kurse, ndryshe mendon deputeti Kujtim Paqaku nga Grupi Parlamentar 6+. Ai ka thënë se në këtë sezon Kuvendi nuk ka dështuar plotësisht.

"Nuk ka dështuar Kuvendit, ne e kemi bërë punën. Për shembull, ne kemi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që është një prej dokumenteve relevante më kryesore që është aprovuar, pastaj ka pasur diku edhe çalime të vogla. Por, thënë në përgjithësi, jam i kënaqur", është shprehur Paqaku.

Ndërsa, deputetja Duda Balje po ashtu nga Grupi Parlamentar 6+, është shprehur:

"Kemi pasur shumë probleme këtë vit. Kemi punuar sa kemi pasur mundësi të punojmë. Edhe brenda Komisionit ka pasur probleme. Dhe, opozita ka bërë shumë gjëra të këqija brenda Parlamentit. Kemi punuar aq sa kemi pasur kapacitet të punojmë".

Bojkotimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike opozitare dhe mospjesëmarrja e disa deputetëve të koalicionit qeverisës në seanca parlamentare, ka ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit, duke e futur atë në një krizë institucionale dhe duke përgjysmuar numrin e ligjeve të parapara për t’u votuar, kanë vlerësuar përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë këtij viti, nuk ka pasur asnjë interpelancë parlamentare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG